Dënim me burg për “Rusin” që sulmoi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur fajtor Nenad Orlloviq për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan të vitit të kaluar. Për veprën e parë u dënua me 15 muaj burgim kurse për veprën e dytë me 12 mijë euro.
Nenad Orlloviq është dënuar me burg për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan të vitit të kaluar.
Ai të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar me 15 muaj burgim.
Nga këto trazira mbetën të lënduar mbi 30 pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan me 29 maj të vitit të kaluar.
Tashmë i dënuari, Nenad Orlloviq që ndryshe njihet me nofkën Rusi dhe Nemaç, kishte pranuar vullnetarisht fajin përmes një marrëveshje mes Prokurorisë dhe të akuzuarit, që u aprovua të premten nga Gjykata Themelore.
Orlloviq po atë ditë njoftoi se nuk dëshiron të marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit ndaj tij.
Kërkesa iu miratua, pa qenë i pranishëm në sallë, Rusi u shpall fajtor dhe gjykata i shqiptoi dënimin prej 15 muaj burgim për veprën e parë.
Ndërkaq për veprën e dytë e dënoi më gjobë.
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu Selimaj, tha se vendimi do të bëhet direkt i zbatueshëm meqë vjen si rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Orlloviq akuzohet se më datë 29 maj 2023 afër komunës së Zveçanit, me të pandehur të tjerë, përmes dhunës i kanë sulmuar dhe i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
I akuzuari Nenad Orlloviq apo siç njihet ndryshe Rusi, ishte arrestuar vitin e kaluar në një autolarje në veri të vendit, ku edhe punonte.