Demarkacioni “vuloset” nga Lista Serbe
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar ndonjë datë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Një seancë e tillë ishte paralajmëruar për ditën e diel, por ajo është shtyrë për një ditë tjetër.
Aktualisht, për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, vullnetin e kanë shprehur partitë shqiptare në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate.
Lista Serbe, si partner i koalicionit qeverisës, ende nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur qëndrimin e saj, pavarësisht se deputeti i këtij subjekti parlamentar, Igor Simiq, u ka thënë medieve në Serbi, se “së pari duhet të zgjidhet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e pastaj të tjerat”.
Nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është shprehur për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, por kundër saj mbetet Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se paralajmërimi i seancës së jashtëzakonshme për të dielën ka qenë rezultat i vullnetit të mirë, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe të Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq. Por, sipas tij, përgatitja e seancës së jashtëzakonshme do më tepër kohë dhe konsulta me grupet parlamentare.
“Duhet një konsultë me të gjithë deputetët. Pra, nuk është vetëm Lista Serbe, duhet konsultuar me të gjitha grupet parlamentare me kujdes. Do t’i ndërmarrim të gjitha procedurat dhe përgatitjet. Kemi humbur gati tri vjet kohë. Nëse na shkon edhe një javë, pra duhet të kemi kujdes në përgatitjen e seancës, por nuk ka kthim prapa. Kemi hyrë në drejtim të mirë, jemi përgjegjës, mund të na duhet edhe ndonjë ditë dhe shpresojmë që do ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, të Listës Serbe, Vetëvendosjes, e çdo deputeti të Kuvendit sepse është një moment që të jemi të gjithë bashkë”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Slavko Simiq, nuk ka sqaruar se cili është pozicioni i këtij subjekti parlamentar lidhur me çështjen e demarkacionit.
“Nesër do të shohim se çfarë dhe si do të jetë. Nuk e di”, ka thënë Simiq.
Për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nevojiten së paku 80 vota nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.
Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se marrë parasysh qëndrimin kundër kësaj marrëveshjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, për arritjen e këtij numri të votave, nevojiten ato të deputetëve të Listës Serbe.
“Varet prej Listës Serbe edhe prej udhëzimeve të Beogradit. Unë mendoj që presidentit (Aleksandër) Vuçiq do t’i bëhet presion ndërkombëtar që Lista Serbe të jetë konstruktive, që është partner i koalicionit dhe Demarkacioni të kalojë. Me kalimin e Demarkacionit hapet rruga që në institucionet evropiane në mars të kalojë çështja e liberalizimit të vizave sepse raporti është pozitiv dhe që kosovarët, këtë vit, nëse jo në qershor, atëherë në shtator, të udhëtojnë pa viza”, ka thënë politologu Tahiri.
Por, edhe në rast se gjatë kësaj jave Kuvendi eventualisht e arrin ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, cilat janë mundësitë e arritjes së afateve kohore për të hyrë në agjendën e institucioneve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjatë këtij viti të arrihet një rezultat konkret lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën?
Ministrja e Integrimeve Evropiane e Qeverisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka theksuar se këto gjasa janë mjaft reale, në rast se Kuvendi gjatë kësaj jave e ratifikon Marrëveshjen për demarkacionin.
“Po themi kushtimisht këtë javë ratifikohet Demarkacioni, ne me këtë e dorëzojmë raportin edhe me çështjen e ratifikimit, pra, por edhe për kushtin e dytë se ku jemi, pasi është një kusht që në vazhdimësi duhet plotësuar. E dorëzojmë raportin, pastaj që të mund të arrijmë afatin për futje në agjendë, për mbledhjen e parë që mbahet në javën e parë të marsit, po mendoj për mbledhjen e Këshillit (të Evropës), e pastaj në Komisionin e jashtëm i Parlamentit të Evropës. Të gjitha këto janë një sërë mekanizmash, të cilat pastaj duhet të japin vendimin e vetë dhe opinionin e tyre”, ka thënë Hoxha.
Kushti i cili në vazhdimësi duhet plotësuar, për të cilin flet ministrja Hoxha, është sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministrja Hoxha ka theksuar se në vitin 2015, lidhur me këtë kusht, Kosova ka qenë pozitivisht e vlerësuar dhe trendi i njëjtë i përparimit në këtë fushë, sipas saj ka vazhduar.
Ajo shfaq besimin se Këshilli i Evropës, e më pas edhe Komisioni Evropian do ta gjykojë drejt plotësimin e kushteve nga Kosova për marrjen e liberalizimit të vizave.
Në rast se plotësimi i kushteve nga Kosova vlerësohet pozitivisht, atëherë qytetarët e Kosovës, pritet që në qershor ose në shtator të këtij viti, ta marrin dritën e gjelbër për liberalizim vizash .