Deliu-Kodra: Qeveria synon t’i kontrollojë mediet online me projektligjin për KPM-në
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se qeveria është duke i kërcënuar mediet online me kontroll, duke iu referuar ndryshimeve që ekzekutivi synon t’i bëjë në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.
Deliu-Koda ka thënë në Kuvend se kjo “i hap rrugë autoritarizmit dhe censurës”.
“Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët të raportojnë për çështje me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore të cilën e kemi pa disa herë. Për më tepër, kontrolli shtetëror i medies minon edhe aspiratën e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Deliu-Kodra, duke kërkuar nga qeveria “ta rishikojë e ta rishqyrtojë propozimin e saj për ta kontrolluar medien online”.
“I bëj po ashtu thirrje që të dëgjohen zërat e gazetarëve dhe të respektohen parimet e demokracisë. Të tërheqin këtë projektligj të rrezikshëm para se të bëhet vonë”, ka thënë ajo në Kuvend.