Demalijaj: Partitë e koalicionit nuk janë kundër Haradinajt për president
Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, vlerëson se partitë tjera nuk kanë arsye për ta kundërshtuar zgjedhjen e Ramush Haradinajt për President të Kosovës.
“Kemi kandidat për president, Ramush Haradinajn. Për deklarimet e subjekteve tjera si pozitë dhe opozitë mendoj që duhet të hiqen dilemat e tyre për mospërkrahje të një kandidature të tillë sepse nuk kanë ofruar kandidat. Ka një deklarim të PDK që votojnë presidentin vetëm nëse vjen nga PDK. Nuk kanë deklaruar se a duan të jenë pjesë e Qeverisë”.
“Kjo lë të nënkuptojë se pas zgjedhjes së Presidentit mund të iniciojnë mocion. Nëse mendon kështu PDK duhet të kërkojë kandidat koncensual dhe të ofrohet një kandidat jashtë PDK-së. Është politike, këmbëngulësi e panevojshme. Kemi kandidatin, nuk e ka kundërshtuar koalicioni qeverisës”, ka thënë Demalijaj.
Ai në Rubikon ka thënë se lidhur më zgjedhjen e presidentit të ri duhet të veprojë Avdullah Hoti si kryeministër i vendit.
“AAK ka ofruar kandidatin dhe nuk ndalon që edhe subjektet tjera ta ofrojnë. Nuk ka shpreh vullnetin asnjë nga subjektet për t’u ulur në tryezë për këtë çështje”.
“Isa Mustafa nuk është përfaqësues në institucione. Kjo është dashur t’i lihet Hotit që ta marrë flamurin sepse është kryeministër. T’i ftojë të gjithë. Nëse mendojnë që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje në kohë pandemie, atëherë mund të flasin për qeveri gjithëpërfshirëse”.
“Nuk jemi nxituar por kemi ofruar zgjidhje. Koalicioni nuk i ka 80 mandate dhe për atë është kjo tërheqja e hijezuar e Nismës dhe LDK. LDK nuk ka mundur të ofrojë mbështetje. Duhet të nisemi nga themelimi i koalicionit. AAK, LDK, Nisma, AKR nuk kanë pasur marrëveshje paraprake për pozitën e Presidentit. Partitë janë pa marrëveshje për presidentin”.