Dëmtohen edhe dy minibiblioteka në Prishtinë
Minibiblotekat e ndërtuara nga OJQ ETEA, janë dëmtuar përsëri. Këtë herë, në lagjen Bregu i Diellit dhe në Lagjen e Spitalit.
Sipas njoftimit të organizatës, njëra është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, e në njërën janë vjedhur të gjitha librat.
Tashmë rasti është dërguar në Polici dhe po hetohet për dëmtim të pronës dhe vjedhje të rëndë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se lexues ka më pak, por fuqia e dijes është më e madhe se çfarëdo force tjetër dekonstruktive. Prandaj, siç kemi thënë edhe më parë, minibibliotekat do të ndërtohen. Edhe nëse rrënohen – minibibliotekat do të rindërtohen – derisa rrënuesit të bëhen lexues”, thuhet në reagimin e ETEA-s, ku falënderohen ata qytetarë që i kanë ruajtur e mbrojtur ato.
Të tilla minibibloteka që u vendosën në lagje të kryeqytetit, njësoj janë thyer edhe më parë, derisa ato janë vendosur nga organizata, me qëllim që gratis, qytetarët të marrin libra, t’i lexojnë e kthejnë aty, e edhe të shtojnë libra të rinj në to.