Deliu-Kodra: Serbia nuk është e gatshme të shkëputet nga e kaluara
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se vendimi i Kuvendit të Serbisë për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga kryetari i Komisionit për Integrime i Kuvendit të Serbisë, Nenad Canak, tregon qartë se pushteti serb nuk është i gatshëm të shkëputet nga e kaluara.
Po ashtu, ajo ka thënë se ky veprim i Serbisë tregon se shteti serb nuk është i gatshëm për t’u orientuar drejtë Bashkimit Evropian.
“Duke iu nënshtruar presioneve dhe kërcënimeve të individëve të dënuar për krime lufte dhe gjenocid si Vojvlav Shesheli, po dëshmohet qartë se persona të tillë përcaktojnë ende agjendat dhe janë faktor i politikbërjes së një shteti që po e negocion anëtarësimin në BE. Kosova si shtet, ka dëshmuar gjithmonë se është e orientuar kah fqinjësia e mirë”.
“Sot në ditën e Evropës kërkojmë nga përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian të reagojnë kundër këtij akti, më tepër duke pas parasysh edhe faktin që po i njëjti shtet sot i ndaloi edhe karateistët kosovarë pa asnjë bazë të marrin pjesë në kampionatin evropian në Novi Sad. Veprimi i fundit i Serbisë zbeh entuziazmin e ruajtjes së frymës së bashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të ecur bashkërisht drejt integrimit evropian”, ka shkruar Deliu-Kodra në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/