DEMAÇI, FRYMËZIM PËR PAJTIMIN E GJAQEVE NË KOSOVË
Lulëzim ETEMAJ
Gjatë pajtimit të gjaqeve është përmendur shumë motoja e Adem Demaçit “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”, por nuk është trajtuar sa duhet deri më tani reflektimi i kësaj motoje nga romani i tij “Gjarpijt e gjakut”, si pjesë pragmatike e aksionit dhe, përgjithësisht, e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë.
Jo vetëm motoja e këtij romani, por edhe i gjithë reflektimi i filozofisë jetësore, politike dhe atdhetare të Adem Demaçit kanë qenë me peshë të veçantë, kanë qenë pika nga është dhënë shembulli më i pastër i flijimit për atdhe, në familjet që kërkohej falja e gjakut, plagës apo ngatërresës.
Shkrimtari Adem Demaçi është ish i burgosuri politik me mbi 28 vite burg, prijësi i rezistencës kombëtare shqiptare dhe frymëzuesi i gjeneratave të tëra. Emri i tij është i lidhur ngushtë dhe pazgjidhshëm me çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në vitin 1958, Adem Demaçi, në moshën 22-vjeçare boton romanin “Gjarpijt e gjakut”, pasi paraprakisht ishte botuar në numrin 1 dhe 2 të revistës prestigjioze letrare “Jeta e re”, të cilën e udhëhoqi për dekada me radhë nxitësi dhe mbështetësi i guximshëm i penave të reja dhe i letërsisë shqiptare jashtë Shqipërisë së cunguar, Esad Mekuli. “Gjarpijt e gjakut” është romani i parë shqiptar në Kosovë. Pararendës i ka vitet e egra të dhunës dhe të represionit të pushtuesit mbi shqiptarët, posaçërisht të dhunës së ushtruar gjatë viteve 1956 dhe 1957, kur policia e udhëhequr nga Aleksandar Rankoviqi, nën arsyetimin e “grumbullimit të armëve pa leje” aplikoi terrorin në funksion të krijimit të një atmosfere frike, që do të favorizonte përshpejtimin e dëbimit të shqiptarëve në Turqi, dëbim i kamufluar me të ashtuquajturën “shpërngulje vullnetare”. Si pasojë e torturave barbare gjatë “aksionit të armëve” në Kosovë humbën jetën 100 persona, ndërsa me pasoja fizike dhe psikike të përjetshme mbetën 30 000 shqiptarë të tjerë. Ndërkaq, me numrin prej 41 800 shqiptarëve të shpërngulur vetëm në vitin 1958, 54 000 në vitin 1956 dhe 57 710 në vitin 1957, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm vetëm gjatë këtyre tri viteve arrin shifrën prej 153 510 vetash.
Kjo kohë e rëndë, në të cilën po jetonte populli i shtypur shqiptar, është bërë objekt i trajtimit specifik, krejt origjinal, duke iu nënshtruar pasqyrimit artistik, psikologjik e filozofik, duke e bërë romanin “Gjarpijt e gjakut” të jetë tejet i veçantë: roman metaforë, për nga struktura e tij estetike. Roman që, sado i veshur me shije me petkun letrar, në të vërtetë është një mesazh i fortë njerëzor, politik kombëtar, drejtuar bashkëkombësve; mesazh që ngërthente thirrjen, klithmën, për të braktisur konfliktet mes tyre, veçanërisht gjakmarrjen, dhe bashkuar të gjitha energjitë kundër pushtuesit të vendit.
“Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”, ky është mendimi bosht i romanit, të cilin e bart personazhi i Mustafës, që në të vërtetë është vetë Adem Demaçi. Demaçi, duke parë se si gjarpërinjtë e gjakut tonë së bashku me gjarpërinjtë e sistemit të pushtuesit, duke ia marrë gjakun, po e varfëronin dhe po e rrezikonin jetën e shqiptarëve, substancën dhe mbijetesën tonë kombëtare në trojet tona shekullore, duke qenë i pakompromis, fton fuqishëm popullin, posaçërisht rininë shqiptare, për t’i dhënë fund vëllavrasjes: “Mshoju edhe pak, mshoju, e naljau turrin ktyne gjarpnojve t’gjakut, qi po munohen hala me ecë e me i përlye me marre kto male tonat, me e flliqë kit dhé tonin!…-Nalni!….Nalni!…Shtypjauni kryet!…”.
Ky mendim bosht i romanit, përkatësisht filozofia çlirimtare e tij, i siguroi Demaçit mirëpritje të matur në qarqet letrare të kohës. Nga ana e lexuesve të shumtë, veçanërisht te rinia, e cila po e ndiente më shumë se çdokush tjetër përcëllimën e vapën ekzistenciale, që bucinën e kishte bërë tokëllinë, kurse barin e kishte zverdhur dhe njerëzit, shqiptarët, i kishte “teshun në shpirt”, ardhja e tij ishte pritur si ardhja e shiut prej kupës së qiellit, të cilit i ishin lutur në gjuhën shqipe, herë me zë e herë në heshtje, duke drejtuar sytë e lodhur prej tij.
“Gjarpijt e gjakut” është romani që i shqiptoi dënimin vendimtar gjakmarrjes dhe, njëkohësisht, akuzon shoqërinë e cila nuk po ndërmerrte asgjë për çrrënjosjen e saj. Kështu, ai ishte lexuar edhe prej pushtetit. Prej pushtetit politik dhe prej të gjitha policive të tij, përfshirë edhe policinë ideore. Dhe, për pasojë, autorin Adem Demaçi e burgosin po këtë vit, ndërsa vitin tjetër, në muajin shkurt, e nxjerrin para Gjyqit të Qarkut në Prishtinë dhe “në emër të popullit” e dënojnë me pesë vjet burgim të rëndë.
“Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se, nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi”, deklaron Demaçi para këtij gjyqi antishqiptar, në mbrojtje të pikëpamjeve të tij politike dhe të drejtave të ligjshme të shqiptarëve të Kosovës.
(Shkëputur nga libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë”)