Dëmshpërblimet e luftës, Greqia i kërkon Gjermanisë 269 miliardë euro
Parlamenti grek ka miratuar me shumicë votash mbrëmjen e së mërkurës një rezolutë që është konsideruar historike pasi kërkon nga Gjermania dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore.
Ndërkohë që vetëm Partia Komuniste ka dalë me një propozim të veçantë, shumica e liderëve të partive opozitare kanë dhënë konsensusin e tyre, por duke argumentuar se kjo ishte një lëvizje për të fituar vota para zgjedhjeve.
Sipas kryeministrit grek, Aleksis Tsipras Greqia kurrë nuk ka hequr dorë nga kjo kërkesë morale në këto 74 vite.
Vlerësohet se në notën dërguar Berlinit shuma që i kërkohet Gjermanisë nga Lufta e Dytë Botërore është 269.5 miliardë euro, shume që përkon thuajse me borxhin kolosal grek.
Seanca parlamentare është shoqëruar edhe me një incident me deputetet nazistë të Agimit të Artë që nuk kanë votuar, por kanë kërkuar kompensime për viktimat e luftës civile në Greqi në vitet 1944-1949.
Ndërsa, Berlini me anë të zëdhënësit të Qeverisë ka ripërsëritur se çështja e dëmshpërblimeve është e zgjidhur dhe se Gjermania nuk ka asnjë borxh ndaj Greqisë.