“Deloitte” për ekonominë shqiptare: Rritja në 3.4% këtë vit, deri në 2023 në 3.6%
“Deloitte” në një publikim të fundit për Shqipërinë parashikon një rritje ekonomike të vendit pranë 3.4% këtë vit. Këto projeksione janë bërë mbi bazën e të dhënave të njësisë së inteligjencës së “The Economist”. Krahasuar me projeksionet më të fundit të Bankës Botërore, që flasin për 2.9% rritje, dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në 3% rritje, këto projeksione janë ndjeshëm më optimiste, shkruan “scantv”.
“Deloitte” në këtë publikim thotë edhe se rritja ekonomike e vendit tonë në 4-5 vitet e ardhshme, deri në vitin 2023, nuk do ta kalojë dot nivelin e 3.7%. Në vitet 2020-2023, ekonomia shqiptare do të rritet mesatarisht me një normë në 3.6%, thotë “Deloitte”. Projeksioni për vitin 2019 e katapulton Shqipërinë në vendin e dytë të ekonomive me rritjen më të shpejtë në rajon, pas Kosovës, në rritje me 4% sipas këtij publikimi. Sa i përket vitit të ardhshëm projektohet që Serbia të parakalojë vendin tonë në terma të rritjes.