
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sipas revistës gjermane “Der Spiegel (3)

Jugosllavia: Bariu ideal
“Pas shtypjes së kryengritjes në Kosovë, Beogradi dëshiron të qetësojë Republikën e Kroacisë: përmes arrestimeve”.
Mes materialeve të dërguara, është edhe një raport që flet për ndjekje drejtuar SPIEGEL-it. Në atë raport flitej për rastin e Marko Veseliç, se si e kishin arsyetuar akuzën në Gjykatën e Zagrebit.
“Zora Heger është e verbër, Zdenka Grkoviç është e paralizuar. Megjithatë, policia sekrete jugosllave në Zagreb i ftoi të dyja gratë mbi 80 vjeçare disa herë, njërën e verbër dhe të shtrirë në një shtrat. Ato duhet të dëshmonin në një proces kundër Dr. Marko Veseliç, 45 vjeç, i cili akuzohej për ‘propagandë armiqësore’, të bërë në ‘organizata në shtypin e huaj’. Bëhet fjalë për një intervistë me televizionin suedez dhe një raport të drejtuar SPIEGEL-it, të cilin SPIEGEL nuk e kishte publikuar. Veseliç, djali i një partizani të rënë gjatë luftës që e ka udhëhequr Tito-ja, ka qenë 18 vjet anëtar i Partisë, funksionar sindikalist dhe më vonë deputet i kryeqytetit të Kroacisë, në Zagreb, si dhe në Parlamentin në Beograd (është fjala për Kuvendin Federativ – N.K.). Ai kishte rënë në prizmen e organeve të Sigurimit që nga vitet ’60, ku paraqiti tezën e tij se Jugosllavia duhet të shkatërrohej nëse Beogradi vazhdonte t’u merrte fitimet republikave që në ekonomi janë më të suksesshme si Kroacia dhe t’i transferonte ato në rajonet më të pazhvilluara të Jugosllavisë. Për këtë mendim, Veseliç u arrestua në vitin 1972 si ‘nacionalist kroat’, pas kërkesës personale të Titos, duke u dënuar me shtatë vjet burg. Në tetor të vitit 1977, ‘Amnesty International’ e shpalli atë ‘Të burgosurin e muajit’, dhe ai u lirua shpejt pas kësaj. Veseliç raportoi për SPIEGEL-in për periudhën e tij të burgimit: ‘Përllogaritet se atëherë në Kroaci rreth 32,000 njerëz ishin ndjekur, diskriminuar ose torturuar. Në burgun Stara Gradiška, ku më mbyllën, kishte shumë rrahje’. Pjesa më e madhe e mbikëqyrësve në ‘Shtëpinë e Dënimit dhe Edukimit’ Stara Gradiška përbëhej në 90% nga serbë, të cilët ‘i urrenin pa masë kroatët e burgosur’, ndonëse mëkat i vetëm i viktimave të tyre ishte ‘të jetonin në Kroaci, e cila deri më sot nuk ka të drejtën të flasë për veten dhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, dhe duhet të pranojë pasivisht diktatin e Partisë dhe të një shteti, ndaj të cilit nuk ka kundërshtim’. Në shkurt, ai u dënua me tre vjet burg për dhënien e disa intervistave për gazetarë të huaj, përfshirë edhe intervistën e dhënë për gazetarin e ARD-së, Peter Miroschnikoff, i cili u përjashtua nga puna. Ndërkohë që rajoni i Kosovës në jug të Jugosllavisë nuk mund të vizitohej nga gazetarët e huaj që nga trazirat e mëdha të shqiptarëve, opozita në Kroaci ka qenë e izoluar nga publiku ndërkombëtar që nga vdekja e Titos: Korrespondentët francezë, të cilët dëshironin të flisnin me mbështetësit e lënë nga ‘Pranvera Kroate’ e vitit 1971, janë akuzuar dhe kërcënuar si ‘spiunë’, janë ndaluar nëpër rrugë ose janë tërhequr nga avioni, ndërsa intervistat e tyre janë konfiskuar. Kundër studentit Dobroslav Paraga u zhvillua një gjykim javën e kaluar, sepse ai kishte dërguar një peticion të fshehur nga Partia të 43 intelektualëve të njohur kroatë në ‘Der SPIEGEL’. Ata ishin nënshkruar edhe nga ish-gjeneralë partizanë, përkrah përfaqësues të Kishës: Ata kërkonin një amnisti për të gjithë të burgosurit politikë. Nënshkruesi Ernest Brajder u arrestua vitin e kaluar dhe vdiq në burg. Paraga, bashkëvuajtes që ishte 20 vjeçar, duhet të dëshmonte se Brajder kishte kryer vetëvrasje”.
