
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sipas revistës gjermane “Der Spiegel/ Jugosllavia – Të gjithë heshtin (4)

Edhe pse kishin kaluar më shumë se gjashtë muaj, situata në Kosovë assesi po qetësohej, por çdo herë vinte duke u rënduar. Ndjekjet dhe arrestimet kishin hapur një gamë të madhe veprimesh, dënimesh, apo siç njihet, diferencimi politik ndaj shqiptarëve kishte përfshirë gjithë sistemin arsimor, kulturor dhe atë akademik. Pas masave politike, pasonin largimet nga vendet e punës. Dokumenti i Komitetit Qendror të LKJ, filloi t`i jepte “rezultatet e veta”. Masat drastike filluan edhe ndaj gazetarëve (ata të cilët kishin guxim të shkruanin apo raportonin diçka që nuk shkonte për shtat me Partinë).
Analiza e këtij numri merret me zhvillimet e fundit që ndodhnin në Kosovë. Revista fillon kështu: “Beogradi nuk po arrin të kontrollojë trazirat në rajonin e Kosovës. Që nga marsi, shqiptarët e Kosovës janë rebeluar kundër pushtetit serb. Në jug të Jugosllavisë, deri në kufirin me Greqinë, ndodhi një ndërprerje totale e energjisë elektrike. Që nga koha kur disa nga centralet elektrike në rajonin e Kosovës u dëmtuan papritur, rrjeti i energjisë në Jugosllavi ka kalopuar. Pavarësisht këtij dështimi të vazhdueshëm të furnizimit me energji, ndriçimi i rrugëve, reklamat e bizneseve dhe ngrohja (edhe pse ishte shpërndarë në pjesën qendrore të Prishtinës – N.K.) janë ndërprerë për shkak të mungesës së energjisë, duke prekur zona të tëra në Beograd”.
Edhe kjo çështje nuk mbeti pa u politizuar nga shtypi i Beogradit, ku gazeta që merrej me çështjet ekonomike në nivel të Jugosllavisë, “Ekonomska Politika” (Ekonomia Politike) shtronte pyetjen; “Pse nuk dimë asgjë për termocentralet elektrike të Kosovës, ndryshe nga të tjerët që raportohen për çdo dështim?”
Për sa i përket situatës në Kosovë, energjia elektrike që kishte arritur të prodhohej ra në më pak se një milion kilovat-orë, duke rënë ndjeshëm nga kapaciteti i duhur. Një përfaqësues i shtetit, Milorad Stanković, përmend lidhjen midis krizës energjetike dhe rebelimit, duke thënë se nacionalistët shqiptarë janë organizuar dhe po realizojnë akte të shkatërrimit – sabotimit. Pra, filluan shkrimet për sabotimet që mendoheshin se ishin të organizuara dhe po respektonin kërkesën apo parullën që ishte parë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit në fillim të këtij viti: “Kosova punon – Serbia ndërton” apo “Trepça punon – Beogradi ndërton” dhe autori vazhdon me këto të dhëna: “Në disa qytete të Kosovës, si në Gjilan, shërbimet sekrete po kërkojnë sabotatorët që janë të përfshirë në shkatërrimin e fabrikave dhe infrastrukturës. Fabrikat po digjen, vila e një funksionari u sulmua, dhe gjithashtu edhe tentativat për të djegur makinën e tij dështuan, duke u shpërndarë në errësirë”.
Përmes këtij shkrimi të “Ekonomska Politika” (Ekonomia Politike), gazetat e Beogradit filluan t’i sulmonin gazetarët dhe udhëheqësit në Kosovë që nuk po raportonin në mënyrë korrekte për këto fenomene, duke vazhduar: “Disa gazetarë dhe udhëheqës të partisë (dhe strukturave të tjera politiko-shoqërore) po heshtin, pa zbuluar identitetin e autorëve të këtyre sulmeve dhe shkatërrimeve. Gazetaria dhe regjimi janë të heshtur për sa i përket këtyre ngjarjeve”, duke vazhduar me rrjedhën e ngjarjeve të pranverës që kishin ndodhur, si dhe qëndrimet e shqiptarëve dhe serbëve që ishin po thuajse hakmarrëse për shkak të raporteve të këtyre popujve gjatë historisë; “…trazirat filluan me një protestë studentore në Prishtinë për kushtet e këqija në konvikte, dhe më pas përshkallëzuan në kërkesa për barazi për shqiptarët e Kosovës, që përbënin shumicën në këtë provincë. Ata kërkonin një republikë të pavarur brenda Jugosllavisë. Megjithatë, autoritetet serbe, duke e parë si kërcënim për shtetin, vendosën forca policore dhe ushtarake që të intervenonin, duke sjellë rritjen e tensioneve dhe dhunës. Në fund, Serbia u mundua të justifikonte ndërhyrjen e saj në Kosovë duke pretenduar se ky ishte një akt i domosdoshëm për të ruajtur rendin”.
