Demokraci Plus thotë se “Termokos”-i bëri disa shkelje në tenderin me vlerë 2.4 milionë euro
Ndërmarrja publike “Termokos” hapi tenderin për ndërtimin e objektit të ri administrativ në vlerë të parashikuar të kontratës 2.2 milionë euro, duke kërkuar nga operatorët ekonomikë që të jenë të pajisur me certifikatën OHSAS 18001.
Demokraci Plus (D+) ka theksuar se ky autoritet kontraktues refuzoi kërkesën e operatorëve ekonomikë për largimin e këtij kriteri, duke thënë se të gjitha kompanitë mund të pajisjen me këtë certifikatë.
“OHSAS 18001, ishte një standard britanik për sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë, i cili ishte publikuar jashtë kornizës së Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (International Organization for Standardization). Kjo certifikatë ishte e vlefshme deri në vitin 2018, kur u zëvendësua plotësisht me ISO 45001:2018. Kompanitë e certifikuara sipas OHSAS 18001, kishin kohë deri me 31 mars, 2021 të migronin në ISO 45001, datë pas së cilës këto certifikata nuk ishin më të vlefshme”, thuhet në komunikatën e D+.
Më tej theksohet se përveç vendosjes së këtij kriteri, i cili ishte i pamundur të plotësohej, “Termokos” shkurtoi afatin për dorëzimin e ofertave në 20 ditë.
“Nga 99 operatorë që shkarkuan Dosjen e Tenderit, tre dorëzuan oferta, teksa vetëm një u vlerësua se kishte plotësuar kriteret, ofertues me të cilin ‘Termokos’ lidhi kontratë për 2.4 milionë euro, apo 233,753.60 euro më shumë se që ishte vlera e parashikuar”, ka theksuar Demokraci Plus.