Demonstratat e vitit 1981
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (2)
Shkruan: Bedri Islami
Ali Ahmetin unë e kam njohur fillimisht me emrin “Abaz”, pastaj si “Abaz Gjuka”, më tej me emrin Ali Ahmeti. Ka qenë e natyrshme për kohën. Në ndjenjat e gjata, sidomos pasi të dy u zgjodhëm në udhëheqjen e Lëvizjes, aq sa kemi folur për luftën aq e, ndoshta më tepër, flisnim për librat, filozofinë dhe historinë.
Ne ishim dy miq të cilët kishim kaluar shumë vite në të njëjtën rrugë dhe, si i thonë, kishim ngrënë shumë bukë bashkë. Ali Ahmeti është përgjithësisht njeri i qetë, i pabujë, për të cilin kam shkruar se “gjithë jetën kërkoi luftën dhe, kur e gjeti atë, zgjodhi paqen”.
Nuk e kisha menduar se atë bisedë, të cilën e regjistrova për një libër tjetër, do e risillja. Viti 1981 shënon fillesat e përfshirjes së tij në Lëvizjen Kombëtare, që më pas u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës e ku u përfshimë të dy.
Duhet kuptuar se kjo është një bisedë mes dy miqve. Po shkëpus vetëm një pjesë të saj, e cila lidhet pikërisht me temën e mësipërme.
Unë: – Ka edhe një dukuri tjetër, po ashtu, shumë e veçantë. Mund të jetë një nga tiparet më përdalluese të lëvizjes klandestine çlirimtare: përfshirja në të, jo vetëm e një pjesëtari të një familje, por e të gjithë saj, të gjithë vëllezërit, motrat, prindërit e të afërmit. Kjo nuk ka të bëjë me idenë e fisit, është shumë larg saj. Më tepër se gjithçka, mund të përmblidhet në fjalët se, shpirti i tokës kalon tek njerëzit. Virtyti i vërtetë është i pavetëdijshëm, dhe ne, mund të them lirisht, jemi një popull që nuk na tremb lartësia, por përkulja. Dhe nëse një njeri i yni përkulet, këtë e kemi ndjerë të gjithë. Çfarë duhet bërë aty ku mbaron shteti? Aty ekziston populli. Kemi kështu disa familje në Kosovë, rreth të cilave populli ka gjetur veten. Me emër, të cilat, dashje pa dashje, janë kthyer në shëmbëlltyrë. Janë të njohura tashmë familje të tilla si Jasharët, Haradinajt, Gërvallët, Lladrovcët, Kiçinët, Krasniqët, Selimët, Kelmendët, Xhemajlët, Lushtakët, Kodralinjtë, Ajetët, e Pajazitët. Të gjitha ngjajnë si dinasti të luftës. Mirëpo, vëllazërohen edhe njerëz që nuk kanë lidhje gjaku, bëhen një familje. Më the se Fehmi Lladrovcin e ke njohur edhe në rrugë familjare…
Abazi (Ali Ahmeti): – Të gjithë ne, bacalok, si veprimtarë, disa jemi gjallë, pjesa më e madhe kanë rënë nëpër fronte, na ka njohur situata e vitit 1981, me shpërthimin e protestave. Ajo edhe na ka bashkuar. Aty janë edhe rrënjët e lidhjeve që u krijuan dhe i qëndruan moteve.
Demonstratat e vitit 1981 janë udhëhequr nga grupe të shumta, nuk kishte një qendër të vetme, që të vepronte në mënyrë të prerë, të centralizuar. Inspirohej nga gazetat, si për shembull “Bashkimi”, “Liria”, “Lajmëtari i Lirisë”, “Zëri i Kosovës”. Nuk na interesonte se kush i nxirrte, për ne, të gjitha kanë qenë njësoj. Gazetat kanë qarkulluar tek të gjithë studentët. Futeshin gazetat në palë të librave deri në Bibliotekën Kombëtare, i shpërndanim në konviktet e studentëve. Periudha e vitit 1981 na lidhi në disa rrethe. Me njerëz që nuk i kishim njohur më parë u bëmë vëllezër. Vetë koha ishte e tillë. Në këto grupe ka pasur edhe njerëz të UDB-së, që na i kishte infiltruar. UDB-ja e ka ditur se ne po organizohemi, se diçka po lëviz, por ka qenë e pamundur të ndërpritej vullneti i studentëve për Republikën e Kosovës.
