
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë… / Jugosllavia pa pantallona të gjera (Haremi) (2)
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sipas revistës gjermane “Der Spiegel (2)

“Pas shtypjes me dhunë të rajonit të Kosovës, Partia pastron: armiqtë përreth saj.”
Për më shumë se një muaj, qeveria e Jugosllavisë dhe mediat e saj fshehën të vërtetën për trazirat më të rënda të pasluftës në shtetin shumëkombësh: kryengritjen e shqiptarëve në rajonin e Kosovës. “Një provincë me madhësi të Schleswig-Holstein u bllokua nga policia dhe ushtria nga bota e jashtme në fund të marsit (dhe tani është ende shumë e vështirë për të shkuar atje). Ndërkohë, në shtypin jugosllav raportohej për mundësitë e shkëlqyera turistike në Kosovë.
Duke qenë se gazetat e Jugosllavisë ende nuk e kishin mbushur boshllëkun e informacionit, organi i Partisë në Zagreb, “Vjesnik”, sugjeroi sërish për ata që kërkonin pushime, “sidomos për grupet e shkollave”, të vizitonin 2500 shtretërit e hoteleve të këtij rajoni.”
Kësaj propagande të mediave (me siguri të sugjeruar nga politika), autori i analizës i përgjigjet kështu:
“Po aty, është nisur një gjueti shtrigash: Pasi zona u qetësua me forcë dhe represion të forcave ushtarake dhe të milicisë (sipas zyrtarëve: ka 11 të vdekur), dhe që Partia po pastron (po pastrohet nga armiqtë në radhët e saj).
“Unë kurrë nuk do të kisha menduar se armiku mund të mashtrojë kaq shumë të rinj,” shprehu habinë kryetari i partisë të Provincës Bakalli, një ish-mësues, i cili llogaritej si i suksesshëm, me një seri arrestimesh të intelektualëve shqiptarë pak para vdekjes së Titos vitin e kaluar, që kishin nxitur urrejtje ndaj popullit…(…)
Foto: Një bujk shqiptar i Kosovës i arrestuar, ku thotë: “… Të gjithë do të dalim jashtë Jugosllavisë…”
Sidomos në shkolla, Bakali zbuloi një “pikë mbështetjeje të irredentizmit shqiptar”, pra përpjekje për t’u bashkuar me Republikën Popullore të Shqipërisë. Ky proces vazhdon, sepse nxënësit dhe studentët “nuk ngurrojnë të kryejnë provokime të reja dhe forma të tjera të veprimtarisë armiqësore” (duke vazhduar në fjalimin e tij duke informuar komunistët e Kosovës me atë që kishte ndodhur sipas tij).
Por, sipas disa raporteve, deri atëherë kishte një shumicë të 232 të arrestuarve (në prill 1981). Agjentët e shtetit dhe njësitë ushtarake që qëndronin në gatishmëri për të sulmuar, janë tërhequr vetëm në oborret e brendshme të godinave të tyre, po vëzhgojnë rrugët dhe rrugicat e qyteteve të Kosovës, sidomos të rinjtë e kombësisë shqiptare në kryeqytetin rajonal të Prishtinës. Gazeta “Politika Ekspres” e Beogradit denoncoi “një grup prej rreth 20 djemsh dhe vajzash që janë shfaqur për tri mbrëmje radhazi në veshje tradicionale popullore me kapelen (Plisine) të bardhë, duke kaluar në bulevardin e Prishtinës, të njohur si rruga Marshall Tito”.(…)
Nën “shokun traumatik” (“Vjesnik”-u kroat shkruante -N.K.) të kryengritjes në Kosovë, fajtorët nuk kërkohen vetëm aty, por edhe shumë grupe të errëta të nxitjes armiqësore akuzohen: emigrantët shqiptarë në Gjermani, Belgjikë dhe Amerikë; mësuesit (është fjala për profesorët që ligjëronin në Universitetin e Prishtinës -N.K.) nga Republika Popullore e Shqipërisë që ishin lejuar të ligjëronin në Prishtinë; dhe përfundimisht fajtore janë edhe dy superfuqitë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Pra, aq larg shkonte gazeta “Vjesnik”, sa e gjithë bota ishte e përfshirë në organizimin e këtyre demonstratave.
