
Deliu-Kodra: PDK-ja ka lëshuar pe disa herë për kryeministër, me LV-në kemi hendek
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka folur rreth mundësisë së formimit të qeverisë së re, duke thënë se janë të gatshëm si parti ta formojnë qeverinë, nëse Vetëvendosje dështon ta bëjë atë.
“Deri tash kemi parë prej zhvillimeve në raport për përpjekjet për ta bërë qeverinë. Janë përpjekje të z. Kurtit për ta bërë qeverinë. Kurti ka organizuar takime me partitë minoritare, ndërkohë partitë opozitare kanë pasur takime në përpjekje të harmonizimit të qëndrimeve për bashkëqeverisje”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se tashmë kanë pranuar ftesë nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, për një takim në javën e ardhshme, por ka thënë se preferenca e PDK-së është formimi i qeverisë nga opozita.
“E drejta i takon LV-së. Në rast se përpjekjet e saj dështojnë, radha i takon PDK-së. Kemi ftesë nga Konjufca në drejtim të kryetarit tonë. Preferencat tona janë që qeverinë ta bëjë opozita”, ka thënë Deliu-Kodra.
Më tutje, Deliu-Kodra ka potencuar se kanë hendek sa i përket një koalicioni me LV-në dhe se sipas saj, java tjetër do t’i definojë të gjitha gjërat.
“Kemi deklaruar se kemi hendek me LV-në dhe nuk preferojmë qeverisje me ta. Java që vjen do e definoj gjithë përpjekjen për ti dhënë epilog këtyre zhvillimeve. Bazuar në rezultatet zgjedhjeve, LV-së i takon hera e parë, e nëse ajo dështon, pastaj e drejta i takon PDK-së. Po e them hipotetikisht, por nëse i kthehemi fushatës tonë, përpjekjeve tona, që republika ta kthej vetën në binarët e saj, me gjitha këto pengesa, natyrisht që përpjekjet tona janë që partitë opozitare ta kenë mundësi ta bëjnë Qeverinë”, ka thënë ajo për “FrontOnline”.
Deputetja e PDK-së, ka theksuar se partia e saj ka lëshuar disa herë pe sa i përket pozitës së kryeministrit dhe janë të interesuar që qeverinë e re ta udhëheq kandidati i tyre për kryeministër, Bedri Hamza.
“E kam të vështirë të flas për situata hipotetike. Kemi lëshuar pe disa herë nga vullneti i qytetarëve të Kosovës që e kanë votuar sot, por të tërën do e shohim në Kuvend. E gjithë fushata jonë ka qenë në programin zgjedhor që e ka udhëhequr z. Hamza, prandaj unë besoj se një program i tillë do e këndellte Kosovën nga gjendja në të cilën është sot, prandaj në të mirën e qytetarëve do të ishte një qeverisje e udhëhequr nga Bedri Hamza”, ka thënë Deliu-Kodra.