Kështu, Serbia duke arsyetuar para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për masat represive që kishte kundër shqiptarëve dhe Kosovës, dhe filloi me propagandën e saj kundër veprimtarëve të emigracionit politik shqiptar. “Shtypi dhe propaganda qeveritare u përpoqën të fajësojnë për situatën emigrantët shqiptarë dhe shërbimet e huaja”. Kjo propagandë bëhej nëpër gazetat që trajtonin tema politike, ndërsa …gazetat po japin këshilla për mënyrat se si mund të shpëtohen ushqimet që janë ngrirë dhe po shkrihen. Gazeta që ishte organi udhëheqës ekonomik të Jugosllavisë, “Ekonomska Politika”, ka prekur një “tabu”: ishte “te çuditshme” që nuk kishte informacione të sakta për centralet elektrike të Kosovës, “pavarësisht se për çdo central tjetër në vend dihet pse është prishur, sa do të zgjasin riparimet dhe sa qymyr ka në magazinë”, prandaj kjo gazeta propagandonte se këto avari janë sabotime politike dhe vazhdonte: “Për sa i përket furnizimit me energji në rajonin e Kosovës, ku shqiptarët ishin rebeluar në pranverë, ka vetëm një shifër: në vend që të prodhoheshin 2.4 milion kilovat-orë energji elektrike për Serbinë çdo ditë, tani ato centrale po japin më pak se një milion”.
Këtë analizë, autori e forcon me deklaratën e një politikani serb të Kosovës: … Milorad Stanković, i cili i sugjeroi shefit të shërbimeve të sigurisë në qytetin kosovar të Ferizaj, se: “Aktiviteti i nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë nuk tregon shenja të dobësimit. Armiqtë tani po organizohen në grupe të vogla, dy ose tre veta. Në parullat dhe pamfletët e tyre po bëhet thirrje për sabotazh dhe ndezje zjarresh”. Duke vazhduar: “Në Gjilan, një qytet tjetër në Provincën shqiptare të Jugosllavisë, shërbimi i sigurisë ka ndjekur sabotatorët në një fabrikë duhani, në një kombinat tekstili dhe te një ndërmarrje që prodhonte sisteme ngrohjeje. Sipas gazetës lokale të partisë, (mendoj se është fjala për gazetën „Rilindja“). “Të gjithë e dënojnë këtë veprimtari subversive, por të gjithë heshtin.
Nuk është çudi që mbishkrimet armiqësore shfaqen edhe në shtëpitë e liderëve të organizatave shoqërore e politike – por nuk kanë mundur të zbulohet autori.” Për aktivitete subversive, gazeta beogradase vazhdonte me propagandë të stilit apo mësimeve dhe direktivave të UDB-së;
“Fabrikave u vënë flakën, vila e një funksionari të shërbimeve të sigurisë u dogj. Gazetat njoftuan një sukses: atentatorët u ndaluan të ndezin makinën e funksionarit, por ata u zhdukën në errësirë.“ Ky konstatim i gazetës së Beogradit ishte një ogur i zi për shqiptarët. „Vetëm me “guxim dhe gjakftohtësi të jashtëzakonshme”, udhëheqësit (lokomotivistët) e trenave guxojnë ende të udhëtojnë natën në shinat që çojnë në rajonin e Kosovës: Në shina ka gurë, sistemet e sinjalizimit janë shkatërruar, dhe projektile të rrezikshme po thyejnë xhamat e trenave. Edhe ushtarët nga pjesë të angazhuar.
Protestat e pranverës i shqetësuan shumë udhëheqësit në Beograd, duke klithur, „… se Federata është në rrezik, për ekzistencën e shtetit.“ Autori jep edhe të dhëna për dëmet materiale – xhama të thyer, ekspozita mallrash të shkatërruara, automjete të rrokullisura dhe të vëna në flakë – që, sipas vlerësimeve të Beogradit, dëmi ishte shumë i madh. Specialistët e sigurimeve në rajonin e Kosovës nuk u pajtuan me deklarimet e Beogradit për një humbje në vlerë prej 700,000 marka. Ata (specialistët kosovarë) të cilët e vlerësuan dëmin material thanë se këto shifra janë shuma të ekzagjeruara.
