“Demokracia në Veprim” anulon misionin e vëzhgimit për zgjedhjet në Podujevë
Rrjeti i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka njoftuar se për shkak të situatës me virusin COVID-19 dhe me qëllim të garantimit të shëndetit të vëzhguesve, ka marrë vendim të anulojë misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.
“Duke qenë se procesi i votimit në thelb është aktivitet publik dhe në të involvohet një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, DnV vlerëson që është e domosdoshme që të merren masat e nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së këtij virusi. Prandaj, DnV kërkon nga Presidenti i vendit, që bazuar edhe në rekomandimet e institucioneve shëndetësore, në bashkëpunim me Qeverinë, partitë politike garuese dhe KQZ-në, të rishqyrtojë vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës”, është bërë me dije në njoftimin për media të “Demokracisë në Veprim”.
/Epoka e re/