Demaskimi i antishqiptarit, biografit të Titos, V. Dedierit nga heroi Afrim Zhitia
Duke njohur thellësisht mendësinë serbe, si dhe rrjedhat politike e ekonomike, heroi Afrim Zhitia e ka të lehtë t’i heqë maskën demagogjisë.
Demaskimi i V. Dedierit
Këto ditë, opinionit publik i është bërë i njohur propozimi i publicistit V. Dedier, drejtuar Gjykatës së Raselit, për të “ekzaminuar” pozitën e punëtorëve jugosllavë (josllovenë) që punojnë në Slloveni. Dedieri akuzon Slloveninë për “getoizimin” e punëtorëve josllovenë, për “asimilim” të tyre, dhe për “kufizim të lirive fetare” për shkak të “mungesës së institucioneve fetare”.
Opinioni slloven reagoi ashpër ndaj kërkesës së V. Dedierit, duke i quajtur këto shpifje ndaj popullit slloven dhe duke propozuar që Gjykata e Raselit të dërgojë një delegacion për t’u njohur nga afër me gjendjen reale.
Kundër kësaj kërkese të Dedierit reagoi edhe një grup prej 230 shqiptarësh që punojnë dhe jetojnë në Slloveni. Duke iu drejtuar Dedierit, ata deklaruan mes të tjerash:
“Ne shqiptarët, që jetojmë dhe punojmë në Slloveni, nuk i lejojmë Dedierit dhe përfaqësuesve të tjerë të politikës përçarëse që të flasin në emrin tonë,” duke e quajtur veprimin e tij “pjesë të politikës që kërkon hapësira të reja dhe udhëheqës të dobët për të vazhduar me ‘revolucionin antiburokratik’”.
Ata theksuan se Dedieri, si kryetar i Gjykatës së Raselit, po i shërben politikës përçarëse mes kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, duke i kujtuar atyre shembullin e akademikut Vasa Çubrilloviq. Për më tepër, ata propozuan që Gjykata e Raselit të njihet me gjendjen e shqiptarëve në Kosovë.
Për kujtesë: V. Dedieri, përmes lidhjeve të tij në Gjykatën e Raselit, ka inicuar më parë çështjen e serbomalazezëve në Kosovë, duke akuzuar shqiptarët për gjenocid të supozuar ndaj tyre. Mirëpo, ky gjyq nuk i pranoi këto shpifje të tij.
Shqiptarët i kujtojnë Dedierit se vetëm gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore janë vrarë mbi 45.000 shqiptarë në Kosovë; se gjatë Aksionit të Armëve janë vrarë mizorisht 130 dhe janë torturuar qindra e mijëra të tjerë. Nën presionin e politikës serbe, mbi 25.000 shqiptarë janë shpërngulur drejt Turqisë; kohët e fundit, mbi 200.000 shqiptarë janë shpërngulur në SHBA dhe në Evropën Perëndimore për shkak të të njëjtit presion, dhe gjatë tetë viteve të fundit mbi gjysmë milioni shqiptarë janë burgosur, kaluar në duart e UDB-së ose janë izoluar. Vetëm gjatë kësaj pranvere, janë vrarë më shumë se 100 shqiptarë, përfshirë fëmijë dhe pleq.
Siç shihet, regjimi i Beogradit vazhdon përpjekjet për të përgatitur terrenin për sulme ndaj lirisë së popujve të tjerë të federatës, këtë herë ndaj popullit slloven. Për këtë qëllim, ka shfrytëzuar ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të M. Gjillasit, antishqiptarin dhe antikomunistin e njohur V. Dedierin, i cili, sa u përket shqiptarëve, është i mirëinformuar për të gjitha krimet e kryera ndaj tyre, duke qenë se si biograf i Titos dhe historian zyrtar, ka pasur qasje në dokumentet më sekrete shtetërore.