Dënimi i Serbisë për gjenocid i hapë rrugë paqes së qëndrueshme në Evropën Juglindore
Shkruan: Jakup Krasniqi
Angazhimi i BE-së dhe i SHBA-së për t’i bërë bashkë liderët e Evropës Juglindore, sidomos të Ilirikut, për gjetjen e rrugëve dhe mënyrave për të ndërtuar një paqe të përhershme, siguri të plotë dhe zhvillim të qëndrueshëm në Evropën Juglindore dhe Ilirikun Perëndimor do të kishte një rëndësi të madhe për çdo shtet e qytetar të kësaj pjese të Evropës.
Në ketë shkrim do të përqendrohem në një temë konkrete që është shndërruar në pengesë të pakapërcyeshme në procesin e ndërtimit të paqes së mirëfilltënë këtë pjese të kontinentit tonë. Bëhet fjalë për mohimin e gjenocidit. Kjo çështje do të duhej të kishte një vëmendje të shtuar nga të gjitha vendet e kontinentit të vjetër e sidomos nga vendet e demokracisë euroatlantike.
Ata që kanë ndjekur zhvillimet politike gjatë shpërbërjes së ish-Federatës së Jugosllavisë në dy dekadat e fundit të shekullit XX e dinë fare mirë se në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë është kryer gjenocid. Përderisa në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë përgjegjësia e shtetit të Serbisë ishte e maskuar në atë mënyrë që fajtorët të kërkohen në strukturat e serbëve lokalë, në luftën e Kosovës gjërat janë shumë të qarta: Serbia si shtet përpiloi projektin e gjenocidit dhe e vuri në zbatim gjatë periudhës 1998-1999 përmes policisë dhe ushtrisë së saj. Përgjatë krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë, forcat serbe vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 gra shqiptare dhe rreth 10 mijë civilë të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave, me qëllim që të shkatërrohen tërësisht ose pjesërisht shqiptarët e Kosovës si tërësi kompakte kombëtare, etnike apo fetaree ndryshme nga serbët.
Shteti serb edhe 20 vjet pas luftës jo vetëm që nuk i ka ballafaquar me drejtësinë përgjegjësit e gjenocidit kundër shqiptarëve, nuk kanë treguar asnjë shenjë pendimi, përkundrazi, shtetit serb po vazhdon të mbajë të fshehura kufomat e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të cilët pas vrasjeve ishin zhvarrosur dhe transferuar në Serbi me qëllim të zhdukjes së gjurmëve dhe fakteve të gjenocidit.
Vetëm ata që kanë përjetuar situata të ngjashme, ku me dhjetëra mijëra familje nuk kanë mundur ta përfundojnë zinë për anëtarët e vrarë të familjes, e dinë se sa e vështirë është të ndërtohet paqja në këtë kontekst shoqëror. Kur flasim për pasojat e luftës nuk duhet të harrohet se prapa kategorisë “të zhdukur gjatë luftës në Kosovë” janë dhjetëra mijëra varre të hapura në shpirtin e të afërmve të atyre viktimave që u zhdukën në funksion të realizimit të gjenocidit kundër shqiptarëve.
Që të mund të përfundojë procesi i zisë, këto familje dhe shoqëria që ka përjetuar këtë krim të shëmtuar kanë nevojë të ndriçohet në tërësi fati i të gjitha viktimave.
Përveç sa u tha, Serbia gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë ka bërë dhunë seksuale ndaj mbi 20 mijë femrave shqiptare, me qëllim të cenimittë rëndë të integritetit fizik, moral dhe mendor të femrës shqiptare. Asnjë kriminel serb nuk është dënuar për ushtrimin e kësaj forme të gjenocidit. Shqetësues në këtë rast është fakti se asnjë mekanizëm euroatlantik e ndërkombëtar nuk ka bërë presion të duhur mbi politikën serbe post millosheviqiane.
Serbia jo vetëm që nuk e ka pranuar përgjegjësinë, por në vazhdimësi ka zbatuar mohimin e gjenocidit në Kosovë si strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës për gjenocidin. Kjo mënyrë e sjelljes e thellon hendekun mes dy vendeve, sepse pamundëson mbylljen e kapitullit të luftës. Por, përkundrazi, politika serbe e ka thelluar agresivitetin ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Madje edhe sot, 20 vjet pas krimeve të gjenocidit gjatë luftës, eksponentë të lartë shtetëror serbë e rusë kërcënojnë me luftëra të reja.
Më 16 maj 2019 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë. Emërtimi i gjërave me emrin e tyre përbën një akt thellësisht njerëzor, që lehtëson përballimin e dhembjes për të mbijetuarit e gjenocidit dhe nderon kujtimin e viktimave të gjenocidit. Nuk ka asnjë dyshim, ky veprim i Kosovës ka qenë i vonuar. Heshtja e Kosovës për gjenocidin që Serbia e ka ushtruar mbi shqiptarët, në vend që të kuptohet si vullnet i mirë e në shërbim të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, ajo është detyruar ta bëjë një Gjykatë Speciale për përndjekje njëetnike dhe i ngarkohet faji për dështimin e dialogut!
Në interes të mbylljes së kësaj plage të madhe dhe hapjes së perspektivës së ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme në Evropën Juglindore është e udhës që SHBA-ja e BE-ja, t’iu drejtohen krerëve të institucioneve të Serbisë me kërkesën imediate që ky shtet të ndriçojë plotësisht fatin e të gjithë atyre që ende konsiderohen të zhdukur dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e krimit të gjenocidit. Dhe pa kushte t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Gjithashtu, të kërkohet që Serbia ta pranojë këtë faj të rëndë dhe të bëhet prijëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duke e njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran e demokratik, duke ia lehtësuar pranimin e saj nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Kjo është rruga për një paqe të qëndrueshme në Ilirik dhe Evropën Juglindore. Popujve të këtij rajoni dhe popujve në përgjithësi iu duhet paqja, siguria me zhvillim të qëndrueshëm për punësim e mirëqenie!