“Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës” (1)
Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë
Prof. Ma. Adem Ademi
Abstrakt
Artikulli “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës”, analizon demonstratat e mars – prillit të vitit 1981, dhe disa procese të zhvillimeve të rëndësishme politike.
Në pjesën e parë jepet një pasqyrë e shkurtër trajtimit të materialeve, vendimeve e disa raporteve periodike nga fusha të ndryshme, rreth çështjes së Kosovës të paraqitura në mbledhjet e dy kryesive të Kosovës.
Në pjesën e dytë trajtohet veprimtaria politike propagandistike e Lëvizjes për Republikë e Kosovës e cila në cilësinë e opozitës shqiptare vepronte në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në përgatitjen e shpërthimit të demonstratave.
Në pjesën e tretë trajtohet kronologjia e zhvillimit të demonstratave të mars – prillit 1981, në Prishtinë, Podujevë dhe disa qytete tjera të Kosovës. Në pjesën e katërt shqyrtohen masat politike, ushtarake dhe masat e organeve të brendshme nga pushtetit totalitar kundër popullit dhe institucioneve kosovare. Në pjesën e katërt analizohet veprimtaria e grupeve dhe organizatave ilegale pas demonstratave kurse bilanci i dhunës, terrorit shtetëror pasqyrohet në pjesën e pestë. Procesi i diferencimit jepet në pjesën e gjashtë.
Hyrje
Demonstratat masive të marsit – prillit në Kosovë në vitet e tetëdhjeta të shekullit të XX, të cilat u organizuan nga Lëvizja për Republikën e Kosovës, ishin shkak i ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelet më larta politike – ushtarake të RSF të Jugosllavisë. Nga 1 prilli deri më 6 maj 1981, çështja e situatës politike në Kosovë është trajtuar në mbledhje të mbyllura në Beograd dhe në Prishtinë, po ashtu edhe komunikimi në mes institucioneve të Beogradit dhe Prishtinës ka qenë tepër intern, kurse menaxhimi i situatës politike në Kosovë është dirigjuar drejtpërdrejt nga Shtabi i Lartë Ushtarak i RSFJ-së, zyrtarët kosovarë kanë zbatuar urdhër vendimet ushtarake me ndihmën e ekipit federativ të instaluar në Prishtinë.
Nga 6 maji në të gjitha nivelet krahinore, republikane dhe federative hapet debati publik rreth çështjes së Kosovës, sinë mbledhjet e Komitetit Krahinor, mbledhjet e KQ të LKJ-së, në mbledhjet e Kuvendi të RSFJ-ë dhe në të gjitha mbledhjet e forumeve tjera politike të Kosovës, Jugosllavisë dhe të RS të Serbisë.
Tema e situatës politike në Kosovë ishte prezentë në kontinuitet në mbledhjet e organeve më të larta politike të Kosovës dhe në të gjitha takimet e mbledhjeve të organizatave të tjera shoqërore që vepronin gjatë periudhës së sistemit komunist.
Këtë më së miri e dëshmon materiali i shumtë arkivor dhe libri i protokollit të mbledhjeve të mbajtura nga dy Kryesitë e Kosovës.
Në dosjen e protokollit zyrtar të Kryesisë së KK të Kosovës, gjendet një listë e gjatë e pikave të rendit të ditës ku janë shqyrtuar një varg temash të ndryshme rreth situatës politike dhe ekonomike në Kosovë pas shpërthimit të demonstratave.
Vend të veçantë në trajtimin e çështjeve të ndryshme politike zënë vend materialet nga mbledhjet e përbashkëta të dy kryesive të Kosovës më 2 prill dhe 1 maj 1981. Në këto mbledhje në rrethana të jashtëzakonshme politike janë miratuar dy pakot e masave politike me urdhër vendim politik – ushtarak të dërguara nga Komanda e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë.
Kurse, pas 6 majit e tutje fillon shqyrtimi dhe zbatimi i konkluzioneve politike të dala nga debatet e gjëra politike nga mbledhjet e Komitetit Qendror të RSFJ-së, në Kuvendi i RSFJ-së, dhe të organeve politike të RS të Serbisë.
Në mbledhjet e përbashkëta të dy kryesive të Kosovës,janë bë analiza të gjithanshme të situatës së përgjithshme politike në Kosovë. Në mbledhje janë paraqitur për shqyrtim materiale e raporte periodike nga fusha të ndryshme si: nga fusha e sigurisë, fusha e arsimit, kulturës, informimit e materiale të tjera të rëndësishme nga mjediset shoqërore të Kosovës.
Raportet me analiza të zgjeruara rreth situatës së brendshme politike në Kosovë janë paraqitur nga sekretari i Sekretariatit Krahinor i Punëve të Brendshme të Kosovës, raportet janë materiale arkivore të rëndësisë së veçantë që sqarojnë shumëçka nga puna e SPB-së të Kosovës dhe e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në ndjekjen, zbulimin e aktivistëve të Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Po ashtu në ato raporte të përgatitura nga SPB, pasqyrohen detaje shumë të rëndësishme të aktivitetit politik të ilegales shqiptare nëpër periudha të ndryshme kohore si: para demonstratave, gjatë demonstratave dhe pas demonstratave.
Raportet periodike me analiza të zgjeruara nga fusha e arsimit të Kosovës të paraqitura nga përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Raportet periodike janë materialet arkivore shumë të vlefshme që pasqyrojnë aksionin politik të LK të Kosovës në Universitetin e Prishtinës. Lidhja Komuniste e Kosovës kishte marrë obligim politik zbatimin e procesit të diferencimit ideo-politik të ideuara nga kuzhina politike e Beogradit që kishte për objektiv kryesor atakimin e elitës intelektuale shqiptare. Faktikisht personeli i Universitetit të Prishtinës, po përjetonte periudhën më të rëndë politike pas kohës së Rankoviqit.
