Demarkacioni me Malin e Zi, Osmani: Do të realizojmë diskutime miqësore me trupat e përbashkëta teknike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën për media me homologun malazez, Gjukanoviq, ka folur edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Osmani ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi janë shtete miqësore dhe sa i përket trupit të përbashkët teknik në mes të dy vendeve që janë paraparë në deklaratën e përbashkët ndërmjet dy presidentëve është çështje teknike e cila do të realizohet përmes diskutimeve miqësore.
“Dua ta potencoj se Mali i Zi ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovë, nga 2008 deri më tani ka qenë ndër shtetet më përkrahëse drejt shtetndërtimit. Kjo miqësi do të ruhet dhe do të forcohet. Sa i përket çështjes së demarkacionit, Kosova ka ratifikuar tri dokumente në parlamentin e saj, e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklaratat e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi dhe e treta raporti i Komisionit Shtetëror për çështjen e Kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë dhe raporteve të shkëlqyeshme miqësore dhe çështja e trupit të përbashkët teknik i cili është paraparë në deklaratën e atëhershme të dy presidenteve është një çështje teknike e cila do të realizohet përmes diskutimeve miqësore ndërmjet dy vendeve tona gjithnjë duke e vlerësuar se raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani ka thënë se ka akterë të tjerë që duan destabilizim në rajon dhe Kosova e Mali i Zi s’duhet të kontribuojnë në këtë.
“Ka mjaftueshëm akterë të tjerë që kërkojnë ta destabilizojnë rajonin tonë, Kosova e Mali i Zi nuk do të duhej të lejonte që këto marrëdhënie të prishen dhe nuk shoh asnjë çështje që mund të prish marrëdhëniet mes Kosovës e Malit të Zi”, ka thënë ajo.