Demaskimi i terrorit policor – “Dhjetë vjet dhune nën terrorin serb: 1989-1999”

04 nëntor 2021 | 15:13

RECESION PËR LIBRIN E AUTORIT ISMAIL REXHEPI

Ismail Rexhepi ishte dhe mbetet një prej gazetarëve më të mirë, i devotshëm, i guximshëm e me vizion që kishte dhe vazhdon ta ketë Lipjani. Autori i këtij libri na ka befasuar me këtë zhanër të shkrimit, që lexuesi ynë nuk është se ka takuar shpesh, për të mos thënë fare libra të tillë, ku përmblidhen shkrimet, foto reportazhet, intervistat e kronikat për ngjarjet me të cilat shqiptarët u ballafaquan për 10 vite që autori i ka përfshi në përmbledhjen e tij.

Gazetari, ka ruajtur në arkivin e tij shtëpiak, shumicën nga shkrimet, raportet, reportazhet, fejtonet, intervistat dhe fotografitë nga ngjarjet e viteve 1989-1999. Këto ngjarje sipas memories tonë por edhe sipas shkrimeve origjinale të bëra në vitet e shtypjes, diskriminimit racor, shovenizmit dhe aparteidit serb mbi shqiptarët, janë përmbledhur dhe renditur për mrekulli nga shkrimtari në librin e tij që po promovohet në vitin e festimit të 20 vjetorit të lirisë së popullit shqiptar dhe çlirimit të Kosovës.

Dekada për të cilën Rexhepi është i fokusuar në librin e tij, por edhe ngjarjet që na ka rikujtuar, janë vitet ma të rënda, më sfiduese por edhe të krenarisë dhe fitores së madhe të UÇK-së dhe Aleancës Veri atlantike të NATO-s, kundër trupave militare e paramilitare serbe. Rezultatet e kësaj lufte janë fitorja, liria dhe largimi i armikut shekullor nga trojet shqiptare të okupuara për një shekull nga Serbia.

Kosovës dhe popullit shqiptar për të ardhur deri te kjo ditë ju ka dashtë të kaloj nëpër shumë sfida, trauma e katrahura. Përpjekjet për liri nuk mund të përfshihen vetëm në këtë periudhë për të cilën autori ka shkruar, apo i ka përmbledhur shkrimet e tij nga periudha 1989/99. Rezistenca dhe reagimi ma i madh i shqiptarëve kundër soldateskës serbe kishte filluar me disa ngjarje të cilat lidhen me vitin 1989, duke filluar me: Grevën dhe ngujimin e minatorëve të Trepçës në galeri, pastaj solidarizimin e të gjithë minatorëve tjerë të Magurës, Strezovcit, Kishnices, Artanës e Babushit të Muhaxherëve. Kjo ngjarje e madhe që konsiderohet edhe si flijim e revolucion, ishte mbuluar mediatikisht nga shumë media e gazeta evropiane e botërore. Raportime kishte edhe nga mediat elektronike dhe të shkruara si: RTP, Rilindja, Zëri i Rinisë, Bota e Re e ndonjë medium tjetër vendor që ekzistonte në ato kohë. Raportimet nga Lipjani atë kohë i kishte bërë edhe Ismail Rexhepi i cili ishte gazetar i Rilindjes.

