Dënime shumëvjeçare për “puçistët” në Mal të Zi
Gjykata e Lartë në Podgoricë i ka dënuar 14 persona për përpjekje për terrorizëm dhe për krijimin e një organizate kriminale në tetor të vitit 2016, me synim rrëzimin e dhunshëm të Qeverisë malazeze dhe parandalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Të dënuarit përfshijnë dy udhëheqës të partisë opozitare malazeze Fronti Demokratik, një shtetas tjetër malazez, nëntë shtetas të Serbisë dhe dy oficerë të dyshuar të inteligjencës ushtarake ruse.
Shtetasit rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, janë dënuar me 15 vjet burgim, respektivisht 12.
Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, janë dënuar me nga pesë vjet burgim.
Nga nëntë shtetasit e Serbisë, të dënuar për përpjekjen për puç, dënimi më i rëndë është shpallur kundër Branisllav Dikiqit, ish-gjeneral i policisë serbe, i cili është dënuar me tetë vjet në burg.
Predrag Bogiqeviq dhe Nemanja Ristiq, të dy anëtarë të grupeve ultranacionaliste serbe, janë dënuar me nga shtatë vjet.
Branka Miliq, e cila është arratisur në Ambasadën e Serbisë në Podgoricë në fund të vitit 2018, ka marrë një dënim trevjeçar; Dragan Maksi është dënuar me 21 muaj, Srbolub Gjorgjeviq është dënuar me 18 muaj dhe Kristina Hristiq është dënuar me kusht.
Katër nga të dënuarit janë gjykuar në mungesë, përfshirë dy shtetasit rusë.
Gjykata e Lartë e Malit të Zi ka konstatuar se grupi ka bërë komplot për të pushtuar Parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar një udhëheqësi pro-ruse.
Kryetarja e gjykatës, Suzana Mugosha, ka thënë se të gjithë të pandehurit kishin detyra që synonin rrëzimin me forcë të Qeverisë malazeze dhe shpalljen e Frontit Demokratik fitues të zgjedhjeve, me qëllim pengimin e Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO.
Gjykata ka konstatuar se Mandiqi dhe Knezheviqi kishin për detyrë të rekrutonin njerëz dhe të përgatisnin një protestë përpara parlamentit, me qëllim të sulmimit të legjislaturës.
Mugosha po ashtu ka thënë se dëshmitë kanë treguar se Knezheviqi ka qenë i ngarkuar edhe me përcjelljen e mesazheve tek anëtarët e një organizate kriminale jashtë vendit.
Kremlini ka mohuar se “mekanizmat shtetërorë rusë” kanë qenë të përfshirë.
Mali i Zi, në qershor të vitit 2017, është bërë vendi i 29-të anëtar i NATO-s, një hap që është kritikuar fuqishëm nga Moska dhe është kundërshtuar nga disa malazezë që mbështesin lidhje më të afërta me Rusinë.
Përpara vendimeve të 9 majit, Fronti Demokratik paralajmëroi se dënimi i liderëve të tij, Mandiqi dhe Knezheviqi, do të rrezikonte “destabilizimin e pakthyeshëm të Malit të Zi”. /Rel/