Deliu-Kodra: Vasfijen e ka dëgjuar Kongresi Amerikan, por nuk ka kohë ta dëgjojë Kurti
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar kryeministri Albin Kurti, i cili ende nuk ka kërkuar këshilla nga deputetja Vasfije Krasniqi se si të veprojë në dialogun Kosovë-Serbi për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.
Në profilin e sa në “Facebook”, ajo ka shkruar se zonjën Krasniqi e ka dëgjuar Kongresi Amerikan, por nuk ka kohë ta dëgjojë kryeministri ynë.
Sipas saj, kjo është për të ardhur keq.
Postimi i plotë i deputetes së PDK-së:
Një zonjë shumë e respektuar, Vasfija, paska deklaruar se i vjen keq që Albin Kurti akoma nuk ka kërkuar këshilla nga ajo se si të veprojë në dialogun Kosovë – Serbi për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.
Është vërtetë për të ardhur keq se si kryeministri i Kosovës, z. Kurti, as pas 100 ditësh nuk ka arritur që të flasë me zonjën Krasniqi, e cila ka marrë guximin për të treguar tmerrin që ka përjetuar.
Zonjën Krasniqi e ka dëgjuar Kongresi Amerikan, por nuk ka kohë ta dëgjojë kryeministri ynë. Sa shumë për të ardhur keq.
Albin Kurtit nuk i interesojnë këto tema tani. Vetëm në kohë zgjedhjesh ai bëhet sikur interesohet.
Edhe kur ishte opozitar u premtonte familjeve të të pagjeturve se nuk do të pranonte të shkonte në bisedime me Serbinë pa u zbardhur fati i familjarëve të tyre, por kur u bë kryeministër e harroi premtimin dhe u ul pa kushte në tavolinën e bisedimeve me Aleksandër Vuçiqin.
Kryeministri Kurti duhet të sillet me përgjegjshmëri dhe të mos keqpërdorë temat e ndjeshme dhe plagët e hapura të shoqërisë tonë nga lufta e fundit.