Ngjarjet që pasuan ishin të tmerrshme, represioni serb mbi gjithçka shqiptare ishte rritur e intensifikuar, shqiptarët nuk rrinin duarkryq, u formua partia e parë politike demokratike në ish Jugosllavi. Intelektualët shqiptar u organizuan, kanë nënshkruar edhe shumë peticione derisa një ditë në nëntorin e vitit 1989, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës ishte vendosur të formohet Këshilli  Iniciues për formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fund viti 1989 si dhe viti 1990, karakterizohen si vitet ma intensive të intensifikimit të lëvizjeve më aktive të shqiptarëve. Shqiptarët këtu filluan të radikalizohen dhe të ndërmarrin hapa ma konkret e radikal për të mbrojtur të drejtat e tyre për jetë, punë, shkollim, liri e vetëvendosje. Ismaili është aktivizuar në përcjellje dhe raportim nga të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Lipjan duke përfshi këtu: Largimin e nxënësve shqiptar nga shkollat e tyre, formimin e degës së LDK-së në Lipjan dhe në të gjitha vendbanimet tjera të komunës, formimin e Sindikatave të pavarura në ndërmarrje shoqërore e nëpër shkolla, Referendumin popullor për Kosovën njësi konstituive të ish Jugosllavisë, Kushtetutën e Kaçanikut, formimin e Qeverisë së përkohshme në ekzil, formimin e shoqatës Nëna Terezë, formimin e Këshillave komunale për Arsim, Shëndetësi, Financim, çarmatosjen, protestat, demonstratat dhe manifestime tjera qytetare që kundërshtonin okupimin serb mbi Kosovën.

Gazetari ka mbuluar edhe ngjarje të tjera si ishin: Mbyllja e Televizionit të Prishtinës me 1990, ngjarjet e Prekazit të Ulët në dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të dytë pas Tahir Mehajt, që në vitin 1981 kishte mbrojtur pragun e shtëpisë nga hordhitë barbare serbe. Tahir Mehaj kishte arritur të vriste 5 milic, e duke i plagosur edhe disa të tjerë nga rrethimi që ishte bërë atij në kullën e tij. Tani edhe njëherë tentohej të sulmohej epiqendra e fillimit të rezistencës me armë e Prekazit legjendar. Milicia serbe kishte rrethuar kullën e Shaban Jasharit, ku po bëheshin përgatitjet e para për rezistencë të armatosur, apo po fillonin celulat e formimit të UÇK-së për ta çliruar Kosovën me luftë.

Publicisti, gazetari, aktivisti politik Ismail Rexhepi ka shkruar kronika, reportazhe, artikuj, kolumne e fejtone për gazetën ditore Rilindja, kjo kishte ndodhur deri në momentin e mbylljes së pallatit të shtypit apo gazetës me të cilën identifikohej shtypi Kosovar. Mbyllja e Rilindjes ishte edhe një atak tjetër i madh kundër shqiptarëve. Gazetarët nuk qëndruan duarkryq, u organizuan dhe shpejt filluan me botimin e gazetës ditore Bujku, me format e dizajn thuajse të njëjtë me Rilindjen përveç emrit që ishte tjetër. Rexhepi ka vazhduar punën e tij për raportim dhe mbulim të ngjarjeve nga tereni i Lipjanit, por që ky nuk iu është përmbajtur komplet detyrës së tij për të shkruar vetëm për këtë komunë, por ka dal shpesh edhe në komunat tjera dhe ka raportuar për ngjarje të interesat qytetar edhe për komunat tjera.

Lipjani me vendbanimet e saja ishte njëra prej komunave që po pësonte shumë nga regjimi, kjo për faktin se faktori politik serb, por edhe popullata serbe ishte shumë nacionaliste e shoviniste. Ngjarjet goxha të rënda që kishin ndodhur, gazetari i kishte raportuar që të gjitha jo vetëm në gazetën Bujku por edhe në gazeta tjera periodike që botoheshin në Kosovë. Represion i paparë po bëhej mbi popullatën e pambrojtur shqiptare, ky po raportonte për të gjitha ngjarjet, shpesh edhe nën kërcënim dhe kanosje nga milicia serbe, raportimet ishin të sakta, të shpejta e pa ndërprerje duke përshkruar represionin mbi popullatën, nxënësit, arsimtarët, shkollat e politikën e Lipjanit.

