Demarkacioni do të kalojë, po pastaj kë do ta mbërthejë lemza?!

21 shkurt 2018 | 10:59

Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA

Demarkacioni po ratifikohet para se të falimentohet: Më në fund po ratifikohet Marrëveshja për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, i cili ishte tërhequr zvarrë për tre vjet duke u përdorur e më shumë keqpërdorur nga të gjithë; kush më shumë e kush më pak. Përnjëherë i lamë të gjitha punët e tjera dhe të gjithë u bëmë njohës të demarkacionit në kohën kur pjesa më e madhe nuk ka kapacitet ta interpretojë as një hartë gjeografike të klasave të pesta. Hashimi i përndritur dhe “Bukuroshja” e përhitur, së bashku me Skenden e Llapit, e nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacion, besoj pa e lexuar fare. Hashimi është erudit dhe nuk humbet kohë duke lexuar marrëveshje sepse ato ia shkruajnë të tjerët sikur që edhe Zezdita, e pasionuar pas modës dhe blerjeve, në vend se të lexojë marrëveshje të shkruara nga burokratët evropianë, i shfleton me pasion “romanët” e Dolçe Gabanës, Armanit, Versaçes, Iv Sen Loranit, Diorit, Mek Kuinit, Pradas dhe klasikëve të tjerë të modës. Skenda ka një pozicion neutral në vendimmarrje, e nënshkruan çka i kërkon shefi.

Shefi, alias Hashimi, e formoi një komision qeveritar për ta siguruar një faturë arsyetuese për aventurat e Brukselit, kurse komisioni qeveritar, duke menduar se po i shërben vendit, bënte çka i thoshte shefi. Realisht, nga gjendja që e kemi sot po del se shumë më largpamës, jo vetëm shkaku i dioptrisë, po del të jetë Hashim Shefi se të gjithë udhëheqësit e rajonit që nuk pranuan që Demarkacioni të futet si kusht për liberalizim të vizave. Hashimi na futi mirë e mirë Demarkacionin si kusht për viza e tash po e sulmon BE-në se na ka lënë rrugëve para ambasadave dhe se e paskan mashtruar Hashimin dhe për këtë arsye Hashimi i njohur si besnik dhe shumë i sinqertë, nuk u doli në fjalë qytetarëve të Kosovës për të cilët aq shumë u sakrifikua dhe të cilët edhe më shumë e duan Hashimin president. Thonë se vakti e hanë kashtën dhe se vjen koha që Hashimi nuk e mbanë fjalën, nuk do të parashihej sa me imagjinatën më të shëmtuar dhe shpërfytyruar. Presioni për ratifikim të Demarkacionit ishte dhe është aq i madh e i fuqishëm saqë nuk mund të kundërshtohej.

Komandanti legjendar Adem Jashari nuk është më gjallë dhe minjtë po hedhin valle. Baca i Madh Adem Demaçi nuk mund të kundërshtojë dhe për ngushëllim e ka se nuk e dëgjonin as edhe kur ishte në gjendje të kundërshtonte. Vetëvendosja, e dhënë pas aferave seksuale, një pjesë pas hajnisë dhe luftës për pushtet, vetëm formalisht po e kundërshton demarkacionin. Po i mbron më shumë disa kufij të kënaqësisë. Edhe bashkimin kombëtar, si armën më të fuqishme për manipulim me masa për marrje të pushtetit, e zbuti se është për bashkim kombëtar, i cili nuk do të kundërshtohej nga shtetet e BE-së. BE-ja më parë do ta pranojë bashkimin e Kosovës me Serbinë se bashkimin me Shqipërinë. Sa dhuna u përdorë kundër Policisë së Kosovës në kundërshtim të demarkacionit, sa xhamat e Qeverisë dhe Kuvendit u thyen për këtë kauzë, sa njeri u fye dhe u sulmua duke e pushkatuar nëpër rrjete sociale, sa dëmet u bënë, materiale dhe jomateriale në kundërshtim të demarkacionit dhe në fund po votohet ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi.

