Deliu reagon pas deklaratës së Vuçiqit: Nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut me Serbinë
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se nuk ka kuptim të vazhdohet dialogu pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk do ta njeh Kosovën derisa është në krye të vendit, në vitin 2022.
Deliu përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka shkruar se ky deklarim i presidentit serb është kushtëzim i hapur ndaj dialogut, ndërkohë që gjithë kohën është proklamuar nga ndërmjetësuesit se dialogu duhet zhvilluar pa kushtëzime, raporton “Epoka e re”.
“Nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaron publikisht se ai nuk do ta njoh Kosovën gjatë mandatit të tij, atëherë prania e Kosovës në çfarëdo dialogu me Serbinë, nuk ka më asnjë kuptim. Ky deklarim i presidentit serb është kushtëzim i hapur ndaj dialogut ndërkohë që gjithë kohën është proklamuar nga ndërmjetësuesit se dialogu duhet zhvilluar pa kushtëzime. Kosova nuk mund as guxon të bëhet pjesë e një procesi dialogues ku zbatohen standarde të dyfishta”, ka shkruar deputetja Deliu.
Ajo ka shkruar tutje: “Sidoqoftë, ky reagim vlen, thjesht, sa për të sjellë ndërmend sjelljen e vazhdueshme jokorrekte të Serbisë, në raport me dialogun, sjellje e cila do te duhej të shihej me shqetësim nga ndërmjetësit e këtij procesi. Përndryshe, Kosova do të ndjek udhëzimin për një dialog të vetëm – që epilog ka njohjen reciproke dhe të drejtën e Kosovës për t’u bërë anëtare e kombeve të lira në OKB”, ka thënë Deliu.