Demonstratat e vitit 1981, pikënisje e rëndësishme drejt themelimit të LPK-së – UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës
Fatmir Lekaj, politolog dhe veprimtar
Veprimtaria revolucionare e grupeve klandestine, edhe pse kishte pësuar goditje, pas demonstratave të vitit 1968 (burgosje dhe tortura të pjesëtarëve të vet), u fuqizua gjatë viteve ’70, veçanërisht me themelimin e Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK), dhe grupeve të tjera klandestine më të vogla. Kjo veprimtari e grupeve klandestine, duke përfshirë tashmë edhe shtypin klandestin që disa nga këto grupe klandestine arritën ta botonin dhe ta shpërndanin (“Zëri i Kosovës” etj.), u bë një ndër faktorët kryesor për shpërthimin e demonstratave të vitit 1981, me kërkesën kryesore: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Demonstratat e vitit 1981 filluan në mënyrë spontane më 11 mars në Mensën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, kur studenti Abdullah Tahiri e përmbysi tavolinën si shprehje e pakënaqësisë dhe revoltës studentore. Fillimisht, demonstruesit shprehën kërkesat sociale, më pastaj edhe politike me kërkesën “Kosova Republikë”. Këto demonstrata ishin më masive sesa demonstratat e vitit 1968 dhe ndikuan, përveç të tjerash, për fillimprocesin e shembjes së themeleve të Jugosllavisë. Edhe reagimi i pushtetit serb ndaj demonstratave të vitit 1981 ishte shumë më brutal sesa ndaj demonstratave të vitit 1968. Forcat policore plagosën qindra demonstrues, ndërsa dëshmorë ranë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Tahir dhe Nebih Meha, Nesimi Dervishdana, Salih Maloku, Afrim Abazi, Ibrahim Krasniqi etj. Inkurajuesit kryesorë të këtyre demonstrative (duke përfshirë dy zëdhënësit kryesorë, Ali Lajçin dhe Hydajet Hysenin), u dënuan me burgime të rënda.
Udhëheqësit politikë shqiptarë të institucioneve të Krahinës së Kosovës në krye me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin etj., edhe pse kishin një përvojë politike më të madhe, nuk u treguan mjaftueshëm të guximshëm dhe politikisht kreativë për ndonjë lloj koordinimi me inkurajuesit e demonstratave të vitit 1981 në lidhje me kërkesën për “Republikën e Kosovës”, si një kërkesë e drejtë në kuadër të barazisë së popujve në Jugosllavinë federale. Së paku, nuk morën një qëndrim politiko-diplomatik, që në parim të jenë pro kërkesës për “Republikën e Kosovës” dhe, njëkohësisht, kundër mënyrës së shtrimit të kësaj kërkese nëpërmes demonstratave etj. Në këtë vazhdë, për demonstratat e vitit 1981, pati edhe konspiracione në kuptimin se ishin të orkestruara nga qarqet e shërbimit sekret serb, rus etj., për ta kthyer në regres fuqinë politike të shqiptarëve në Kosovë që e kishin fituar në bazë të Kushtetutës së vitit 1974. Në fakt, ky ishte dhe mbeti një konspiracion dhe vlerësim antihistorik. Sepse demonstratat e vitit 1981 ishin një vazhdimësi historike e rebelimit të shqiptarëve kundër regjimeve shtypëse të Beogradit dhe përpjekjeve për çlirimin e Kosovës nga Serbia që nga viti 1912, duke përfshirë demonstratat e vitit 1968, veçanërisht ishin të ndikuara nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve revolucionare klandestine. Me fjalë të tjera, një pjesë domethënëse e shoqërisë studentore e Universitetit të Prishtinës ishte ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve revolucionare klandestine. Njëherësh, këto demonstrata ishin rezultat i kontekstit të përgjithshëm socio-kulturor dhe ekonomiko-politik. Në lidhje me këtë, ballkanologu Svein Mønnesland në librin e tij “Para dhe pas Jugosllavisë” (2006), përveç të tjerash, shkruan: “Mund të duket i çuditshëm rebelimi i shqiptarëve në një kohë kur kishin arritur të kenë më shumë të drejta se ndonjëherë më parë. Por ‘periudha e lulëzimit’ në vitet ’70 ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos në mesin e të rinjve që pashmangshëm rezultoi me rritjen e kërkesave politike. Pse Kosova nuk duhet të ketë status republike kur ka më shumë banorë sesa në Mal të Zi apo në Slloveni? Gjithashtu, për pakënaqësinë ndikonte që Kosova kishte mbetur ende zona më e varfër në vend” (Mønnesland 2006: 239).