“Anëtari i Presidencës së Beogradit, Fadil Hoxha, (anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë -N.K.) me origjinë shqiptare, e pyet qeverinë në Tiranë nëse dëshironte të provokonte sulme të reja për luftë”. Shteti fqinj, i cili është i vetmi shtet evropian që nuk ka nënshkruar Aktin e Helsinkit, kërkon “vetëvendosje” për bashkatdhetarët e tij nën sundimin serb. Organi i Partisë shqiptare “Zëri i Popullit” pretendonte se Tito vetë kishte premtuar në vitin 1946 ribashkimin e Kosovës me atdhenë shqiptar.“ Ky konstatim është i përsëritur pothuajse në çdo periudhë. Mund të jetë e vërtetë që kanë diskutuar, por sipas të gjitha analizave të asaj kohe, çështja e kufijve ishte përcaktuar në Jaltë (Tetor 1944, apo siç njihet marrëveshja „Fiti-Fiti“), ku „…ishin ndarë interesat gjeostrategjike mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit…“, ku Jugosllavia ishte ndarë në zona interesi 50:50% për të dy blloqet. (Më gjerësisht shih „Diplomacia“ Kisinger, po ashtu Dedier „Interesat e sferave“, e po ashtu edhe shumë botime të tjera, ku për Shqipërinë si shtet dhe shqiptarët në përgjithësi as që ishte diskutuar.) Prandaj, Enveri me Titon mund të kenë mundur të bisedojnë, por nuk ishin ata që vendosnin për çështje të kufijve. Gjatë kësaj kohe kishte shumë ide dhe plane rreth rregullimit të çështjes së Ballkanit.
Foto: (Faksimil i ndarjes së sferave të interesit në mes Lindjes dhe Perëndimit, për më shumë shih Naim Krasniqi “Demonstratat e vitit 1981 në Kosove”, Prishtinë 2011, fq.29)
“Tito kishte marrë miratimin e Moskës për aneksimin e Kosovës; por kur ai dëshironte të bashkonte gjithë Shqipërinë dhe Bullgarinë në një “Federatë Ballkanike”, ndodhi ndarja midis Moskës dhe Beogradit në vitin 1948“. Pra, prishja e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Moskës, edhe atëherë kur Titoja (mendoj se kishte një përkrahje nga Perëndimoret, e sidomos pas zgjedhjes së Krizës së Tireshtes), ai shfaqte pretendime për kompensim në emër të Federatës Ballkanike. Stalini e kuptoi këtë dhe nuk e përkrah, dhe nga ana tjetër filloi sulmet kundër Titos në baza ideologjike, d.m.th. komuniste, ku Titoja paraqitej si shkatërrues i sistemit socialist.
“Sot, sipas supozimeve të funksionarëve të Beogradit, sovjetikët mund të mbështesnin Shqipërinë, duke mbështetur pretendimet e saj për Kosovën. Po ashtu, nëse mbështesin Bullgarinë për të rikuperuar Maqedoninë, që sot është një provincë e Jugosllavisë, kjo do t’i jepte Bashkimit Sovjetik një urë tokësore për në Adriatik.“ Analisti vazhdon me këto analiza, sa që konstaton se: “Zëri i Popullit” (Organi zyrtar i PPSH) i Shqipërisë përgatiti një ofertë në drejtimin tjetër, duke paraqitur një skenar të luftës: Në rast të një sulmi sovjetik ndaj Jugosllavisë, Shqipëria do t’i ofronte ndihmën pasuesve të Titos.“ Këtë teori autori i analizës e mbështet edhe me konstatimet e dy publicistëve amerikanë.