Dikush mendon se lëvizjet kanë qenë thjesht spontane. Ka pasur edhe lëvizje spontane, por, më së shumti, kanë qenë të organizuara. Për shembull, miku ynë i përbashkët, Xhevat Zeka ka qenë i pari që në mensë, me arsyen e rreme se kërkohet ushqim më i mirë, ka filluar të protestojë. Ishte ora gjashtë e mbrëmjes e datës 11 mars,fillimisht jemi kapë për ushqime. Është bërë rrëmujë brenda mensës. Për një minutë, gjithçka ishte e përmbysur. Për një moment i gjithë kati i parë dhe i dytë kemi qenë përjashta. Fillimisht protestuam: “Duam kushte, ushqim më të mirë”. Pastaj kemi dalë në rrugët e Prishtinës. Kur kemi mbërrit para shtëpisë së Xhavit Nimanit, që asokohe ka qenë funksionar i lartë, atje kemi filluar të protestojmë, “Duam Shtet”. Kur kemi hyrë në qendër të Prishtinës, zëri është ngritur më e tashmë parulla ishte: “Kosova punon, Beogradi ndërton”. U grumbulluan edhe njerëz të tjerë, jo studentë. Dolën punëtorë e familjarë, masa u bë e madhe dhe filluam me parulla politike, “Të drejtat duam” e “Duam barazi”.
Marshuam një orë, na shpërndau policia, filluan fjalimet, erdhën profesorët, kërkohej të rrinim urtë. Ne u thoshim se, në Kosovë, ka filluar prej kohe diskriminimi, se nuk ka racizëm vetëm në Afrikën e Jugut, por edhe në Prishtinë. Hipi Pajazit Nushi në tribunë të mbajë fjalim. E gjuajtëm me gurë, sepse nuk e njihnim se kush është. Pajaziti nuk kishte qëllim të keq. E kisha profesor dhe kisha respekt për të. Krejt nata e 11 marsit ishte me debate, me fjalime, por, pasi përfunduam debatet, na shpërndanë me dhunë, duke përdorur gazin lotsjellës. Nuk e dinim se çka ishte, menduam se na vranë të gjithëve.
Prej datës 11 deri më 26 mars kemi mbledhë forcat në vete. Analizuam se çfarë ishte, e u mësuam edhe me gazin lotsjellës. Më 26 u mblodhëm përsëri para konvikteve. Erdhi Azem Vllasi dhe Rektori i Universitetit të asaj kohe. Azem Vllasi ishte i ashpër, cinik, denigrues. Aty ka dalë kërkesa “Kosova Republikë”. E theksoi për herë të parë haptas Gazmend Zajmi. Rektori Zajmi tha se si kërkesë ishte e mirë, por duhen parë hapat dhe koha. Kështu ai na nxiti që të ishim më të vendosur. Më vonë, kam marrë vesh se çështja e republikës ishte diskutuar mes Gazmendit dhe Ukshin Hotit. Ukshini kishte qenë për shumë vite Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i Kosovës, që i binte si rang ministri të jashtëm të Kosovës. Kur dëgjuam rektorin, atëherë filluam edhe një herë: “Duam Republikë”. Erdhi duke u shtuar dhe dikush thirri: “Republikë, Kushtetutë – ja me hatër – ja me luftë”.
