Demi: Janë tërhequr 197 milionë euro nga 10 përqindëshi në Trust, aplikuan rreth 425 mijë kontribuues

31 mars 2021 | 13:46

Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Jeton Demi,  ka thënë se janë tërhequr 197 milionë euro nga aplikimi për 10 përqindëshin në Trust.

Demi tregoi se numri i atyre që kanë aplikuar për ta shfrytëzuar këtë të drejtë është rreth 425 mijë kontribuues. “Për 425 mijë kontribuues janë tërhequr 197 milionë euro për 10 përqindëshin. Është pak a shumë brenda kufijve që kemi pritur, ku maksimumi i tërheqjes së parashikuar ka qenë 200 milionë euro”, ka dekalruar ai.

Siaps tij, totali i atyre që i kanë tërhequr këto mjete është 66 për qind.

“Në total ata që kanë pasur mundësi që ta tërheqin 10 përqindëshin është 644 mijë e 582 llogari. Nga këto llogari, 424 mijë e 542 e kanë kryer tërheqjen, që në total i bie rreth 66 për qind”, ka thënë Demi për “Telegrafin”.

Sipas Demit, kategoria që ka bërë tërheqjen më të madhe në përqindje ka qenë shuma deri në 1,000 euro. “Kategoria që ka bërë tërheqjen më të madhe në përqindje ka qenë shuma deri në 1,000 euro me 97.2 për qind. Të gjitha shumat mbi 500 euro janë mbi 90 për qind. Pra, deri në 500 euro janë mbi 94 për qind, deri në 2,000 euro janë 94 për qind, deri në 4,000 euro janë 91.8 për qind dhe 4,000 euro janë 91.4 për qind. Mesatarisht për bilancet mbi 500 euro kemi mesatarisht 94 për qind e kontribuuesve që e kanë shfrytëzuar të drejtën për tërheqje, gjë që është nivel i lartë, pra tregon nevojë të qytetarëve për financa për të kryer nevojat që ata kanë dhe faktin që pandemia COVID-19 i ka goditur”, u shpreh Demi.

Ai më tutje ka thënë se vetëm ditën e parë kanë aplikuar gjysma e kontribuuesve. “Vetëm për 9 orë kanë aplikuar më shumë se gjysma e të gjithë kontribuuesve që kanë aplikuar deri më tani. Në ditën e parë kemi pasur 220 mijë aplikime dhe për të gjithë periudhën tjetër janë rreth 205 mijë aplikime. Andaj, në total janë rreth 425 mijë aplikime, prej momentit kur është hapur deri më 23 mars 2021. Volumi i aplikimeve, pas muajit dhjetor 2020 ka qenë shumë i ulët. Në përgjithësi, procesi nuk ka pasur vështirësi teknike, përveç ditës së parë, ankesa dhe çështje të aplikimit që ndërlidhen me Trustin nuk ka pasur, por kanë qenë probleme teknike që kontribuuesit kanë pasur me bankat ose me parakushtet ligjore në kuptimin që duhet të kishte një llogari bankare aktive”, tregoi ai.

Demi bënë thirrje për të gjithë ata që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që të aplikojnë deri më 6 prill. “Procesi mbyllet më 6 prill, sikurse është paraparë në Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia Covid-19, prandaj i’u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk kanë aplikuar e dëshirojnë që të aplikojnë, ta shfrytëzojnë afatin kohor, ku pas kësaj date nuk do të jetë e mundur të aplikohet”, ka deklaruar Demi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka…