Dëmi që i është bërë sektorit të shëndetësisë nga qeveria Kurti, rreth 25 milionë euro
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se për shkak të mosaprovimit të Ligjit të pagave në Kosovë, janë shkaktuar shumë dëme në sektorin e shëndetësisë.
Ai ka thënë se qeveria Kurti padrejtësisht po i mban paratë e mjekëve, infermierëve, farmacistëve e drejtuesve tash e një vit, përfshirë edhe inflacionin dhe shtesën e obligueshme vjetore e që dëmi sipas tij është rreth 25 milion euro.
“A e dini sa i madh është dëmi që i është shkaktuar personelit shëndetësor në Kosovë, për shkak të mosaprovimit të Ligjit të pagave? Dje e kam paraqitur para jush vetëm dëmin e shkaktuar ndaj mjekëve specialistë, e sot për mbarë personelin shëndetësor. Dëmi që i është bërë sektorit të Shëndetësisë nga Qeveria Kurti, e cila padrejtësisht po i mban paratë e mjekëve, infermierëve, farmacistëve e drejtuesve tash e një vit, përfshirë edhe inflacionin dhe shtesën e obligueshme vjetore është rreth 25 milion euro. Nesër do të paraqes dëmin e shkaktuar Policisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.