Demokratët publikojnë memorandumin e tyre në hetimet për Rusinë
Demokratët amerikanë kanë publikuar një memorandum të redaktuar, duke sfiduar pretendimet e republikanëve se FBI-ja ka abuzuar me fuqitë mbikëqyrëse të qeverisë, në hetimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte ndaluar më parë publikimin e plotë të këtij dokumenti.
Në dokumentin e demokratëve të publikuar më 24 shkurt, kundërshtohen pretendimet e bëra në dokumentin e shkruar nga republikanët dhe fokusohen shqetësimet afatgjata të FBI-së, për lidhjet e ndihmesave të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Demokratët kanë shkruar se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë, “nuk kanë abuzuar” me procedurat dhe nuk kanë “përmbysur” rregullat qeveritare, kur kanë kërkuar leje nga gjykata për të vëzhguar një anëtar të ekipit të fushatës së Trumpit.
Republikanët në Komitetin e Inteligjencës kanë publikuar memorandumin e tyre më 2 shkurt, duke akuzuar dy organizata të zbatimit të ligjit, se kanë qenë paragjykuese kundër Trumpit dhe kanë fshehur informacion, në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen ruse në politikën amerikane dhe ndonjë lidhje me ekipin e Trumpit.
Dokumenti i republikanëve supozon, se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kanë kërkuar leje për të vëzhguar ndihmësin e fushatës së Trumpit, Carter Page, i cili kishte kontakte të gjera me rusët.
Demokratët kanë thënë se dokumenti në fjalë ka qenë publikim i redaktuar i republikanëve, për të larguar vëmendjen nga hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, raporton “Rel”.
Në dokumentin e publikuar nga demokratët, pretendohet se Page ka qenë cak i rekrutimit nga dy rusë më 2013, të cilët kanë qenë të paditur nga qeveria amerikane.
Ky informacion më pas ishte përdorur nga zbatuesit e ligjit për të marrë leje nga katër gjyqtarë për të vëzhguar Page-in dhe jo ndonjë informacion tjetër nga ndonjë dosje e paverifikuar dhe e paguar pjesërisht nga demokratët, siç kishin pretenduar republikanët në fillim.
Page ka hedhur poshtë këto pretendime. Të paktën pesë persona, duke përfshirë tre ish-ndihmës të Trumpit kanë pranuar fajësinë në hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller, ndonëse akuzat kanë qenë të lidhura në fushën financiare dhe jo drejtpërdrejt supozojnë bashkëpunim me Rusinë.
Në këto hetime janë paditur 13 rusë dhe tri kompani po ashtu ruse.