‘Dëmtimet në kokë mund të jenë fatale’, Varane: Kam pasur disa tronditje
Prej disa kohësh, futbolli po diskuton rrezikun real të lëndimeve në kokë.
Rregullorja kërkon që arbitrat të ndalojnë menjëherë lojën në rast të përplasjeve që përfshijnë kokat e lojtarëve ose goditjet e forta me top në kokë.
Pavarësisht kësaj, aksidente, qoftë edhe të rënda, mund të ndodhin. Raphael Varane tregon historinë e tij në një intervistë të gjatë dhënë për mediet franceze.
“Te Manchester United na këshilluan të mos bënim më shumë se 10 goditje me kokë në stërvitje… Djali im 7-vjeçar luan futboll dhe unë e këshilloj që të mos godasë me kokë. Shumë herë ne lojtarët nuk e kuptojmë, as që e mendojmë të bëjmë një test. Të pësosh një tronditje dhe ta trajtosh atë është një sfidë e vërtetë. Është një problem i vërtetë shëndetësor, madje mund të jetë jetik. Gjërat janë duke ndryshuar pak, por ne ende mund të bëjmë përparim në këtë fushë”, tha fillimisht Varane.
Më tej, Varane shpjegon se si ka pësuar dëmtime në kokë në disa prej ndeshjeve që ka luajtur: “Po, kam pasur disa tronditje”.
Një nga këto raste ka ndodhur në Kupën e Botës 2014 kundër Nigerisë, ndërsa disa ditë më vonë Varane do të zbriste në fushë për ndeshjet e çerekfinaleve.
“Ndeshjen kundër Nigerisë e përfundova me një dëmtim. Nëse dikush do të kishte folur me mua në atë moment, as nuk e di nëse mund të përgjigjesha. Nuk e mbaj mend ndeshjen pas tronditjes. Ndjeva tendosje në sytë e mi. Duke parë prapa, pyes veten, po ta dija se ishte një tronditje, a do ta kisha thënë edhe nëse diçka e tillë nënkuptonte të mos e luaja atë ndeshje? Nuk e di. E di që në këto dhjetë vjet bëhen më shumë teste. Pra si mund të matja aftësinë time për të luajtur apo jo kundër Gjermanisë në çerekfinale? Nuk mund të fajësosh as mjekët, është një situatë paksa e komplikuar. Në dhjetë vjet nuk kam dashur kurrë të flas për këtë, sepse mund të duket si një justifikim dhe nuk do të kisha dashur kurrë që të dukej kështu”, deklaroi Varane.
Ai shtoi se tashmë i mendon më mirë gjërat dhe kur e di se goditjet në kokë mund të përfundojnë në mënyrë fatale, nuk bën më të njëjtat gabime.
“Kur e di se tronditjet e përsëritura kanë një efekt potencialisht fatal, i thua vetes se gjërat mund të shkojnë shumë keq. Në atë kohë nuk kisha një familje, nuk isha baba, por sot, në moshën 30-vjeçare dhe me tre fëmijë, mendoj ndryshe”, ka thënë mbrojtësi francez.