Demokratët ulen në gjunjë për 8 minuta e 46 sekonda në nderim të George Floyd
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ata të Senatit, kanë prezantuar një projektligj për të rishqyrtuar kontrollin e policisë në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa orë para një shërbimi përkujtimor për afrikano-amerikanin, George Floyd, i cili ka vdekur teksa ka qenë në mbajtje policore në Mineapolis.
Vdekja e tij ka nxitur një valë të protestave kundër racizmit në gjithë botën.
Duke qëndruar në njërin gju, për tetë minuta dhe 46 sekonda, koha e njëjtë, sipas prokurorëve, sa Floydit i është bërë presion me gju në qafë nga një zyrtar policor para se të vdiste, në njërën prej sallave të Kongresit, ligjvënësit kanë lexuar emrin e Floydit dhe të tjerëve që kanë vdekur gjatë përballjes me zyrtarë policorë.
“Ne nuk mund të pajtohemi për asgjë më pak sesa një ndryshim strukturor transformues”, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Projektligji, që përbën ndryshimin më ambicioz në fushën e zbatimit të ligjit, që është kërkuar në Kongres për vite të tëra, synon t’iu kufizojë zyrtarëve policorë mbrojtjen ligjore, si dhe të krijojë një databazë kombëtare të incidenteve me përdorim të shtuar të dhunës, në mesin e ndryshimeve tjera.
Ky hap është një prej përgjigjeve të shumta në gjithë SHBA-në ndaj vdekjes së Floydit, të cilin familja përgatitet ta varrosë të martën.
Këshilli i qytetit Mineapolis është zotuar për të shpërbërë dhe rikrijuar departamentin e policisë lokale, propozim që është kundërshtuar nga kryetari i qytetit.
Trupit i Floydit është dërguar në Hjuston, vendin e tij të lindjes./oranews.a;/