Demaliaj: Në Projektligjin për paga të rregullohet çështja e tri pushteteve
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i cili është edhe anëtar i Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shkumbin Demaliaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në Projektligjin për paga duhet të rregullohet nivelizimi i pagave për tri pushtetet; legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, kërkesës kjo edhe e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atij Prokurorial.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe ai Prokurorial i Kosovës (KPK) na janë drejtuar në Komisionin për Legjislacion me kërkesën për nivelizimin e pagave ndërmjet tri pushteteve, atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. E konsiderojmë të arsyeshme dhe të rrugës që kjo çështje të rregullohet. Unë jam caktuar që të marrë pjesë në mbledhjen e rregullt apo të jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Pra, pagat duhet të rregullohen dhe mos të ketë shkelje ligjore, bazuar edhe në nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Demaliaj.
Neni 4 i Kushtetutës së Kosovës
Neni 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]
1. Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe
kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.
– 2 –
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së
Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit
demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë.
4. Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave
shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar.
5. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.
6. Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën
interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
7. Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të
integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin
kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.
(Epoka e re / A. MAVRAJ)