“Disa publikime të njohura, nga gazetarë-analistë amerikanë, Cyrus L. Sulzberger, pretendojnë se informacioni për ngjarjet në kufirin jugor të Jugosllavisë, në rajonin e Kosovës, ka mbërritur dhe ka qenë një nxitje e drejtpërdrejtë nga Moska. Sulzberger gjithashtu pohon se ndoshta dikush ka nxitur trazirat në Kosovë. Para demonstratave masive, ndodhi një zjarrvënie në Patriarkanën Ortodokse të Pejës, e cila ndodhi si një provokim për pakicën serbe në Kosovë.“ Analisti shkon duke përmendur rastet që kishin ndodhur dhe pretendon se kanë ndikuar në revoltimin e shqiptarëve, por konstatimi i tij është shumë i pabazuar, sepse zjarri në Patriarkanën e Pejës kishte ndodhur pas zhvillimeve dramatike të rebelimit. Ky zjarr kishte ndodhur dikur ndërmjet datave 5 dhe 6 Prill, kur në Kosovë mbretëronte gjendja e jashtëzakonshme, që nuk lejonte asnjë lëvizje. Vetëm policia dhe ushtria jugosllave kontrollonin tërë territorin e Kosovës. Prandaj, Dollanci në Konferencën e parë për shtyp të mbajtur më 7 Prill 1981, kur pyetet nga një gazetar, ai u përgjigj në mënyrë të prerë se: „… kjo s’ka asgjë të përbashkët me demonstratat…“ (shih N.K. „Demonstr…“, fq. 105)
“Më pas shpërtheu një thashethem, se një vajzë shqiptare ishte përdhunuar nga serbët gjatë një shfaqjeje sportive-politike, ‘Stafeta e Rinisë’. (Këtu bëhet fjalë për incidentin që kishte ndodhur në Kaçanik me rastin e përcjelljes së Stafetes për në Maqedoni, më 26 Mars 1981. N.K.) Kjo e bëri që edhe shqiptarët myslimanë (…) të Kosovës të ndiheshin të provokuar. Ndërkohë që në Prishtinë mijëra demonstrues po përpiqeshin të pushtonin ndërtesën e Partisë (është fjala për ndërtesën Komitetit Krahinor të LKK), dhe në shumë fabrika po bëheshin greva, në shumë fshatra shqiptarët sulmuan shtëpitë serbe dhe ngacmuan vajzat që vishnin pantallona të gjera.“ (Pjesa e fundit e këtij pasusi është e pasaktë, sepse gjatë periudhës 11 Mars deri më 3 Prill nuk ka asnjë të dhënë për sulme ndaj qytetarëve serbë apo të kombësive të tjera. Përleshjet ishin në mes demonstruesve dhe forcave ushtarake të pushtetit. Ky përshkrim është për demonstratën e 26 Marsit të vitit 1981, në Prishtinë, kur pushteti dhe Partia kishin organizuar një manifestim për pritjen e Stafetes, ndërsa studentët, të revoltuar për burgosjet që kishin ndodhur, kishin organizuar një formë protestimi. Por reagimi i forcave të rendit bëri që kjo të kalonte në një demonstrim të ashpër, ku turmave të studentëve u bashkuan edhe punëtorët e ndërmarrjeve të ndryshme të Prishtinës. Represioni dhe dhuna që u përdor nga organet e rendit treguan se komunistët kosovarë nuk pranonin një revoltim të tillë dhe filluan aksionet e ndjekjeve policore dhe politike kundër studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë. – N.K.).
Parashikimi i Sulzberger-it për këto ngjarje
Kjo analizë vazhdon me teoritë e analistit dhe njohësit të rrethanave politike, amerikanit Sulzberger, ku sipas tij: “Duket se ndihmësit kishin përgatitur me kujdes skenarët e situatës. Sulzberger beson se ngjarjet përbëjnë një provë të qartë për Bashkimin Sovjetik, për të testuar stabilitetin dhe vëllazërimin – bashkimin kombëtar të Jugosllavisë pas Titos”, ku pretendohet se shkatërrimi i Jugosllavisë ishte i skicuar, dhe këtë e vërtetonte deklarata e Fadil Hoxhës, kur deklaronte: “Se urrejtja midis grupeve kombëtare është nxitur edhe nga udhëheqësia e Beogradit. Anëtari i Presidencës, Hoxha, pohon se ka lidhje midis dëshirave të shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe ambicieve të mëdha bullgare për Maqedoninë.”
“Në të njëjtën kohë, Beogradi publikoi rezultatin e një censusi në një tjetër rajon të Serbisë, te Vojvodina, i populluar nga hungarezët: Numri i hungarezëve ka rënë ndjeshëm, një arsye mjaft e mirë për Republikën e Hungarisë për të kërkuar ndihmë për bashkëkombësit e saj jashtë kufijve të Serbisë.” Kështu që erdhën reagimet e para nga Hungaria, një shtet fqinje i Jugosllavisë, ku Budapesti akuzon Beogradin për asimilimin e grupeve të pakicave jo-sllave. Kur gazeta hungareze “Nepszabadsag” raportoi për përdorimin e tankeve në Kosovë, Beogradi shpërtheu me zemërim: Kush përmend përdorimin e tankeve, harrojnë se ‘herë pas here rendi kthehet me ndihmën e tankeve të huaja’ – duke aluduar për ndërhyrjen sovjetike në Hungari në vitin 1956 (të cilën Tito e kishte mbështetur, pasi udhëheqësi sovjetik, Hrushcov, e kishte arsyetuar intervenimin tek Titoja se Qeveria hungareze dëshironte të mbrojë pakicën hungareze në Jugosllavi, prandaj kjo konsiderohej si një rrezik për zonën e pakicës hungareze në Vojvodinë).”
Analiza përfshin situatën e përgjithshme në Jugosllavi, ku shkruan: “Një vit pas vdekjes së Titos, Jugosllavia e gjen veten të rrethuar nga armiqtë e jashtëm dhe të minuar nga armiqtë e brendshëm. Nervozizmi është rritur edhe në pjesë të tjera të vendit: Një valë arrestimesh janë shpërndarë në Kroaci në veri, ndërsa në Vranje, një qytet në kufi me Bullgarinë, policia ka qëlluar mbi një djalë që kishte vendosur një poster kundër regjimit. Pas këtij incidenti, radio dhe shtypi kanë heshtur, ndërsa populli ka folur për një betejë midis grupeve të rezistencës dhe agjentëve të shtetit.”
Duke bërë analiza të tilla dhe duke u përpjekur të gjenin organizatorët e rebelimit të 11 marsit të vitit 1981, “Der Spiegel” vazhdon me hulumtimet e saj duke përshkruar situatën edhe në republikat tjera e posaçërisht shkruan për pakënaqësitë e kroatëve dhe ngjarjet që ndodhnin atje. Ajo fillon duke analizuar nga “Pranvera Kroate 1970-71“ e deri tani, ku përshkruan dënimet e intelektualëve kroatë për bindjet e tyre politike, dhe shumë prej tyre kishin qenë pjesëmarrës në Luftën II Botërore, por më vonë nuk pajtoheshin me vijën politike të udhëhequr nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe vetë Titoja. Ata nuk pajtoheshin se serbët dominonin në strukturat shtetërore në kuadër të Federatës Jugosllave. Ndërsa, autori i analizës së 17 Majit të vitit 1981, para opinionit gjermanofon, se si burgosej “fjala e lirë” në Kroaci, dhe do të vazhdonte edhe në Kosovë. Në artikullin “Bariu Ideal”, përshkruhet se si pushtetarët jugosllavë deklaronin për ruajtjen e “Bashkim-Vëllazërimit”, por se në “grixhen tonë”, ka edhe të atillë që nuk pajtohen, prandaj duhet të ndëshkohen. (Vijon)