Në çdo shkrim jam deklaruar se, për dallim nga shumica, jam injorant i certifikuar për mosnjohje të demarkimit të kufijve dhe tërë kundërshtimin tim e kam ndërtuar në pësimet nga e kaluara ku, në të gjitha zhvillimet e mundshme si në Evropë, Azi, Amerikë apo Afrikë, shqiptarët gjithmonë kanë humbur territore. I kemi humbur territoret sikur blakçorët që i kanë humbur tokat e tyre në Llap. Kam thënë dhe po e përsëris, se kur të vijë koha ta bëjmë demarkimin me Serbinë, do të shkojmë dhe ta puthim çdo centimetër të kufirit me Malin e Zi dhe të gjithë malazezët.

Unë deklarohem për malazeze. Në Ballkan po vendosen kufijtë e përkohshëm për t’u rivizatuar përfundimisht pas 20-25 vjetëve. Mirëpo, grabitqarët rreth Kosovës po krijojnë epërsi strategjike për Ditën D, kur do të vendosen kufijtë e rinj. Po e përsëris se ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion nuk është çështje patriotike shkaku se kundërshtarët e demarkacionit dhe “mbrojtësit” e tërësisë territoriale të Kosovës kanë lidhje me patriotizëm aq sa kam unë lidhje me gruan e Zulfikar Ali Butos. Këta që po mundohen sot ta mbrojnë Kosovën, edhe shpirtin ia patën falë Jugosllavisë dhe Serbisë. Se nuk është çështje patriotike tregon fakti se deputetët që kërkonin bashkim me Çamërinë, sot herë e kundërshtojnë e herë e përkrahin demarkacionin. Kur këta patriotë të dëshmuar në vendosmëri nuk ngulin këmbë, mos vallë pritni nga unë të sakrifikohem si Jan Pallahu në Pragë. Rrugën për ratifikim të demarkacionit e hapi gjenialiteti i presidentit Thaçi që, si alkimist i dëshmuar, çdo gjë që e ka prekur me dorë e ka bërë m..jaltë, me një bisht që i shtohej marrëveshjes kryesore e që u nënshkrua me presidentin e Malit të Zi që gjithmonë thotë se Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen dhe se tash është çështje e brendshme e Kosovës.

Sipas Hashimit, po del se më shumë peshë juridike ka bishti (shtojca) e marrëveshjes se vet marrëveshja! Ky aneks biseksual përngjanë me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Asociacionin e komunave serbe ku thuhej se është vërtetuar se Kushtetuta është shkelur në 24 raste, por se duhet të vazhdohet me formimin e Asociacionit. Vetëm ndërkombëtarët dinë të shkruajnë këso tekste të cilat vetëm dikush që ka punuar me ndërkombëtarët apo i mungojnë 5-6 dërrasa janë në gjendje ta kuptojnë. Prandaj e them se demarkacioni do të ratifikohet dhe duhet të ratifikohet ose të shkojmë te varri i Adem Jasharit dhe të kërkojmë që, edhe një herë të sakrifikohet për patriotët si puna ime dhe të tjerët siç janë deputetët e lavdishëm të Kuvendit të Kosovës të cilëve kurrë nuk u prenë sakica në një vend. Nuk duhet të kërkohen fajtorët për këtë, por duhet të angazhohemi që dëmi të jetë sa më i vogël. Pa u dëmtuar nuk do të kalojmë sikur që u dëmtuam edhe me Maqedoninë në Debëllde.

Me injorancën time e them se Asociacioni i komunave serbe është shumë më i rrezikshëm se demarkacioni. Për këtë nuk kam asnjë dyshim. Më mirë është që deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës të merren vesh për ta defaktorizuar Serbinë e vogël në Kosovë – Lista Serbe, se të shpenzojnë energji për gjëra që nuk varen nga ata. Përfundimisht do të ndodhë ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion dhe kjo është e paevitueshme. Nuk ka aspak dallim kushtëzimi që ua bëjnë Alternativa dhe LDK-ja për të votuar demarkacionin nga kushtëzimi që ua bënë Lista Serbe. Demarkacioni ose duhet të votohet pa asnjë kushtëzim, ose nuk duhet të votohet fare. E unë jam i sigurt se do të votohet. A pajtohem a jo është diçka tjetër, mirëpo kjo është punë e përfunduar. Është e kotë t’i nxirrni sytë njëri-tjetrit, të fyeni me fjalë më të ulëta apo të fryheni dhe shfryheni me një patriotizëm folklorik! Përmbahuni se nuk dihet çka sjellë dita e nesërme.

