DEMAÇI DHE MANDELA
Isuf Sherifi
(ngjashmëritë dhe dallimet)
Epiteti që iu dha Adem Demaçit fill nga momenti i daljes nga burgu, si Mandela i Kosovës, ka qenë temë në vete që më ka “ç’ekuilibruar” intelektin tim shpeshherë, andaj për këtë Simpozium, pa hamendje, iu qasa idesë për të shkruar mbi ngjashmëritë dhe dalllimet e këtyre dy figurave karizmatike politike, që janë përndjekur nga dy regjime vrasëse të dy vendeve të ndryshme, me sisteme të ndryshme politike, dhe gjeografikisht larg njëra tjetrës, jo vetëm në harta, por edhe në mendësi të zbatimit të politikave të tyre diktatoriale dhe gjenocidare.
Ngjashmëritë që vënë tejdukshëm në pah përballjet dhe vuajtjet e këtyre dy udhëheqësve politikë, kohë të gjatë më shumë shpirtërorë, flasin për Binomin Demaçi – Mandela, që rrallëherë gjenë në politikën globale të qëndresës së popujve të shtypur. Kur them rrallëherë, nuk mendoj të “zhbëj” gjithë ata liderë, që mund të kenë ngjashmëri për nga vuajtja nëpër burgje, por jo edhe adekuat për këtë rast përballjeje ngjashmërishë.
Në dy rrafshe mund të shkruhet për këtë binom interkontinental; në rrafshin e ngjashmërisë së fateve dhe angazhimeve, dhe në rrafshin e dallimeve, që poashtu sjellin në pah këto fate.
Është absurde të shkruhet për ngjashmëritë dhe dallimet, e të mos flitet për ngjashmëritë e pushteteve dhe politikave të kohës kur ajo politikë “merrej” me këta të dy.
Demaçi vazhdon të jetë i gjallë në mesin tonë, edhe pse i lodhur nga sëmundja, ai vazhdonë të jetë promotori shpirtërorë i ideve përparimtare kombëtare. I dyti, Mandela, i ndarë nga jeta më 5 dhjetor 2013 mbetet ai që ishte, njeriu më popullor i Afrikës së Jugut, simbol i qëndresës dhe luftës për liri dhe barazi racore e kombëtare dhe tejkombëtare.
Pos viteve gati të përafërta të vuajtjes së dënimeve politike, ata do të kenë të ngjashëm edhe vitin e lirimit nga burgu. Mandela do të lirohej më 11 Shkurt, ndërsa Demaçi më 12 Prill të vitit 1990.
Ajo që të dy këta figura politike i bënë të mëdhenjë edhe më shumë seç ishin deri në atë kohë, është strategjia e tyre politike, që vazhduan ta përdorin dhe predikojnë mëtutje, mendim i ri politik ky, që nuk ishte i lehtë për t’u kuptuar. Të dy këta liderë, shtrinë dorën e pajtimit dhe afrimit me regjimet pushtuese dhe diskrminuese, duke u bërë oferta për bashkëpunim, për çlirim të vetevtes së tyre nga urrjetja, nga robëria.
Përderisa në vendin nga ku ishte Mandela, një gjë e tillë hasi në mirëkuptim dhe ishte shëndruar në një platformë të re politike për të zhvilluar shtetin dhe demokracinë e atij shteti, në Kosovën e pushtuar, kjo ofertë demaçiane u lakua në gjitha format e mundshme të gazetarisë titiste, dhe, edhe si ide u stigmatizua nga lloj-lloj agjitropësh politikë. Demaçi, nuk ishte i krisur të besonte në pafundësi në këtë ide, ngase edhe ai e shihte në atë kohë, se Serbia dhe fashizmi i ri serb që po lindte, me në krye platformën millosheviçiane, ishte e kundërta e krejtë asaj që po pretendohej.
Ai po përpiqej të riparonte diçka duke krijuar paqe stabile dhe të përherrshme në trojet shqiptare. Por për paqe duhej edhe pala tjetër.
Por, të fillojmë me angazhimet politike të këtyre dy gjigandëve të lirisë politike dhe shpirtërore. Nëse vlerësojmë angazhimet politike, nuk ka se përse të thuhet që Demaçi na qenka Mandela i Kosovës, kur e njëjta mund të vlejë edhe për Mandelën, pra, Mandela njëkohësisht mund të ketë qenë Demaçi i Afrikës së Jugut.
Të dy guximtarë dhe të arsimuar, kanë ditur majft mirë se përse po angazhohen, dhe asnjë formë e joshjes politike nuk i ka zbrapsur. Duke ecur mbi jetëpërshkrimet e këtyre dy burrave të mëdhenjë botërorë – aktivistë për liri të drejtave të njeriut, dhe liri kombëtare, një gjë është mjaft e qartë dhe identike në substancë, që edhe ka ndikuar në fatet e tyre: të dy këta personalitete, janë burgosur, janë torturuar, janë linçuar politikisht, janë sabotuar, para syve të botës demokratike të kohës, kur politika botërore e ngrirë apo e kapur në dy blloqe të mëdhaja interesash; në atë të lindjes (BRSS me aleatë) dhe në atë të perëndimit (SHBA me aleatë), nuk lëvizinin nga pozicionet e tyre, dhe si të thuash, këta dy personalitete po vuanin, ngase shtetet ku po jetonin dhe vepronin ata, ishin të lira për të vepruar kundër tyre, meqë ata, shikuar gjepolitikisht në përmasa botërore, ishin pengesa edhe për synimet e këtyre blloqeve.
