Demolohet “I love Kosova” në Skenderaj, reagon Bekim Jashari
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas demolimit të instilacionit “I love Kosova”, që ishte vendosur në këtë qytet.
Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ai ka thënë se: Askush nuk mund ta ndalë zhvillimin e qytetit, as ata që përmes veprimeve të tyre, duke ndotur mjedisin e duke shkatërruar pronën publike e parqet po dëshmojnë që fatkeqësisht nuk e duan vendin.
“Miliona Investime në mjedis, në rregullimin e parqeve dhe mirëmbajtjen e tyre kemi bërë dhe po bëjmë në qytetin tonë për qytetarët, për gjeneratat e reja. Qytetarët do të duhej që ato t’i ruanin sepse ato janë për ta dhe për fëmijët e tyre. Këtë ndotje dhe shkatërrim nuk do ta lejojmë, madje do ta gjobitim sipas legjislacionit në fuqi”, thotë Jashari.
Jashari ka njoftuar se, do të instalohen kamerat e sigurisë për t’i identifikuar personat që shkelin ligjin.
“Si komunë, në qytetin tonë kemi filluar me instalimin e kamerave të sigurisë dhe kështu të gjitha ata që ndotin mjedisin apo shkelin ligjin do të identifikohen nga Policia dhe dënimi do t’iu shkojë në shtëpi”, thekson ai.
“Zgjerimi dhe rehabilitimi i sheshit “Adem Jashari”, investimet në parkun “Idriz Rreci”, ndërtimi i çezmës dhe fontanës në këtë park dhe në sheshin “Adem Jashari”, rregullimi i bulevardit në rrugën “Ilaz Kodra”, përfundimi i palestrës sportive, ndërtimi i poligonit multifunksional, ndërtimi i poligonit sportiv në lagjen 2, rehabilitimi i parkut “Amerikan”, ndërtimi i 2 çerdheve në qytetin tonë dhe ndërtimi i objektit multifunksional të dedikuar për muzeun historik, qendrën rinore si dhe bibliotekën e qytetit tonë, bashkë me salla të leximit për të rinjtë tonë janë disa nga investimet që po realizohen e do të realizohen gjatë vitit 2020-2021 e me të cilat do t’i japim pamje të re qytetit tonë historik”, tha më tej.
“Thirrje për të gjithë që të mbrojmë qytetin tonë dhe së bashku ta bëjmë atë siç e meriton dhe siç ëndërruan të parët tonë”, ka shkruar në fund Jashari.