Demhasaj i AAK-së: Për çdo pushtet abuzues, mediet e lira janë një problem i madh
Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, ka reaguar ndaj paralajmërimeve për shkarkimin e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).
Demhasaj, i cili garon në listën e AAK-së me numrin 35 ka thënë se për çdo pushtet abuzues, mediat e lira janë një problem i madh.
“Për çdo pushtet abuzues, mediat e lira janë një problem i madh. Prandaj, përpjekja për të vënë dorë mbi mediat e lira është një tendencë e njohur nga pushtetet abuzuese. Natyrisht, këto veprime nuk bëhen menjëherë. Ato nisin ngadalë, si p.sh., me shkarkimin e paligjshëm të një Kryetari të KPM-së, për t’i hapur rrugë emërimeve politike në një nga mekanizmat e pavarur për rregullimin e fushës mediatike. Pikërisht kjo është ajo që është paralajmëruar të ndodhë sot me shkarkimin e paligjshëm të kryetarit të KPM-së, Jeton Mehmeti. Veprime të tilla dashakeqe duhet të gjejnë përgjigje, prandaj ne mbështesim plotësisht pavarësinë dhe legalitetin e procedurave të KPM-së dhe dënojmë çdo tendencë apo përpjekje për ta vënë këtë institucion të pavarur nën kthetrat e pushtetit”, ka shkruar Demhasaj në “Facebook”.