Dëmtohen punimet e trotuarit në fshatin Gllanasellë të Drenasit
Komuna e Drenasit ka njoftuar se projekti për rregullimin e trotuarit në fshatin Gllanasellë të kësaj komune është dëmtuar nga persona të pandërgjegjshëm.
“Ditë më parë, disa banorë të lagjeve të fshatit Gllanasellë, kishin protestuar duke kundërshtuar ndërtimin e trotuarit. Komuna vlerëson se protestat janë e drejtë kushtetuese dhe të njëjtat mund të organizohen sa herë që dikush vlerëson që ka arsye për protestë, por në asnjë rast dhe asnjë rrethanë, askush nuk ka të drejtë të dëmtoj pronën komunale. Komuna e Drenasit, njofton se të gjitha projektet që janë të planifikuara do të kryhen ashtu siç janë të miratuara nga ana e Kuvendit të Komunës dhe të listuara sipas prioriteteve”.
“Me shqetësim kemi pranuar njoftimin nga menaxheri i kontratës për dëmet që janë bërë gjatë realizimit të këtij projekti nga personat që nuk i duan të mirën qytetarëve të këtij fshati, veçanërisht nxënësve, që përmes realizmit të këtij projekti u lehtësohet vajtje-ardhja në shkollën e fshatit. Me të pranuar këtë informacion për dëmtimin e pronës komunale, Komuna e Drenasit ka njoftuar organet e rendit dhe të sigurisë publike, që të marrin masa ndaj atyre që kanë dëmtuar pronën komunale. Njëherit i njoftojmë banorët e fshatit Gllanasellë, se Komuna ka planifikuar ndërtimin e këtij trotuari i cili edhe do të realizohet sipas planifikimit. Komuna i fton të gjithë banorët që të mos bien pre e ndikimeve të individëve të caktuar të cilët kanë për qëllim dëmtimin dhe pengimin e realizimit të këtij projekti. Individët e caktuar me dëmtimin që i kanë bërë këtij projekti, nuk i duan të mirën nxënësve dhe banorëve të fshatit”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.
Sipas kësaj komune, projekti ka qenë i planifikuar në listimin e projekteve kapitale dhe se Komuna e Drenasit nuk ka bërë devijimin e projektit.
“Ka 20 vite që ajo pjesë nuk ka qenë e kalueshme, pasi që ishte mbyllur nga barishta e ferra. Komuna e ka hapur vetëm për ndërtimin e trotuarit dhe sigurimin e fëmijëve shtëpi-shkollë dhe anasjelltas”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/