Deliu-Kodra merr mbështetjen e ambasadorit hungarez për integrimet evropiane
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka pritur tw premten në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, konsullin Zoltan Solyom, si dhe këshilltarin për procesin integrimit në Qeverinë e Kosovës, Oskar Füzes.
Fillimisht Deliu-Kodra e ka falënderuar ambasadorin Markusz për përkrahjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Kosovës, ndërkaq e ka njoftuar atë për të arriturat dhe sfidat me të cilat Kosova është duke u ballafaquar gjatë procesit të integrimeve.
Po ashtu, ajo ka falënderuar ambasadorin hungarez edhe për bashkëpunimin parlamentar lidhur me ndihmën nëpërmjet ekspertëve të integrimeve evropiane në kuadër të Projektit të Binjakëzimit.
Ndërsa ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, ka thënë se shteti hungarez është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Markusz ka vlerësuar edhe rolin e Komisionit për Integrime Evropiane, veçanërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe mbikëqyrjes së përmbushjes së agjendës për reforma evropiane.