Demokraci Plus: Komuna e Prishtinës shkeli Ligjin e Prokurimit Publik në kontratën 12 milionëshe për shërbimin “Arkitekti i qytetit”
Përmes konferencës për medie Demokraci Plus (D+) ka prezantuar gjetjet e hulumtimit rreth kontratës “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.
Gjatë prezantimit u theksua se Komuna e Prishtinës ka shkelur ligjin në kontratën 12 milionëshe për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, duke caktuar në komision të vlerësimit të ofertave një person i cili nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës.
Ardit Dragusha, hulumtues në Demokraci Plus, ka theksuar se ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit. “Anëtari i komisionit për vlerësimin e tenderëve, z. Kreshnik Ferizi, nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës, duke qenë se kontrata e tij me Komunën e Prishtinës kishte përfunduar me datën 31.12.2022, konfirmuar nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prishtinës. Komisioni i vlerësimit të tenderit për kontratën ‘Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit’, përfundoi raportin dhe vlerësimin e ofertave me datën 29.05.2023, pesë muaj pas përfundimit të angazhimit të z. Kreshnik Ferizit me Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.
Dragusha ka theksuar se rregullorja e Prokurimit Publik përcakton se autoritetet kontraktues kanë të drejtë të angazhojnë ekspert të jashtëm, në rastet kur kërkohet njohuri dhe ekspertizë e veçantë teknike dhe që ekspertët e tillë nuk janë në dispozicion brenda autoritetit kontraktues.
“Mirëpo, z. Kreshnik Ferizi, nuk ishte as i angazhuar as si ekspert i jashtëm në kohën kur mori pjesë në komisionin për vlerësimin e ofertave për këtë tender”, ka thënë ai.
Sipas Demokraci Plus, përveç pjesëmarrjes së paligjshme në komision të vlerësimit të tenderit, ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit, duke qenë se grupi i operatorëve ekonomikë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit (Ardi CC L.L.C; Anarch Sh.P.K) të cilët u shpallën fitues nga komisioni vlerësues ku anëtar ishte Kreshnik Ferizi, ofertuan me dokumentacion, ku vetë Kreshnik Ferizi figuronte si bashkëpunëtor i kompanisë “Anarch Sh.P.K”.
“Bazuar në këto të dhëna, D+ i bën thirrje Komunës së Prishtinës të bëjë anulimin e kësaj kontrate, si dhe prokurorisë të ndërmarrë veprime për të hetuar të gjitha aspektet e këtij aktiviteti të prokurimit, duke përfshirë procesin e vlerësimit, kriteret e përzgjedhjes dhe çdo konflikt të mundshëm interesi. Garantimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në këtë çështje është thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut”, ka thënë Dragusha.