Po atë ditë, më 26 mars, vinte edhe ‘Stafeta e Titos’. Kështu quhej. Bëmë sikur nuk e dimë. Një grup shokësh shkoi tek stafeta, me e prishë atë. Të gjitha organizimet ato ditë bëheshin legale, gjithkush e dinte se ku do të shkojmë dhe si do të veprojmë. Ishte si valët e detit, nuk mund t’i ndalje. Na gjuajtën me gaz lotsjellës. Një pjesë na mbyllën në konvikte. Jemi nisë për të dalë në qytet, me i ardhë në ndihmë atyre që ishin caktuar me prishë ‘stafetën e Titos’. Një pjesë kemi mbet në konvikte, na kanë rrethuar. Ne protestonim. Atëherë policia u fut brenda dhe na kanë futë dajak edhe brenda në konvikte. Erdhi sekretari i punëve të brendshme, Mehmet Maliqi, baba i Shkëlzen Maliqit. Filloi edhe ai: “Ju jeni djem të rinj, ju kanë rrejt, jeni të mashtruar”. Na u dha hapësira për më 1 prill e 2 prill. Jemi burgosë një grup shokësh, organizatorë, të tjerët kanë vazhduar.
Kjo është periudha që na ka njohur me të gjitha trevat. Deri atëherë kishte një farë ndarjeje, ishim më shumë lokalë. Mirëpo, pas demonstratave, nuk kishte më, ‘unë jam i kësaj ane e ti je i anës tjetër’.
Në këtë kohë jam njohur edhe me Fehmiun, si rezultat i demonstratave të vitit 1981. Dhe kemi filluar edhe lidhjet familjare. Që nga viti 1982, bacalok, nuk jemi ndarë më. Mund të kalonte një kohë që nuk takoheshim, por lidhjet i mbanim; lidhjet me njëri tjetrin vazhdonin. Unë e dija vendin tim në shtëpinë e Lladrocve. Ishte shtëpia ime, prindërit e tij ishin edhe të mitë. Për herë të fundit kam folur me të dy ditë para se të vritej. Ishte në malet e Çiçavicës, ndërsa unë isha në Zvicër. Të nesërmen e bisedës kam udhëtuar për në Tiranë, ku kam mësuar lajmin e vrasjes së tij dhe të Xhevës. Pastaj, ti e di, të mora në telefon dhe të tregova.
Unë: – Ngjarjet e vitit 1981, në një mënyrë ose në një tjetër, janë gurthemeli i shumëçkaje që do të vijë më vonë në historinë e Kosovës. Veç një gjë nuk ka se si të mos bëjë përshtypje: duke qenë njerëz të fillimit të ri, përgjithësisht studentë, në secilin nga këto idealistë, lind bota; çështjet deri atëherë kanë formë të ngurtësuar, befas ata fillojnë të ziejnë në gjakun e tyre dhe nisin përjetimet, që disa herë janë përvëluese; ata, përgjithësisht, nuk i njohin rrugët e sheshta dhe të shtruara, në çdo rast ata çajnë përmes dhimbjes drejt pakufisë. Gjithsecili, i marrë veçmas, ndien njëlloj, se duhet të jetë ndërtues i një vlere të re e të papërshkueshme. Është një brez kurajoz dhe kurioz në të njëjtën kohë, të gjithë së bashku janë të gatshëm të jenë martirë dhe profetë njëkohësisht. Që këndej lindin miqësi të mëdha, të cilat i rezistojnë kohës, edhe kur ajo rrjedh furishëm, dhe pambarimisht është e mbushur me enigmën e së ardhmes.
Abazi (Ali Ahmeti): – Lidhjet e mia me Fehmiun në veçanti, edhe me shokët e Drenicës në përgjithësi, nuk kanë qenë asnjëherë kalimtare. Kjo është meritë e vitit 1981. Hapësira e Lëvizjes Kombëtare u shtri në të gjithë trevat dhe nuk mund të arrihej pa besim. Kur ti, bacalok, u zgjodhe kryetar i kësaj Lëvizje, pra i Lëvizjes Popullore të Kosovës, e ke parë se në shumë raste shokët, kur duan të saktësojnë diçka si të palëkundshme thonë, ai është i vitit 1981. Pra, si shenjë prove të dhënë. E gjithë kryesia e Organizatës dhe thuajse të gjithë drejtuesit e lartë të UÇK-së e kanë fillesën në vitin 1981 e në vitin 1989.