Del haptas në shesh konkludimi, se realizimi i ideve të tyre kombëtare, do të ishte pykë çarëse në rendin e ri botëror, rend ky që po qëndronte edhe mbi kurriz të fatkeqësive të këtyre dy popujve.
Ishte një si fat i keq, që mund të shpjegohet krejt thejshtë, ngase po të lëvizej, do të lëvizej status quaoja botërore.
Jo më kot, të dy këta personalitete, nga kriminelë politikë,për regjimet kolonizuese dhe pushtuese në Afrikë të Jugut dhe Jugosllavi, njëri i dënuar me burgim të përjetshëm, dhe tjetri me burgim disa herësh, afro tridhjetëvjeçarë, u liruan vetëm kur nisi të zhbëhej blloku i lindjes (BRSS me aleatët).
Konfgurimi i ri politik botëror po merrte dimensione të reja, dhe shumëçka e vjetër që ishte armiqësore, duhej tentuar të përvetësohej, duke kuptuar më në fund rolin e ri në këtë lojë të re.
Për digresion, po e përmendi vetëm një fakt, duke sjellur të vërtetën që vetë Mandela, jo vetëm nga Ronald Regan, por edhe nga Margareth Theçer, dhe disa shtete të tjera, është quajtur terrorist dhe si i tillë ai paraqiste rrezik për ineresat e shteteve të tyre. Vetë Ronald Regani qe angazhuar që Mandela të futej në listën e atyre që janë rrezik për demokracinë dhe shtetin. Shumë vite më vonë, po nga Amerika, Xhorxh Bushi – Juniori, kishte arritur ta hiqte nga lista e tillë Mandelën, duke e dekoruar njëkohesisht me Medalje Shtetërore të Lirisë.
Që nga lirimi i tij nga burgu, dhe deri edhe në ditët e sotme vazhdojnë t’i ndahen medalje dhe mirënjohje të shumta. Për çudi dhe për habi të demokracisë, edhe Serbia në vitin 2007, Mandelën – Demaçin e Afrikës së Jugut e dekoron me Medalje për guxim dhe trimëri. Kjo Serbi që kishte mbajtur nëpër burgjet e saja Adem Demaçin – Mandelën e Ballkanit.
Fati që kishte përshkuar Mandelën që nga dalja nga burgu, do të jetë pak a shumë i ngjashëm edhe me atë Demaçit. Perpos medaljeve poashtu të shumta dhe Mirënjohejeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, Demaçin do ta kemi në vazhdimësi në përpjekje për të realizuar synimet politike të përherrshme të tijat. Në aksione të përditshme për të mbrojtur kauzën e popullit të tij. I tillë është edhe sot!
Përballja e Demaçit me shpifje nga më të ndryshmet ndaj tij, do ta kursente Mandelën në skajin tjetër të botës. Këtu fatet nuk do të ishin të ngjashme. Koha e gjatë, që me aq vuajtje dhe përgjakje e kishte krijuar një personalitet sikur Demaçi, po tentonte ta zhbënte koha e shkurtër e gjarpërinjëve dhe ushunjëzave politike sllavofile. Ata që i ishin frikësuar vazhdimisht Demaçit, tanimë kishin gjetur forma të ndryshme të luftimit politik, do të lëshonin komisarë e gazetarë politikë në përbaltje të tij, në vend që ta përqafonin dorën e shtrirë për pajtim dhe angazhim të përbashkët të këtij gjigandi, ata ngritën grushtet e tyre kundër tij.
Demaçi dhe Mandela janë të përafërt në shumçka, ashtu siç kanë dhe dalllimet e tyre. Është një temë, që për aq sa merresh me të, po për aq, por edhe më tepër, të tërheqë gravitacioni i botës së ngjashmërive, se sa gravitacioni i botës së dallimeve.
Është ndoshta absurde, që tek këta dy personalitete të kërkohen dallimet, kur ngjashmëritë që kishin dhe kanë, janë dhe ishin promotori i lirisë së të dy popujve të shtypur me dekada, nga regjime që për nga vrazhdësia ishin të njëjta.
Demaçi -Mandelë i Kosovës, apo Mandela – Demaç i Afrikës së Jugut, ndoshta kjo ka pak ka rëndësi. E rëndësishme është që ata bënë historitë e lavdishme të popujve të tyre.
PS.: Punim i exuar në Simpoziumin: “Adem Demaçi – ura nëpër të cilin kalon liria e Kosovës” mbajtur në Zürich më 21.2.2016