‘Demokracia Plus’ kërkon zgjatjen e orarit të votimit

05 shkurt 2021 | 15:50

“Demokracia Plus (D+)” i ka rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) një organizim për zhvillimin e zgjedhjeve e 14 shkurtit në kohë të pandemisë.

“D+” ka rekomanduar që të reduktohet numri i komisionerëve dhe vëzhgueseve, për të shmangur grumbullimin e shumë personave brenda hapësirave të mbyllura.

“Zgjatjen e orarit të votimit nga ora 07:00-21:00, për të shpërndarë votuesit në një interval më të gjatë kohor. Të bëhet thirrje që personat mbi moshën 65-vjeçare të votojnë në orët e paradites, kurse të tjerët të cilët nuk e kanë të domosdoshme votimin gjatë paradites, të votojnë pasdite. Në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit tek personat më të vjetër në moshë”.

“Të shtohet numri i qendrave të votimit dhe vendvotimeve me qëllim të reduktimit të votuesve të cilët frekuentojnë këto qendra dhe atyre të cilët presin në radhë për të votuar. Të rregullohet mënyra e votimit për personat e vetë-izoluar, duke i angazhuar ekipet mobile të KQZ-së me përkrahje nga stafi i Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që t’u ofrohet mundësia e barabartë e votimit me personat e tjerë”.

“Vendosja e dezinfektueseve në hyrje dhe dalje të çdo vendvotimi. Vendosja e mburojave plastike në mes të votuesve dhe komisionarëve. Dezinfektimi i objekteve çdo tri orë, si: dorezat e derës së vendvotimit, kabina e votimit, kutia e fletëvotimeve, vulat, spërkatësit për identifikim, tryezat etj.”, ka njoftuar “D+”

Ndërsa për qeverinë, “Demokracia Plus” ka rekomanduar që për të shmangur grumbullimin e personave pas përfundimit të procesit të votimit, të vendoset ora policore në tërë vendin duke filluar nga ora 21:30.

“Kurse për votuesit propozohet mbajtja e maskave gjatë procesit zgjedhor, votuesit duhet të marrin stilolapsin me vete nga shtëpia, për të shmangur kështu prekjen e një objekti nga shumë persona, të evitojnë grumbullimet dhe të respektojnë distancën prej 1.5 metra në pritje për votim”, ka njoftuar “D+”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për muajin…