Demaku boton një libër me tregime
“Rrëfimi i njërës nga ato” është libri më i ri me tregime i shkrimtarit Dibran Demaku që ka dalë nga shtypi në këtë fillim të javës. Në këtë libër janë përfshirë tetëmbëdhjetë tregime të shkurtra që, sipas redaktorit të librit, Adem Gashi, në këtë libër janë dy elemente të dallueshme, ose veçanërisht të dallueshme. “Befasia ose kthesa surprizë e tregimit që e vë në grackë lexuesin dhe, pothuajse, përjashtimi tërësor i përshkrimit dhe meditimit, zëvendësuar me dialog ose monolog të brendshëm të dialogëzuar”.
Ndërsa botuesi, Berat Armagedoni, ka thënë se shkrimtarët shqiptarë që jetojnë në diasporë edhe po i shtojnë vepra edhe vlera letërsisë shqipe. “E përgatitëm dhe e dorëzuam në shtyp librin me tregime të Dibran Demakut. Më gëzojnë pa masë autorët e letërsisë shqipe që krijojnë në vend të huaj, si Dibrani në Gjermani, e që letërsisë shqipe edhe i shtojnë tituj, edhe i shtojnë vlera letrare. Libri me tregime i tij, ‘Rrëfimi i njërës nga ato’, nuk është i barasvlershëm tematikisht dhe stilistikisht me ‘Historinë e njenës nga ato’ të Migjenit, por është shumë i veçantë për motivet e marra nga jeta jonë. Tema sociale shtrohet në një kontekst tjetër. Bashkëkohor. Burri punësohet dhe avancohet në punë në krahë e kurriz të gruas së bukur. E, për këtë punë ai vonë merr vesh. Përkrah kësaj gruaje që ngrit burrin në detyrë, është edhe një grua tjetër, një ushtare e zonja, që ruan moralin e vet dhe të bashkëshortit, që s’lë kënd ta ngjyejë buzën në të edhe kur ia kërkojnë një flirt. Ka, në këta tregime të këtij libri, karaktere të ndryshme vajzash e grash dhe djemsh e burrash që i hasim kudo ku i takojmë. Edhe trajtim të rrallë të dukurive sociale, filozofike, etike, politike që përbëjnë jetën e tyre.
Këtë dorëshkrim, kështu premierë sikurse unë, e ka lexuar, e ka krehur, e ka vlerësuar edhe redaktori Adem Gashi. Ai thotë: “Demaku, pas një përvoje goxha të gjatë krijuese, vjen këto ditë në hapësirën e letërsisë me librin e katërmbëdhjetë. Proza e tij tregimtare ka një tregues me kuota të larta në formë e përmbajtje, në stil e në gjuhë, në tema e në ide. Rrallë më ka rënë të lexoj krijime të këtij tipi me narracion kaq spontan dhe të natyrshëm. Begatinë emocionale e kamuflon brenda tekstit dhe shpesh tensionin e përmbajtjes lexuesi e ndien vetëm pasi i ka rënë në fund rrëfenjës. Janë dy elemente të dallueshme, ose veçanërisht të dallueshme, të këtyre tregimeve. Befasia ose kthesa surprizë e tregimit që e vë në grackë lexuesin dhe, pothuajse, përjashtimi tërësor i përshkrimit dhe meditimit, zëvendësuar me dialog ose monolog të brendshëm të dialogëzuar.
Gracka e dytë e autorit stiset nën rëndomtësinë tematike. Ne, në të parë, i pandehim tema përditshmërie motivet e këtyre tregimeve, por brenda vlojnë dramat dhe tragjeditë e mëdha si strumbullarë të fatit të njeriut të këtij midisi, si lufta, dashuria, liria e të tjera. Një vetëdisiplinë e këtillë e autorit, në planin emotiv, bëhet vlerë artistike me peshë”.
“Rrëfimin e njërës nga ato” nga e mërkura mund ta gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë.