Dënimi i personave që kërcënuan deputetët, Çitaku: Llumi në rrjetet sociale është ushqyer ndër vite
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi gjykatat kanë dhënë disa dënime për individët nga diaspora që kishin kërcënuar disa deputetët të Kosovës.
Ajo ka bërë me dije se llumi dhe helmi i madh që po shpërfaqet në rrjetet sociale është ushqyer ndër vite në shoqërinë tonë.
Çitaku ka shkruar në “Facebook” se shpreson që dënimet që këto dënime të frenojnë sadopak vrullin e llumit që po del në sipërfaqe çdo ditë.
“Këto ditë ishim dëshmitarë të disa proceseve në Gjykata ku në cilësinë e të akuzuarve ishin persona që kishin kërcënuar me jetë deputeten Musliu, ish-kryeministrin Hoti dhe deputeten Musliu-Shoshi. Në të tria rastet, të pandehurit kërkuan falje, deklaruan se janë penduar, se nuk e kanë menduar atë që e kanë thënë. Llumi dhe helmi i madh që çdo ditë shpërfaqet në rrjetet sociale është produkt i polarizimit ekstrem që me vite është ushqyer në shoqërinë tonë. Grupe të organizuara në rrjete sociale i kanë bërë gjyqin publik, kanë përbaltur, denigruar dhe kërcënuar secilin që ka guxuar të mendojë ndryshe nga lideri suprem”, ka shkruar Çitaku.