Gazetari Rexhepi ka grumbulluar shumicën nga shkrimet dhe fotografitë autentike të tij, të cilat i kishte botuar në shtypin e kohës, por edhe i kishte raportuar në institucionet paralele shqiptare të cilat po i kundërviheshin pushtuesit serb. Publicisti përveç shkrimeve të tija të botuara në Rilindje dhe në Bujku, ai dërgonte informata mbi reprezaljet që pushtuesi bënte mbi popullatën dhe aktivistët politik, arsimin, shëndetësinë, gjendjes sociale, kulturës, rinisë e sportit, ndihmave solidare e humanitetit, për të gjitha këto shkrime ai ishte kërcënuar dhe shpesh e ishte thirr në biseda informative ku kërkonin nga ky që të mos raportonte e punonte për armikun e irridentën, si ata i quanin institucionet paralele shqiptare. Shkrimet zakonisht shkonin edhe në adresë të KMDLNJ-së, QIK-ut, OSBE-së, LDK-së etj.

Në librin e autorit me titull: DEMASKIMI I TERRORIT SERB, “Dhjetë vjet dhune nën terrorin serb 1989-1999”, gjejmë temat si:

  • Greva e Minatorëve të Trepçës dhe minatorëve tjerë të minierave, ku kishte edhe minator e miniera të shumta nga Lipjani, viti 1989.
  • Formimi i subjektit të parë politik në ish Jugosllavi, formimi i LDK-së, viti 1989.
  • Shfuqizimi i autonomisë së KSAK,
  • Ndryshimet kushtetuese-suprimimi i autonomisë me 23.03.1989,
  • Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, fillimi i vitit 1989,
  • Mitingjet e S. Millosheviqit në F. Kosovë e Gazimestan.
  • Mbyllja e TVP-së,
  • Mbyllja e gazetës Rilindja,
  • Largimi i punëtorëve shqiptar nga puna pas grevës së sindikatës me 3 shtator 1990,
  • Largimi i nxënësve nga shkollat e mesme, shkolla fillore e Lipjanit dhe e Janjevës,
  • Ndalja e financimit të arsimit,
  • Largimi i 2000 mjekëve nga sistemi shëndetësor i Kosovës,
  • Mbyllja e Universitetit,
  • Shuarja e të gjitha organeve krahinore, komunale dhe institucionet tjera.
  • Mbyllja e institutit të historisë dhe Akademisë së shkencave,
  • Vendosja e masave të dhunshme dhe largimi i punëtorëve nga të gjitha ndërmarrjet shoqërore, ish organizatat e punës së bashkuar.
  • Helmimi i nxënësve shqiptar me gazra kimike,
  • Aksioni i vazhdueshëm për grumbullim të armëve,
  • Burgosjet masive të aktivistëve politik dhe grupeve të organizuara ilegale të cilat arrihej të dekonspiroheshin e të burgoseshin me qindra e mijëra vite burgim.
  • Ka pasur edhe shumë ngjarje të tjera ku është shprehur hapur dhuna, diskriminimi, segregacioni e aparteidi mbi popullatën shumicë të shqiptarëve.

Autori të gjitha këto ngjarje i ka përshkruar të shoqëruara edhe me fotografi autentike të shkrepura nga aparati i tij profesional të cilin z.Rexhepi e kishte si mjet pune dhe gjithnjë e kemi pare rrugëve të Lipjanit e kudo që ai ka shkuar. Aparati i varur në qafën e tij, që në një fare mënyre edhe e simbolizonte portretin e autorit të kësaj përmbledhjeje të shkrimeve që rezulton të jetë i rrallë në bibliografinë e vendit tone.

Në fund të këtij opinion, recensioni apo analize të këtij botimi, urojmë z.Rexhepin për librin, por edhe inkurajojmë lexuesin që ta pasuroj bibliotekën e tij personale, gjithashtu shkollat e Lipjanit do të ishte e dëshirueshme që të pajisen me disa ekzemplar për bibliotekat shkollore. Kjo do të ishte e mire për gjeneratat e reja, nxënësit tone që ata ti lexojnë këto shkrime,  nga ku do të mësojnë disa gjëra nga historia e prindërve dhe paraardhësve të tyre. Gjeneratat e reja kanë obligim dhe ju duhet shumë atyre që të mësojnë për terrorin, tmerrin e përjetuar të shqiptarëve për 10 vite të okupimit e luftës së UÇK-së 1989/99.

Përgatitur nga: Selatin Retkoceri

Ismail Rexhepi

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është therur me thikë të enjten në qendër…