Sekretariati Krahinor i Informatave (ministria e Informimit), gjithashtu ka paraqitur një material të rëndësishëm dhe të zgjeruar me analiza politike nga jehona e demonstratave të Kosovës në shtypin vendor dhe në atë ndërkombëtar. Raportet periodike me analiza nga shkrimet e shtypit është fokusuar në tri drejtime.
Në analizat e botimeve të shtypit jugosllav rreth shkrimeve të temave nga Kosova. Reagimet e shtypit ndërkombëtar rreth ngjarjeve të Kosovës dhe reagimet e shtypit shqiptar rreth situatës politike në Kosovë.
Nga masmediet ndërkombëtare janë analizuar artikujt me tema nga Kosova të botuara nga gazetat dhe agjencitë më të njohura të kohës nga të katër anët e botës. Temat nga Kosova të botuara në shtypin e perëndimit ndahen në: temat e botuara në shtypin perëndimor, në shtypi i lindjes dhe në shtypin e vendeve të painkuadruara.
Ky mal me materiale arkivore shumë të rëndësishme nga fusha të ndryshme politike, arsimore dhe informative të cilat gjinden në Arkivin e Kosovës, ndihmojnë në ndriçimin e ngjarjeve dhe të zhvillimeve shoqërore dhe politike në Kosovë në periudha të ndryshme si: para demonstratave, gjatë demonstratave dhe pas demonstratave të mars – prillit 1981.
Veprimtaria e ilegales 1974 – 1981
Komiteti Krahinor në shqyrtimin e shkaqeve të shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, ka dhënë vlerësimet politike të bazuara në informacione zyrtare që i ka paraqitur Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme të Kosovës. Në vlerësimin e tyre politik thuhet se: “…Të gjitha analizat, vlerësimet dhe njohuritë e deritanishme që kemi shpijnë në konkluzionin:
– Se armiku nga pozicionet e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar është mirë organizuar në krahinën tonë e më gjerë.
– Se armiku ka vepruar nga këto pozicione në mënyrë të organizuar për një periudhë të gjatë: në indoktrinimin e njerëzve, në planin psikologjik-propagandistik, në organizimin dhe paraqitjen e demonstratave armiqësore me përmasa të gjera në disa vende të Krahinës”.
Në konkluzionet e KQ i LK të Jugosllavisë arrihet i njëjti vlerësim i përafërt politik: Aksionet kundërrevolucionare në Kosovë janë vazhdim logjik i veprimit kontinuitiv dhe të organizuar nga pozitat armiqësore. Forumet e larta politike të RSFJ-së, janë informuar periodikisht rreth aktivitetit politik të ilegales shqiptare.
Lëvizja ilegale që nga fillimi i aktivitetit të saj politik propagandistik, është pranuar nga qytetarët si e vetmja shpresë për ngritjen e statusit politik të Kosovës.
Fillimisht kërkesat politike për ngritjen e statusit të Republikës së Kosovës i paraqiti rinia studentore shqiptare në demonstratat e vitit 1968, të njëjtat kërkesa politike u shfaqën në demonstratat e vitit 1981: “Shpërthimet e demonstratave janë vazhdim i veprimtarisë politike të Adem Demaçit dhe grupit politik të tij. Në fakt kërkesat politike studentore të paraqitura në demonstratat e vitit 1968, nuk u morën në konsideratë nga pushteti titist. Të njëjtat kërkesa politike për Republikën e Kosovës, i formuloi, i argumentoi dhe i paraqiti elita intelektuale shqiptare gjatë procesit të debatit publik për ndryshime kushtetuese të vitit 1974.
Më vonë nën presionin e kërkesave politike studentore dhe të elitës intelektuale shqiptare, udhëheqjes kosovare dhe ajo federative Tito, Kardel, arritën kompromisin politik që Kosova të ketë statusin e autonomisë dhe të bëhet element konstituiv i federatës. Udhëheqja e LK të Kosovës u vetëkënaq me arritjen e Autonomisë së Kosovës dhe pjesëmarrjen e saj në të gjitha nivelet e RSFJ-së, por me Kushtetutën e vitit 1974 nuk u pajtuan asnjëherë rinia ilegale dhe elita intelektuale shqiptare.
Moskënaqësitë politike shqiptare morën rrugën e veprimtarisë ilegale.
Në këtë rrugëtim të gjatë dhe të mundimshëm politik kundër shtetit jugosllav, rrezikun, barrën dhe përgjegjësinë politike për vazhdimin e angazhimit politik ilegal, për ngritjen, shtrirjen e vetëdijes kombëtare, për forcimin e rezistencës kombëtare deri në arritjen e qëllimit politik e merr përsipër ilegalja shqiptare me veprimtarinë e saj politik dhe propagandistik.
Lëvizja përpos aktivitetit të saj politik ilegal në Kosovë dhe në trojet shqiptare të ish Jugosllavisë, ajo bashkëpunonte me përfaqësuesit e ambasadës së Shqipërisë në Evropë, Turqi dhe me diasporën shqiptare në shtetet perëndimore.
Pushteti komunist e goditën rinia studentore shqiptare dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1968, megjithatë ilegalja në rrethana të tilla politike të sundimit të ligjit të sistemit totalitar u riorganizua, u konsolidua duke ndërtuar strukturën, platformën dhe strategjinë e saj politike të veprim të mëtejshëm.
(Vijon / Fusnotat i ka hequr redaksia)