Përndryshe, edhe çdo lloj elementi i komplotit eventual nuk ka mundur të dezorientojë qëllimin e shqiptarëve të Kosovës me demonstratat e vitit 1981 sepse organizimi i grupeve klandestine kishte evoluar politikisht, veçanërisht udhëheqësit e Grupit Revolucionar të Kosovës, Hydajet Hyseni etj., të cilët arritën të orientojnë politikisht demonstratat nëpërmes fjalimeve dhe shkrimeve, duke argumentuar, përveç të tjerash, se Kosova përmbush kushtet që t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të barazisë së popujve në federatën jugosllave. Në këtë kuadër, një kontribut të rëndësishëm ka dhënë simboli i guximit akademik, politologu Ukshin Hoti, i cili, në një mbledhje në Universitetin e Prishtinës më 19 nëntor 1981, argumentoi nga një këndvështrim shkencor-politologjik, për të mirat që sjell “Republika e Kosovës” duke përfshirë edhe sforcimin e stabilitetit politik në rajon. Për Ukshin Hotin kërkesa për republikë gjatë demonstratave të vitit 1981 ishte njëkohësisht një pikënisje e procesit demokratik nga brenda (demokraci autentike) në Kosovë. Në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare” (1995), përveç të tjerash, konstaton se: “Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat” (Hoti 1995: 76). Madje mund të konstatohet se demonstratat masive të vitit 1981, ku u përfshin pothuajse të gjitha shtresat shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, ishin njëkohësisht një referendum popullor i shqiptarëve të Kosovës, në kuptimin e shpalljes së parë të Republikës së Kosovës. Në këtë vazhdë, bazuar në “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” (e lëshuar në qarkullim nga Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj etj.), u bë përbashkimi dhe formalizimi i bashkimit të grupeve klandestine revolucionare në një organizatë të përbashkët, e njohur nga viti 1982 si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), nga viti 1985 e njohur si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), dhe nga viti 1993 e njohur si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).
LPK-ja ishte e vetmja organizatë e fuqishme politike e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në diasporë që në programin e vet nuk e përjashtonte kryengritjen e armatosur si mjet të fundit për çlirimin e shqiptarëve në Jugosllavi (pasi që të gjitha mjetet e tjera politiko-diplomatike të konsumohen). Në këtë kuadër LPK, përveçse me veprimtarinë dhe udhëheqjen e saj kolegjiale, dha kontribut shumë të rëndësishëm si organizatë edhe në kuadër të procesit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, arriti të themelojë, të ngrehë dhe ta mbështesë UÇK-në si në aspektin organizativ, ushtarak dhe logjistik, po ashtu edhe në aspektin politiko-diplomatik. Pas Konferencës së Dejtonit (dhe çlirimit të Kroacisë me forcat e veta, në vitin 1995), u shtuan aksionet e armatosura të UÇK-së. Në këtë vazhdë edhe UÇK-ja pësoi goditje të njëpasnjëshme, e veçanërisht në vitin 1997, por rezistenca e UÇK-së nuk kishte të ndalur. Madje duke e marr parasysh se ende kishte dyshime për egzistencën e UÇK-së, në fundivitin 1997 pasuan deklaratat publike në emër të UÇK-së, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë vazhdë, UÇK-ja, në krye me prijësin emblematik ushtarak të UÇK-së, Adem Jasharin etj., dhe prijësin emblematik politik të UÇK-së, Adem Demaçin etj., arriti që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbeu si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s), të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës.
Ndërhyrja e NATO-s ishte legjitime, sepse konflikti në Kosovë përfaqësonte një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në zonën thelbësore të NATO-s (jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë rajonin). Kjo do të thotë se kriza në Kosovë ishte një kërcënim për sigurinë edhe për shtetet anëtare të NATO-s, prandaj NATO kontribuoi jo vetëm në shmangien e një kërcënimi madhor të sigurisë, por edhe për t’u konsoliduar më mirë dhe për t’u zgjeruar në Ballkan. Aspekti humanitar vjen si shtesë, dhe ishte hera e parë që NATO sulmoi një shtet sovran me justifikimin në konceptin e ndërhyrjes humanitare. Ndërhyrja e NATO-s ishte gjithashtu në masë të madhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të bazuar në dispozitat e Kartës së OKB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Me fjalë të tjera, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e trajtoi krizën në Kosovë në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së OKB-së – kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të cilat mund të autorizojnë përdorimin e forcës. Prandaj, nuk kishte nevojë për një rezolutë/autorizim eksplicit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në këtë mënyrë UÇK, kontribuoi si katalizator edhe për konsolidimin më të fortë të NATO-s, shtrirjen më të gjerë të NATO-s në rajon dhe për demokratizimin e rajonit.