Dëmtohet pllaka përkujtimore e veteranëve të UÇK-së në fshatin Damanek të Malishevës

09 shkurt 2023 | 22:13

Pllaka me emrat e veteranëve të UÇK-së të fshatrave Damanek, Bubul dhe Qypev në Malishevë ka qenë cak i keqbërësve, të cilët e kanë dëmtuar me mjete të forta, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur së fundmi, ndërkohë që është denoncuar nga një qytetar, raporton Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se persona akoma të paidentifikuar kanë goditur pllakën prej mermeri, e cila është e vendosur në varrezat e fshatit Damanek.

Posa rasti është raportuar, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa akoma nuk janë zbuluar personat që dyshohen se dëmtuan pllakën.

Qytetari që raportoi rastin është shprehur i revoltuar, prandaj ka kërkuar nga Policia që të kapen të dyshuarit që kryen këtë vepër.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, kushdo që dëmton ose shkatërron monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik, fetar, shkencor apo natyror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mijëra njerëz kanë ofruar të adoptojnë vajzën e cila lindi…