Demolli: Sadiku e përjetoi rëndë humbjen, nuk ishte në gjendje të mirë emocionale
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku nuk arriti që të futet në zonën e medaljeve në Lojërat Olimpike pasi ajo u mposht nga boksierja kolumbiane Valdes Pana, kategoria në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Kjo humbje, sipas sekretarit të Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ishte e papritur dhe ajo erdhi edhe për shkak të luftës jo korrekte nga ana e rivales së Sadikut. Për “KosovaPress”, Demolli zbuloi se pas humbjes, Sadiku nuk ishte në gjendje të mirë psiqike dhe erdhi në vete vetëm pas disa orësh pushimi.
“Donjeta është zhgënjyer shumë nga vetvetja dhe ka rënë në depresion se si ka mundur të humbas në këtë duel që as në ëndërr nuk e ka parë. Donjeta në Paris ka ardhur vetëm për medalje dhe ajo ka menduar sidomos deri në gjysmëfinale mos të ketë asnjë problem nga kundërshtaret, por kjo ndodh, ky është sport dhe duhet pranuar humbjen si pjesë e sportit, por Donjeta humbjen e pranoi shumë rëndë dhe ishte në gjendje jo të mirë psiqike, aq shumë e përjetoi rëndë sa që iu deshën dy orë për ta marrë veten dhe për t’u stabilizuar”, ka thënë Demolli.
Por, Demolli u shpreh i bindur se Donjeta Sadiku do t’i sjellë Kosovës të tjera medalje evropiane e botërore, derisa theksoi se ajo do ta përfaqësojë Kosovën edhe në olimpiadën e radhës që mbahet pas katër viteve. Përveç Sadikut, pa medalje mbetën edhe xhudistja Nora Gjakova si dhe xhudisti Akil Gjakova, ndërsa me medalje të argjendtë është stolisur Distria Krasniqi.