Kryetarët lokalë të partisë, madje edhe punonjës të shërbimit të sigurisë (të Kosovës), ishin shumë të angazhuar në refuzimin e ofertave të Beogradit për “ndihmë vëllazërore” nga Serbia për ndjekjen dhe arrestimet e demonstruesve. Për këtë qëndrim të ftohtë (nga ana e Serbisë), u vlerësua se kemi të bëjmë saktësisht me rrezikun për shtetin, prandaj filluan debatet nga Partia dhe administrata shtetërore. Ata (është fjala për shqiptarët) tani po humbin një pas një pozitat e tyre.
Sepse, pavarësisht paralajmërimeve nga njohës të kushteve lokale, se një okupim serb do ta sfidonte më tej popullatën shqiptare, në fund të marsit, forcat policore serbe dhe njësitë ushtarake të trajnuara për luftë (speciale) të afërt erdhën dhe u vendosën në Kosovë. Pushtimi duhej të mbetej një sekret. Edhe pas disa javësh nga pushtimi, as popullata jugosllave nuk ishte informuar për këtë; rajoni mbeti për muaj të tërë i mbyllur (i izoluar), jo vetëm për turistët e huaj, por edhe për gazetarët e brendshëm, edhe pse ata ishin besnikë të partisë. Të dhënat e mëvonshme të shtypit dhe partisë mbi numrin e viktimave gjatë përplasjeve të para midis kryengritësve dhe pushtuesve ishin të ndryshme.
“Nga Kosova, në redaksinë tonë erdhi një ‘Apel për ndërgjegjen e gjithë botës së civilizuar’, i nënshkruar nga tre profesorë universitarë dhe shkencëtarë, ku ndër të tjera shkruhej: „Gjatë muajve mars dhe prill, dy rrugët kryesore të Prishtinës, ‘Ramiz Sadiku’ dhe ‘Marshala Tita’, treguan pamje tmerruese: trupa të shpërndara, shpesh të copëtuara dhe të shkatërruara, pa kokë, këmbë dhe duar, ndër të vdekurit edhe fëmijë në moshën e shkollës fillore. Këto ishin gjurmët e fundit të masakrës, të kryer nga ushtria jugosllave dhe milicia. Shumë trupa u ngarkuan nga ushtria në kamionë dhe u dogjën jashtë qytetit me naftë.“
Mundësitë për të verifikuar këto të dhëna nuk ekzistojnë, pasi, siç pohojnë autorët e apelimit, emrat e të cilëve janë të njohur për SPIEGEL, „qeveria ka vendosur ligjin ushtarak mbi rajonin e Kosovës: Amnesty International dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nuk patën mundësinë të hyjnë.“ Të tre dëshmitarët shkruesit e këtij „Apeli“, duke iu referuar pakicës shqiptare në Jugosllavi, „…e cila nuk është në gjendje të lidhet drejtpërdrejt me botën e jashtme“, dhe vazhdojnë: „Raportimet zyrtare përçojnë vetëm pamje të zbehta të masakrës që ka ndodhur në provincën tonë të pafat. Të drejtat qytetare nuk vlejnë më, natën ushtria patrullon rrugët. Ne nuk mund ta vlerësojmë numrin e atyre që janë arrestuar, por do të jetë më shumë se një mijë“, theksohet në këtë „Apel“.
Sipas gazetave të Beogradit, rreth 2000 shqiptarë janë “administrativisht” të dënuar, që do të thotë: pa gjykim dhe mbrojtje, me dënime me burg. Po ashtu, deri më 31 gusht, 245 persona morën dënime me burg deri në 15 vjet; në fillim të shtatorit u shtuan edhe 50 dënime të tjera, me një dënim mesatar prej nëntë vitesh. Por çfarë aktiviteti politik kishin bërë këta të dënuar, pyet autori i analizës dhe fillon shkrimet për shkaqet e dënimit. „Për shkak se ‘ka shkruar dhe kënduar tekste armiqësore’, nxënësi Daut Rashani, 18 vjeç, mori 6 vjet burg, ndërsa studenti Skender Ahmeti, 21 vjeç, mori 11 vjet, dhe shoku i tij Merxhan Abdyli, ishte dënuar me 15 vjet burgim, sepse ai kishte shkruar dhe lexuar një letër proteste drejtuar qeverisë.“
„Drejtori i teatrit (është fjala për Drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Drenas, Hajzer Gjoshin N.K.), sepse kishte larguar fotografin e Titos dhe e kishte vendosur në një vend tjetër, ky u dënuan me gjashtë vjet burg, ashtu si edhe redaktorët që kishin të kaluar kritika për regjimin, por edhe autori i një shkrimi kritik për sjelljen e organeve të rendit gjatë shpërndarjes së demonstratave; ky është shkrimtari dhe gazetari Sabit Rustemi.“
Bujku Nagib Blaca shkoi në burg për dymbëdhjetë vjet për “kontrarevolucion”, ndërsa qepësja Dinore Curi, 19 vjeçe, u dënua me njëmbëdhjetë vjet për pjesëmarrje në një demonstratë. Polici Bajram Gashi, 22 vjeç, i cili, si shumë shokë të tij shqiptarë, kishte marrë anën e popullit të tij, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg.
