‘Demokracia në Veprim’ përcjell procesin zgjedhor në veri me mbi 100 vëzhgues

12 maj 2019 | 16:04

Koalicioni i organizatave joqeveritare vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim (DnV)”, përmes partnerit të saj në Mitrovicën e Veriut, Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), do të jetë e angazhuar në misionin vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që do të mbahen më 19 maj.

Me këtë rast, Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” ka riafirmuar përkushtimin e këtij koalicioni për të siguruar integritetin e zgjedhjeve, për të promovuar fushatë të qetë zgjedhore dhe për t’a informuar publikun në mënyrë të drejtë për ecurinë e procesit.

“Misioni ynë do të kontribuojë në rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes në procesin zgjedhor, përmes vlerësimit tonë të paanshëm dhe objektiv”, ka thënë ai.

Lidhur me planin operacional të vëzhgimit, Srdjan Milojeviq nga ACDC, ka bërë me dije se gjithsej 116 vëzhgues do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

Nëpërmjet vëzhguesve afatgjatë, DnV do të bëjë vëzhgimin e të gjitha aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, e cila do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimeve që pritet të hapen në territorin e katër komunave të veriut të Kosovës. Për më shumë, DnV do të angazhojë edhe ekipe mobile, të cilat do të përcjellin në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, DnV do të përgatisë edhe një raport të detajuar vlerësues të zgjedhjeve, bazuar në të dhënat e vëzhguesve tanë, në linjë me kornizën ligjore të Kosovës dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën dyshimin për falsifikim të mallrave dhe markave tregtare, Dogana…