Deliu-Kodra: Strategjia për Zgjerim, udhërrëfyes për anëtarësim në BE
Delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është duke marrë pjesë në Konferencën e trembëdhjetë të Komisioneve për Integrime/Çështje Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore – COSAP, që po mbahet në Shkup.
Delegacioni i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës është i përbërë nga deputetët: Blerta Deliu Kodra, kryetare e këtij komisioni, Armend Zemaj dhe Fikrim Damka, zëvendëskryetarë.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës para fillimit të konferencës kanë pasur takime me Artan Grubi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Maqedonisë, raportuesin për Kosovën ne Parlamentit Evropian, Igor Soltes si dhe pjesëmarrës tjerë, deputetë të Parlamentit Evropian, pjesëmarrës në këtë konferencë dhe delegacionet tjera të Kuvendeve të shteteve të rajonit.
Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në fjalimin e saj në këtë konferencë duke folur për rëndësinë e Strategjisë për Zgjerim, ndër të tjera ka thënë se kjo strategji duhet të konsiderohet jo vetëm riafirmim, por si udhërrëfyes dhe motivim për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.