Demokratët synojnë t’ia kufizojnë Trumpit kompetencat e luftës
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e kontrolluar nga demokratët, pritet të votojë për kufizimin e kompetencave të presidentit Donald Trump, në ndërmarrjen e veprimeve ushtarake kundër Iranit.
Kjo ndodh pasi shumë ligjvënës thanë se nuk janë të kënaqur me shpjegimin që ka ofruar Shtëpia e Bardhë për vrasjen e komandantit ushtarak të Iranit, Qasem Soleimani.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se votimi për rezolutën për kompetenca të luftës do të zhvillohet të enjten.
“Anëtarët e Kongresit kanë shqetësime serioze dhe urgjente ndaj vendimit të administratës për t’u përfshirë në armiqësi me Iranin dhe ndaj mungesës së strategjisë për të vazhduar përpara”, tha Pelosi.
Rezoluta kërkon nga Trumpi që të ndalojë përdorimin e ushtrisë amerikane në apo kundër Iranit, derisa Kongresi nuk shpall luftë apo nuk e miraton autorizimin e forcës kundër Teheranit.
Rezoluta pritet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, por republikanët thonë se dokumenti, i cili nuk ka nevojë për nënshkrimin e presidentit, nuk e ka fuqinë e ligjit.
Republikanët kontrollojnë Senatin dhe rezoluta e tillë do të ketë pak shanse për të kaluar.
Gjykatat federale nuk kanë vendosur kurrë përfundimisht për këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara, me një sulm me dron, e kanë vrarë Soleimanin në Irak, më 3 janar.
Irani i është përgjigjur vrasjes me sulme kundër bazave amerikane në Irak, këtë javë.