Demokratët e fajësuan për humbjen e Kamala Harris, George Clooney i zemëruar: Po përdorem si kokë turku!
George Clooney mendon se po përdoret si një “kokë turku” në lojën e fajësimit të dikujt apo disave për humbjen e Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale amerikane përballë Donald Trump dhe po mendon të qëndrojë jashtë politikës.
Ylli 63-vjeçar i Hollivudit e mbështeti fuqimisht Harrisin pasi më parë i tregoi Joe Biden derën e daljes me një shkrim të ashpër në New York Times.
“Unë e dua Joe Biden, por ne kemi nevojë për një kandidat të ri”, ishte titulli i artikullit të tij.
Aktori që atëherë është kritikuar nga demokratët për ndikimin e tij gjatë zgjedhjeve, me disa që argumentojnë se humbja e Harris ishte faji i tij.
Clooney ka mbetur i zhgënjyer dhe i lënduar nga reagimi i ashpër i demokratëve, me ekspertët që thonë se ai nuk e mbështeti menjëherë Harrisin sepse mendonte se demokratët duhej të bënin një hap pas për të peshuar opsionet e tyre.
“George ndjen se reagimi që po merr për humbjen e Kamalas është plotësisht i pajustifikuar”, tha një burim pranë aktorit për DailyMail.
“Ai mendon se është krejtësisht e padrejtë që ata po përpiqen ta bëjnë atë një kok turku për humbjen e saj. Kur ai shkroi shkrimin e tij, George nuk tha ‘Biden nuk është i përshtatshëm për president, zgjidhni Kamala’. Demokratët besuan Kamalan dhe brenda pak ditësh ajo ishte e nominuara. George mendon se ata duhet të kishin bërë një hap prapa dhe të kishin marrë parasysh opsionet e tyre. Kjo është arsyeja pse ai nuk e mbështeti atë menjëherë. Ai ka mbështetur Partinë Demokratike dhe ka investuar kaq shumë kohë dhe para për të, por tani për tani do të bëjë një hap prapa. Ai ndihet shumë i zhgënjyer”, shtoi burimi pranë Clooney.
Aktori kishte shkruar një shkrim në New York Times korrikun e kaluar duke bërë thirrje që Biden të tërhiqej nga gara dhe duke deklaruar: “Ne nuk do të fitojmë në nëntor me këtë president”.
Artikulli u publikua më pak se një muaj pasi Clooney mblodhi 30 milionë dollarë për fushatën e rizgjedhjes së Biden. Javë më vonë, Clooney shprehu mbështetjen e tij për Harris dhe “përpjekjet e saj historike”, ndërsa falënderoi Biden për “shpëtimin e Republikës” duke i dhënë vendin e tij në garë zv/Presidentes.
Por ky veprim është kritikuar nga demokratët, të cilët thanë: “Faji është i gjithi i George Clooney-t”.