Deliu-Kodra për dështimin e mbledhjes së Kryesisë: Po shohim degradim dhe zvarritje në punën e Kuvendit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka vlerësuar se ka degraduar puna në Kuvendin e Kosovës, pasi sipas saj janë duke zvarritur shumë pikat të rendit të ditës.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Deliu-Kodra, ka thënë se kërkesa e tyre për projekt-rezolutën për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, do të diskutohet javën e ardhshme.
“E pat se sot nuk kishte kuorum për mbledhje. Po e shohim që ka një degradim të punës. Janë disa pika që presin të shqyrtohen e ne kemi zvarritje në punën e institucionit. Javën e ardhshme PDK-ja do ta shqyrtojë migrimin e qytetarëve të Kosovës, do të shohim nëse qeveria do jetë prezentë”, ka thënë Deliu-Kodra.
Më tutje, ajo ka përmendur edhe sanksionet që i janë venë Kosovës, duke thënë se aleatët ndërkombëtarë duhet të ruhen.
“Ne kemi shënuar javën e kaluar përvjetorin e pavarësisë. Nuk ka pasur asnjëherë përvjetor më të zbehtë. Edhe sanksionet që i ka Kosova tash e sa kohë do ishte më e udhës të hiqen, por e them partneriteti duhet të forcohet, aleatët të ruhen edhe në BE, edhe për njohje të reja”, ka thënë deputetja e PDK-së. /EO