Deliu-Kodra thotë se një e treta e qeverisë Kurti është nën hetime
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerat Deliu-Kodra, ka komentuar të gjeturat e dy raporteve ndërkombëtare që flasin për korrupsionin në qeverinë Kurti.
Në seancën e sotme parlamentare, gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, ajo ka thënë se raportet në fjalë flasin se një e treta e Qeverisë janë nën hetime për korrupsion.
“Gjatë kemi folur për shumë sfida të cilat i adreson raporti i Departamentit të Shtetit dhe raporti i ‘Freedom House’, përshirë këtu edhe nivelin e lartë të korrupsionin që është kryefjala. Pjesë e korrupsionit serioz qeveritar janë 5 ministra, janë dy zëvendësministra në hetime për veprën penale të cilat lidhen me korrupsionin, duke përfshirë këtu edhe ministren Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren Liza Gashi të cilat akuzohen për mos deklarim të pasurisë. Pra, një e tret e Qeverisë së Kosovës është nën hetime dhe kjo flet për nivelin e rëndë që sot është Qeveria Kurti”, ka thënë Deliu-Kodra, duke shtuar se për aferat korruptive ka folur edhe opozita.
“Të gjetura kanë qenë të pritshme, sepse gjatë kemi folur për aferat e Martin Berishajt, aferën korruptive në KEK, aferën me rezerva shtetërore, kontrata sekrete, kontrate njëburimore që kapin vlerën mbi 200 milionë euro dhe aferën me ambalazhuesit e ujit”, ka thënë deputetja e PDK-së.