Detajet e arsyetimit të dënimeve kundërshtojnë atë që propaganda e Jugosllavisë i ngarkon të arrestuarve: „Ata thuheshin se kishin vepruar me porosi të një fuqie të huaj, konkretisht të Republikës Popullore të Shqipërisë, për të shkëputur rajonin e Kosovës nga Jugosllavia“, citon autori i analizës. „Vetëm njëri prej të dënuarve kishte kërkuar ndihmë në ambasadën shqiptare në Beograd dhe kishte raportuar atje për ngjarjet në atdheun e tij, por edhe për këtë vizitë ai u burgos. Një të drejtë të tillë e kanë dhe e realizojnë bashkatdhetarët e tij që jetojnë në vendet perëndimore dhe që janë të organizuar në grupime të ndryshme politike si në Austri dhe punëtorët e emigrantët në Republikën Federale të Gjermanisë. Këto vizita i kanë po thuajse të përhershme (nëpër ambasadat e Shqipërisë në këto vende, por pa pasoja N.K.).“
Propaganda e qeverisë për të justifikuar ndërhyrjen serbe në rajonin e Kosovës ka dështuar. Beogradi shpërndau një hartë (që pretendonte se ishte publikuar në Greqi) që synonte të mbillte frikë për një Shqipëri ekspansioniste apo të madhe. Ajo u dëshmua e falsifikuar: Pra nuk ishte, siç pretendonte organi i partisë “Vjesnik”, ajo ishte një hartë nga një gazetë shqiptare e publikuar në Tiranë, nga një emigrantë antikomunistë i vjetër me qendrim në SHBA dhe tregon pretendimet për një territor të madh shqiptar që daton nga viti 1913, duke përfshirë edhe pjesë të ish-republikave jugosllave të Maqedonisë dhe Malit të Zi, si dhe pjesë të Greqisë së Veriut.
“Një bombë, të cilën një emigrant shqiptar supozohet ta ketë hedhur në Tiranë në ambasadën jugosllave, u kthye për Beogradin në një bumerang: emigranti, i cili u përmend me emër, është mbi 70 vjeç dhe, si antikomunist, vështirë se do të guxonte të shkonte në Shqipëri. Në fakt, ai nuk e ka lënë SHBA-në prej vitesh.“ Është fjala për Hysen Terpezen.
Shtypi i Jugosllavisë, i cili deri tani kishte akuzuar të dy superfuqitë, si dhe Republikën Federale të Gjermanisë, si autorë të ngritjes popullore të shqiptarëve, „… tani ka gjetur një fajtor të ri: Shërbimin Informativ italian dhe pas tij, NATO-n“. Ja si e dokumentonte këtë: „Dëshmi: Në Romë jetojnë emigrantë shqiptarë, dhe televizionet perëndimore kanë shfaqur një film të fikcionit, që supozon se një Luftë Botërore e Tretë (me radhe – N.K.) mund të shpërthejë pikërisht për shkak të komplikimeve kombëtare në rajonin e veçantë të Kosovës.“
Analisti vazhdon: „Autoritetet shtetërore nuk po mund ta kontrollonin situatën në terren, dhe kriza po bëhej më e thellë. Prej gjashtë muajsh, pothuajse të gjitha kinematë, teatrot dhe diskotekat janë mbyllur, dhe po ashtu ndeshjet futbollistike luhen pa praninë e publikut, për shkak të dyshimit se grumbullimet apo tubimet e tilla të njerëzve mund të shkaktojnë trazira.“ Një situatë e tillë ishte potenciale për rritjen e pakënaqësisë, sidomos tek të rinjtë, shkruante më tej analisti, duke konstatuar se „… shtypi i partisë njofton se ‘në mure, në shtëpi dhe madje edhe në male shfaqen parolla armiqësore’, pasi Beogradi i ka hequr përjetësisht të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të pasur një republikë të vetën brenda Jugosllavisë, prandaj shfaqet parolla e frikshme: Bashkimi me Shqipërinë, pas shkatërrimit të Jugosllavisë.“
