Demokratët në rrugë drejt fitores në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA
Rezultatet preliminare jozyrtare të zgjedhjeve për Kongres tregojnë se demokratët në Shtetet e Bashkuara do të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve derisa republikanët do të kenë kontrollin e Senatit.
Rezultati i zgjedhjeve të 6 nëntorit thekson se sa të ndarë janë amerikanët për qeverisjen e tyre si dhe ky rezultat përbën rrezik për dy vjetët e ardhshme të mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një postim në orët e vona të 6 nëntorit, Trump e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve “sukses të jashtëzakonshëm”.
Bazuar në rezultatet preliminare, është parë se demokratët janë në rrugë për të fituar shumicën nëse jo të 23 ulëset e duhura për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve.
Sa i përket Senatit, republikanët kanë fituar të paktën dy ulëse nga demokratët duke fuqizuar kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit.
Ndonëse ka pasur raportime për probleme në disa qendra të votimit, duke përfshirë radhët e gjata dhe mosfunksionimi i skenerëve kompjuterikë, Sekretarja amerikane për Siguri të Brendshme, Kirstjen Nielsen, u ka thënë gazetarëve se nuk ka shenja “ të kompromisit në infrastrukturën e zgjedhjeve kombëtare”.
Aktualisht, republikanët kontrollojnë Senatin me 51 ulëse në krahasim me 47 sa kanë demokratët.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë 235 ulëse në krahasim me 193 sa kanë demokratët.
Kjo i bie që demokratëve u janë dashur edhe 23 ulëse për të fituar kontrollin në këtë trup.