Kështu ky artikull përshkruante torturat dhe ndjekjet që ndodhnin në Kroaci, ata paralajmëronin për kalvarin që do të ndodhte në Kosovë. Edhe pse për të burgosurit kroatë kishte interesim nga organizatat për të drejtat e njeriut, si dhe nga Caritasi që bashkëpunonte me Kishën, për Kosovën ishte diçka tjetër.
Ishte paralajmëruar edhe vizita e Papës Wojtyla nga fundi i vitit, që analisti thotë se: „Papa polak, Wojtyla, i cili vjen nga një zonë pranë Krakaut në Poloni, e njohur si ‘Kroacia e Bardhë’ – sepse këtu, para 1300 vjetësh, u vendosën sllavët që më pas migruan drejt Adriatikut. Papa sllav theksonte shpesh këtë lidhje të largët dhe do të pritej nga Kryepeshkopi Kuhariç dhe Kryeredaktori Kustiç”.
Kryeministri i Jugosllavisë, Gjuranoviç, gjatë vizitës së tij në Republikën Federale (të Kroacisë – N.K.) në shkurt 1981, madje akuzoi Caritas-in si “qendër të një qeverie të mërguar kroate” – sepse ajo ofronte ndihma për punëtorët, emigrantët dhe refugjatët politikë kroatë.
Ashtu si në Kosovë, studentët dhe mësuesit në Kroaci po ankoheshin për situatën e tyre ekonomike dhe shpirtërore: Studentët braktisën sallën kur Ministri i Kulturës së Kroacisë, Shuvar, fliste; dymbëdhjetë herë në tre muajt e parë të vitit, punëtorët kroatë hynë në grevë, sepse “standardi i jetesës në Jugosllavi ra me nëntë përqind në vitin 1980 dhe mund të rriten edhe më shumë vështirësitë ekonomike”.
Partia reagon ashtu si në Kosovë (ku tani është shkarkuar kreu i partisë): me dezinformata dhe me dhunë. Megjithatë, për momentin mbahen kthehen të vjetër, d.m.th. kuadrot që ishin demaskuar me rastin e largimit të Rankoviçit.
Kjo revistë përsëri merret me problemet e emigracionit kroat dhe pasojat që reflektonin në Perëndim, e posaçërisht në Republikën Federale të Gjermanisë, ku jetonin edhe emigrantët shqiptarë që tani nga pushteti jugosllav ishin shpallur si forcat kryesore që kanë për qëllim ndarjen e territorit të Kosovës dhe ta bashkonin me Shqipërinë. Në artikullin 2 Gushtit të vitit 1981, autori trajton temën e vrasjes së emigrantëve nga UDB-ja jugosllave, por sipas shumë gazetarëve dhe analistëve gjermanofonë, organet shtetërore gjermane heshtnin dhe nuk zbuloheshin vrasjet. Artikulli fillon me seancën gjyqësore në Landin Saarbrücken.
Kroatë: Duhet të gjuajnë
“Një gjykatës sulmon qeveritarët në Bonn dhe Beograd për faktin se ata po vëzhgojnë, pa bërë asgjë, luftën e vrasjeve midis kroatëve në mërgim dhe të dërguarve jugosllavë në territorin gjerman”. (Është fjala për agjentët e UDB-së). Në këtë kontekst, gjykatësi po i drejtohej papërgjegjshmërisë të autoriteteve të dy shteteve që, ndërsa janë të vetëdijshëm për luftën e fshehtë që zhvillohet dhe operacionet që ekzekutohen nga vrasës të dërguar nga shërbimet sekrete jugosllave, po bëjnë sikur nuk ekziston një problem i tillë, duke i lënë të vrasin dhe të veprojnë në terren pa ndërhyrë. Ata përpiqen të minimizojnë këtë luftë të përgjakshme dhe të fshehtë, duke e mohuar realitetin dhe duke krijuar një ndjesi të “paqes” që është vetëm sipërfaqësore.
Por në këtë gjykatë po trajtohej “përplasja ndërmjet miqve dhe kundërshtarëve të regjimit jugosllav, mes atyre që luftonin për një Kroaci të pavarur, të ndarë nga Jugosllavia, dhe mbrojtësve të shtetit të Bashkuar të Beogradit, ishte gjithashtu e pranishme gjatë procesit në sallën 38. Gjatë dhjetë ditëve të gjyqit në Saarbrücken, pjesërisht me përjashtimin e publikut, u shqyrtuan praktikat e policisë sekrete jugosllave ‘Sluzba Državne Bezbednosti’ (SDB, dikur ‘UDB-a’ – Shërbimi i Sigurimit Shtetëror) dhe veprimi i saj në Republikën Federale të Gjermanisë. ‘Një gjë e tillë nuk mund të pranohet’, mërmëriti gjykatësi kryesues Franz Priester gjatë arsyetimit të dënimit, ‘që në territorin tonë të ekzekutohen urdhëra për vrasje të dhëna nga shtete të huaja për të zgjidhur problemet e tyre të brendshme’. Kritika e gjykatësit ishte drejtuar jo vetëm ndaj të akuzuarve në proces, por edhe ndaj politikanëve. Pasi në sallën e gjyqit në Saarbrücken u zbuluan gjatë operacioneve hetimore për këto vrasje (të drejtuara nga shteti jugosllav) në territorin gjerman, dy politikanë të njohur të të dyja shteteve bënin sikur nuk ekzistonte një luftë e tillë sekrete me vrasës kroatë që vepronin kundër shërbimit sekret të Jugosllavisë në territorin perëndimor të Gjermanisë”.
Se ekzistonte një bashkëpunim mes organeve shtetërore të Gjermanisë dhe atyre jugosllave për të likuiduar kundërshtarët dhe “armiqtë” e Jugosllavisë, po përmend dy të dhëna mjaft thelbësore. Një e dhënë është përmendur në “Der Spiegel”. “Në liqenin Starnberg-gut (gjendet në jug-perëndim të Mynihut – N.K.), Ministri i Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher dhe kolegu i tij jugosllav Josip Vrhovec e siguruan njëri-tjetrin se ‘nuk ka asnjë çështje bilaterale të hapur në një mënyrë dramatike’ mes Bonit dhe Beogradit”.
Po ashtu, në gazetën “STUTTGARTER ZEITUNG”, e datës 24 Mars të vitit 1981, në faqe 2, botohet një informacion (i dhënë nga Zëdhënësi i kësaj Ministrie – N.K.) për vizitën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Franz Herlijovic dhe takimit të tij me Ministrin e Punëve të Brendshme të RF të Gjermanisë, Gerhart Bauman, në kryeqytetin e Gjermanisë, Bon. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, në këtë takim ishte biseduar për luftën e përbashkët kundër grupeve terroriste të ashtuquajturave “Balkan – Route” (…).
Dëshmi tjetër se Sigurimi Shtetëror Jugosllav ndiqte dhe vriste emigrantët që zhvillonin veprimtari anti-jugosllave, e posaçërisht kundërshtimin e politikave serbe që zbatonin kundër kombeve dhe kombësive të tjera, këto aksione i merrnin në emër të Jugosllavisë, është edhe një dokument (që e kam pasur në dorë), në Bayerische Hauptstaatsarchiv (Arkivi Qendror i Republikës (Landit) të Bavarisë), në Mynih. Në atë dokument përshkruhet një situatë ku, siç thuhet: “Demonstrimin (…) për lëvizje që kishin pikëpamje komuniste, ku dominonte emigracioni jugosllav, por që nuk karakterizohej me ndonjë manifestim të hapur ideologjik, vetëm se në një demonstrim të grupeve komuniste tek të huajt (…)”. (Citohet në raport), se ishin parë parulla ku lartësohej figura e Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës, përfundon raporti i Komisariatit Qendror të Policisë së Mynihut. Raporti vazhdon: “…me datën 10 shkurt të vitit 1966, (diku nga mbarimi i protestës), patrullat e zakonshme të policisë që po bënin mbikëqyrjen e protestës, vërejtën dy persona që fotografonin dhe iu bënë një kontroll rutinë, ku këta persona nuk kishin dokumente të identifikimit dhe i dërguan në komisariat, ata u deklaruan se ishin jugosllavë. Komisariati njoftoi Konsullatën jugosllave, duke i lënë në mbajtje. Por të nesërmen ata ishin liruar me arsyetimin se këta ishin punonjës të Sigurimit të Konsullatës. Për policin ky nuk ishte argument që ata të mos identifikoheshin në polici, po më vonë u informuam me arsyetimet që vinin (nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bavarisë si dhe Prokurorisë…”, (për më shumë shih “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë në shtypin gjerman”, N. Krasniqi).
Siç shihet nga këto 3 fragmente, mund të konstatohet se ka ekzistuar një bashkëpunim ndërmjet këtyre dy shteteve, por që më vonë, kur Sigurimi Shtetëror i Jugosllavisë filloi me vrasjen e disa emigrantëve kroatë dhe shqiptarë, institucionet gjermane u dolën me probleme në proceset gjyqësore nëpër vendet ku ndodhnin këto vrasje (sidomos mendoj se pas vrasjes së Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës), që ishte një nga vrasjet më makabre ku mbetën tre persona të vrarë, por edhe kishte filluar ndryshimet shoqërore dhe politike nëpër kampin e Lindjes, si dhe reagimet e shtypit se të gjitha këto vrasje mbetën pa autorë, atëherë institucionet gjermane reaguan dhe kërkuan nga Jugosllavia që t’i ndërpriste këto veprime sepse po u sillnin probleme në sistemin juridik.
Për të dëshmuar këtë po japim një fragment të “Der Spiegel”, të datës 2 Gusht të vitit 1981, ku përshkruhet një seancë gjyqësore në Saarbrücken: “…Ndërkohë, në sallën e gjyqit në Saarbrücken, askush nuk hezitoi të thoshte ‘fjalën e vërtetë’ dhe të sulmonte ‘prapa skenave, ata në pozita të larta shtetërore,’ tha (avokati Arno Walter)“. Duke vazhduar se: Nuk mund ta bëni kaq të thjeshtë”, ky avokat u zëvendësua me avokatin Walter Klein, por edhe ky vazhdoi: “..nuk mund të lejojmë një prokuror të Prokurorisë së Saarbrücken të heqë kështjellën nga zjarri”. Boni dhe Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe e kishin minimizuar rastin në mënyrë të papërgjegjshme dhe thuajse e kishin fshehur në provincë (Land). Pas këtyre reagimeve të forta të avokatëve, procesi nxori këtë vendim: “Adam Lapcevic, 23 vjeç dhe Friedrich Huber, 23 vjeç, u dënuan për tentativë vrasje me dënime 8 dhe 14 vjet burg. Jugosllavi Dragan Barac, 40 vjeç, do të vuante 13 vjet në burg. Ky trio kishte tentuar në dhjetor 1980 të vriste kasapin Franjo Goreta (SPIEGEL 13/1981), një ish-agjent të UDB-së, i cili kishte përfunduar vetë në listën e shënjestrave të grupeve të vrasësve jugosllavë”.
Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, “Kryetari i trupës gjyqësore Priester, kërkoi që pjesa e vendeve ku kishte publik për të dëgjuar të kontrollohej dhe se salla do të kontrollohej për aparatura të spiunimit nga shërbimi sekret i Beogradit, para se Barac të pohonte gjatë procesit: ‘Kam marrë në të vërtetë urdhrin nga qarqe të larta qeveritare për të vrarë eksil-kroatin (refugjatin) Franjo Goreta’ “.
Barac, sipas dëshmisë së tij, kishte udhëtuar me pasaportë false dhe biletë fluturimi falas, nën mbikëqyrjen e UDB-së, midis Gjermanisë Perëndimore dhe Jugosllavisë. Ai përmendi emra të njohur të personave të lidhur me këtë komplot, duke përfshirë një “Boris” nga Omish (qytet afër Split-it), një “shef nga Split”, një “Dimit(ri)a Sijan” dhe “Zëvendësministër të Çështjeve të Brendshme të Kroacisë”. Ata i kishin ofruar atij një milion dinarë (rreth 70,000 marka) si shpërblim për vrasjen: “Unë isha ndërmjetës mes urdhëruesve dhe ekzekutorëve”.
Kur ai arriti të bindi Huber (gjerman) dhe Lapcevic për planin e vrasjes, Barac e kryente vetëm rolin e drejtuesit të prapavijës. Ai u dha udhëzime të detajuara për viktimën, të cilën e përshkroi si një kasap të madh dhe të fuqishëm: “Nëse nuk mund të godasësh me thikë, atëherë duhet të gjuash me armë.” Barac konfirmoi edhe një herë planin me telefon me ata që kishin dhënë urdhrin dhe kontrolloi gjithashtu nëse çështja e shpërblimit ishte e rregulluar: secili prej atentatorëve do të merrte një të tretën e 100,000 markave, ndërsa Barac do të merrte një “pozitë të mirë shtetërore” në bregun Adriatik.
Kryegjyqtari Priester, me neveri, tha: “U punësuan si vrasës, dhe e gjetën vrasësin për të ekzekutuar urdhrin – kjo është forma më e keqe e lakmisë”. Kur më 1980, një të shtunë në Advent, shpërthyen plumba përpara derës së apartamentit të Goreta në Saarbrücken, kasapi u fut në dhomën e gjumit dhe reagoi me guxim duke gjuajtur mbrapsht. Vrasësit Huber dhe shoku i tij Lapcevic ikën, ndërsa Lapcevic u plagos në mushkëri.
Avokati Arno Walter, i cili përfaqësoi sulmuarin Goreta dhe gjithashtu ishte një socialdemokrat si Goreta, i cili gjatë fjalimit të tij kritikoi Kryeprokurorin e Përgjithshëm Kurt Rebmann dhe “përgjegjësit tanë në politikën e jashtme dhe të brendshme”. Për avokatin është e paqartë se si prokurorët kanë qenë gjithmonë të gatshëm të ndërhyjnë “edhe për grafite me simbole naziste të djathta dhe parulla të majta, ndërsa injorojnë terrorizmin e organizuar dhe të drejtuar nga agjentët e Beogradit”. Përfundimisht, siç tha Walter, “Zëvendësministrat”, që “lëshojnë urdhra vrasjeje dhe i paguajnë ata me buxhetin e shtetit”, ata duhet të akuzohen dhe dënohen për tentativë vrasjeje.
Të dy këta artikuj përshkruajnë ndjekjet dhe vrasjet e emigrantëve kroatë, përkatësisht kjo analizë po thuajse po paralajmëronte se një gjë e tillë do të ndodhte edhe me shqiptarët që ishin aktivë në luftën e tyre kundër propagandës jugosllave. Dhe siç dihet edhe ashtu, filluan vrasjet e aktivistëve politikë të emigracionit që ishin më aktivë”. (Vijon)