Unë: – E Shqipëria? Kur u ngritët në mars 1981, ashtu si ndodhi, e menduat Shqipërinë? Abazi (Ali Ahmeti): – Sigurisht. Nuk kishte rrugë tjetër. Ne, të jem i sinqertë, lëvozhgën e kishim marksiste, thelbin e kishim nacionalist. Në vitin 1981, shpresën e kishim në shtetin nanë. Deri sa foli Tirana e kishim zemrën e ngrirë. Ka pasur shokë që kishin lidhje më të drejt për drejta. Sidomos shkalla e lartë e organizimit.
* * *
Viti 1981 mbetet vit themeltar. Atij nuk mund t’i shmangemi dhe mund të shpëtojmë prej tij, edhe sikur të duam. Nuk mund t’i shmangemi as dritës që hodhi ai dhe as hijeve që janë, po ashtu, të pashmangshme, si ndodh me të gjitha ngjarjet e mëdha. Sepse kur ngjarjet, që janë përherë në lëvizje, na shtrojnë një pyetje, ajo pjesë e historisë hulumtuese, që është e saktë, e patundshme, kërkon edhe përgjigjen e saj. “Përmbi absoluten revolucionare, është absolutja njerëzore”, shkruan Viktor Hygo, dhe në vitin 1981 njerëzorja kishte fituar mbi antinjerëzoren.
Është, si të thuash, ndeshja e përhershme e vizionit ndaj dhunës, e së mirës ndaj së keqes, e të përhershmes ndaj përkohshmërisë.
Ishte fillesa, por jo përfundimi. Në vitin 1981 të gjithë e ndjenin veten zotër, por ishin gati të bëheshin martirë. Kishte dishepuj të lirisë, por koha kërkonte që të bëheshin prijës. Ishte një ngjarje e madhërishme dhe kryengritje e fisme, por si të gjitha lavditë, në vitet e mëpasshme, shkaktoi furi të madhe, zhurmë marramendëse dhe re pluhuri.
Është vit i paasgjësueshëm.
Në një intervistë dhënë në burg gazetës “Borba” të datës 24 mars 1989, Adem Demaçi ka thënë: Kryengritja e vitit 1981, po them kryengritje, sepse ajo njëmend ishte e tillë, ka dëshmuar se Lëvizja jonë funksionon sipas principit të miellit dhe ujit. Veprimet e pamenduara të burokracisë nacionale dhe të policisë shtojnë protestat, aktorët e të cilave burgosen, kështu që të tjerët kërkojnë lirimin e tyre dhe kështu me radhë. Mielli dhe uji kthehen në brumë që rritet, dhe mendojini me mijëra të rinj që kanë kaluar nëpër burgje, se cili është përcaktimi i tyre.
Në vitin 1981 në Kosovë ndodhi një kryengritje që zgjoi gjithçka dhe fundosi mitin e shtetit shumëkombësh jugosllav.
Të gjithë donin të ishin në radhët e para.
Në Prishtinën zyrtare mendonin se e keqja u kishte ardhur nga Shqipëria. Ose donin të mendonin kështu. Që kishte pasur një përplasje, kjo është e vërtetë; që secili kishte përdorur armët e veta dhe njerëzit që kishte menduar si të duhurit, edhe kjo ishte e vërtetë.
Më shumë se gjithçka dukej si një përplasje akullnajash, por sa kishte qenë e vërtetë?
Aty ku digjen librat, në fund digjen edhe njerëzit / Heinrich Heine
Pas turbullimit të parë dhe ngurosjes, në Komitetin Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës mbizotëronte mendimi se kishte ngjarë një tentim kundërrevolucioni, që synonte ta përmbyste me dhunë rendin shoqëror, se ngjarjet e vitit 1981 kishin qenë të organizuara, të iniciuara nga Tirana, ku lëvizja studentore dhe Instituti Albanologjik ishin qendra e tyre. (VIJON)