Shtypi i Beogradit vazhdonte me propagandën e tij se komunistët shqiptarë në Kosovë nuk po angazhoheshin në luftimin e këtyre dukurive. Prandaj, thekson autori i analizës se „Në Prizren nuk u gjet asnjë komunist që të paraqiste ose të denonconte një ‘dukuri nacionaliste-irredentiste’, por të gjitha këto dukuri „… i u lënë organeve të ndjekjes“. „Në stacionin e Radio Prishtinës, redaktorët refuzuan të kritikojnë një koleg të tyre; anëtarët e partisë, të ftuar për vetëkritikë, e braktisën mbledhjen e partisë që në pauzë.“
Duke përshkruar gjendjen e rënduar në Kosovë, autori tregon për rezistencën e heshtur të shqiptarëve, ku, siç thotë ai, „Në Minierën e metalve të çmuara në Trepçë, si një nga qendrat më të mëdha ekonomike të rajonit të Kosovës, të gjithë punëtorëve iu premtua që të paraqiteshin rregullisht në vendet e tyre të punës dhe iu ishte premtuar një shpërblim prej 1000 dinarësh (60 marka), sepse që nga trazirat dhe ndërhyrja e trupave policore dhe ushtarake të Federatës, ‘ata punojnë më pak, janë më shpesh të sëmurë’.”
Serbi Petar Kostić, sekretar i partisë në rajonin shqiptar të Kosovës, ankohej: „Situata është konsoliduar shumë më ngadalë sesa e kishim pritur realisht. Më mirë do të ishte që ‘Siguria e Shtetit’ të forcohej me specialistët më të mirë nga e gjithë vendi.“ Një situatë e tillë e tensionuar lëvizte në një drejtim të paqartë, dhe për këtë arsye; „Të gjithë e dënojnë një veprim të tillë subversiv, por edhe të gjithë heshtin (…), nuk është çudi që parolla armiqësore të shfaqen edhe në shtëpitë e udhëheqësve të organizatave shoqërore-politike, pa mundur të zbulohen ‘autorët’“, përfundon analiza.
Përfundim
Siç u pa nga këto katër analiza të revistës „Der Spiegel“, demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë kishin ngjallur shumë dyshime për atë se cila do të ishte rruga që Jugosllavia do të ndiqte pas vdekjes së Titos. Mendoj se që nga analiza e parë e kësaj reviste, ishte menduar një ndryshim demokratik, duke titulluar analizën e parë „Pa Yllin e Kuq“, që do të thotë se nuk ishte një lëvizje antikomuniste, sepse demonstratat që zhvilloheshin nëpër qytetet e ndryshme të Gjermanisë Perëndimore (të asaj kohe), dominonin kërkesat dhe parullat me përmbajtje ideologjike marksiste si dhe fotografitë e Enver Hoxhës. Në demonstratat në Kosovë kjo nuk kishte ndodhur (në protestën e 11 marsit), prandaj, analistët mendonin se ishte diçka tjetër.
Por, duke analizuar këto lëvizje, analistët arsyetonin se mund të kishte edhe paraqitje të tilla, sepse dhuna që u përdor kundër demonstruesve tregonte shenja të një shteti tipik diktatorial, siç janë diktaturat e vendeve të Amerikës Latine, thoshte një komentator i „Süddeutsche Zeitung“ të asaj kohe. Po ashtu, kritikohej Federata dhe posaçërisht Republika e Serbisë, që rrisnin aspiratat e tyre për hegjemoni në Jugosllavi si mbrojtëses e vetme e kësaj federate, pasi që Republika e Sllovenisë dhe Kroacisë pothuajse nuk u interesonin problemet e shqiptarëve dhe serbëve, si dhe raportet e Serbisë me Kosovën. Ky konstatim u përforcua nga një intervistë e dhënë për gazetën „Vjesnik“ të Zagrebit më 31 dhjetor të vitit 1981, nga politikanin e vjetër Bakaric, i cili tha: „… nëse mbahen qëndrime të tilla revanshiste ndaj Kosovës, dhe nuk i jepen asaj të drejtat që i takojnë (…), atëherë lind pyetja: çfarë do të ndodhë?” (Fund)