Rita Ora dhe Behgjet Pacolli: Kanë shumë gjëra të përbashkëta Rita me Gjetin, përveç bukurisë dhe sharmin. P. sh., unë do të zihesha pisk nëse duhet të deklarohem se cili është patriot më i madh, Rita apo Behgjeti. Për pasuri (materiale) Begja ia kalon Ritës, për pasuri shpirtërore është e kundërta. Që të dy janë simpatikë, varësisht nga këndi i vlerësimit. I bashkon edhe gjuha shqipe. Rita Ora tha se kupton shqip, por se nuk flet shqip. Te Begja është një situatë tjetër; Begja nuk e kupton shqipen, por përpiqet të flasë shqip. Që të dy janë entuziastë.

Rita këndon dhe vallëzon bukur, kurse Begja noton për bukuri në të gjitha ujërat. Rita Ora e ka hapur zemrën, kurse Begja e ka hapur grazhdin në Hajvali. Hashim Thaçi propozoi ndërtimin e rezidencave institucionale në Hajvali, afër vëllamit të tij Begjës, kurse Begja si filantrop (dikush thotë mizantrop) e pranoi duke i ofruar partnerët më të besueshëm në Kosovë për kryerjen e punës, Ganinë dhe Rrahën, kurse financat do të udhëhiqeshin nga Besimi. Si njeri shumë i fjalës, i sinqertë, sidomos gjatë muajit të prillit, koordinator do të ishte Hoxha i Suharekës. Njerëz më të besueshëm, më të sinqertë, më të drejtë dhe më të fjalës nuk i gjeni sot në Kosovë. Pastaj, këta kanë përkrahje politike; të AKR-së dhe PDK-së. LDK-ja paloset si gjithherë. Lista serbe edhe ashtu është pjesë e lojës. Vetëvendosja ka kaluar në tarikatin e bektashinjve.

Shqiptari Rama dhe kosovari Dulla: Kur Edi Rama ia bënte 8 me 2 Vuçiqit në Beograd i këndonin të gjithë, madje edhe këngëtarja e përmasave ndërkombëtare, Linda Morina. Kur Edi Rama flet për bashkim kombëtar reagon Brukseli dhe pinjollja e saj, Serbia. Kur Edi Rama thotë se pas 10 vjetëve shqiptarët mund ta kenë një president të përbashkët reagojnë Vuçiqi, Daçiqi, Vulini, Imer Mushkolaj, Brukseli dhe Behlul Beqaj dhe patriotët e tjerë kosovarë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen. Po thonë se Edi Rama po i bie çiftelisë patriotike me plis të bardhë në kokë. Janë mësuar ta luajnë dhe ruajnë shiri kollën dhe shajkaçën, me shlivovicë në dorë.

Edi Rama bëri mirë që e tha atë që e tha në Prishtinë dhe do të bënte shumë keq po mos ta thoshte këtë. BE-ja ia miklon koqet shovinistit Vuçiq që gjithmonë flet dhe angazhohet për Serbinë e Madhe duke e bërë Kosovën edhe më të vogël, ndërsa e kritikon Ramën që flet për një të drejtë natyrore që e ka shkruar edhe Zoti, e drejtën e bashkimit kombëtar të një populli që është ndarë dhunshëm dhe që po dhunohet edhe sot duke ia mohuar këtë të drejtë. Bashkimi është i pashmangshëm, proces që nuk ndalet dhe nuk jemi ne ata që e vendosim. Mund ta ngadalësojmë procesin, por jo edhe ta ndalim.

Të gjithë, ndërkombëtarët në radhë të parë, thonë se veriu i Kosovës sundohet nga krimi i organizuar dhe Serbia, por nuk lejojnë që Kosova ta shtrijë autoritetin atje. Do të pyeteni pse! Shumë shpejt do ta merrni vesh! Doli qesharak Dulla në përpjekje që përmes kritikave të Ramës të fuqizohet politikisht. Është rregull i shkruar dhe i pashkruar se ai që gjuan miza, nuk mund të gjuajë edhe shqiponja. Dulla është gjuetar i mizave. Kaq!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autori i golit të parë në ndeshjen Chelsea-Barcelona, Willian ka…